Bëjmë sikur çamët nuk ekzistojnë, ndërkohë shihni Greqinë për Fredi Bejlerin…

Nga Alba Malltezi  Që në fillim dua të qartësoj se unë nuk urrej asnjë grek, madje kam miq të vyer nga kjo tokë, djep i mendimit njerëzor dhe i demokracisë. Nuk i urrej grekët sepse edhe gjyshi im çam, Hasan Dino, nga familja patriote e Dinejve të Çamërisë nuk i urrente. Mamaja më tregon se […]

Gusht 31, 2023 - 14:47
 0
Bëjmë sikur çamët nuk ekzistojnë, ndërkohë shihni Greqinë për Fredi Bejlerin…

Nga Alba Malltezi 

Që në fillim dua të qartësoj se unë nuk urrej asnjë grek, madje kam miq të vyer nga kjo tokë, djep i mendimit njerëzor dhe i demokracisë. Nuk i urrej grekët sepse edhe gjyshi im çam, Hasan Dino, nga familja patriote e Dinejve të Çamërisë nuk i urrente. Mamaja më tregon se në bodrumin e lagësht ku jetonin, pasi u dëbuan nga Çamëria (të moshuar, fëmijë dhe gjysma e familjes e masakruar), më të rriturit flisnin greqisht shpeshherë, këndonin ndonjë këngë të bukur greke dhe gatuanin receta që në jetë të jetëve çam e grekë në Paramthi, Filat apo qytete të tjera të Çamërisë, kishin bërë përherë bashkë. Mamaja më tregon gjithashtu se në shtëpinë e saj kujtoheshin fqinjët grekë të Çamërisë dhe marrëdhënia shumë e mirë me ta.

Të parët e saj, që nga Abedin Pashë Dino, Rasih Dino, Ahmed Dino, Abidin Dino, Ali Dino, Xhemil Dino e deri tek Nuri e Mazar Dino (ky i fundit i varur në sheshin e Delvinës nga qeveria komuniste në shtator të vitit 1945), ishin rilindas të vërtetë dhe thellësisht patriotë dhe të përkushtuar për zgjidhjen e çështjes çame, por dhe të Shqipërisë. I pari në radhë, Abedin Pashë Dino, ishte mes nismëtarëve të Lidhjes së Prizrenit dhe firmëtarëve të dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë; të fundit, vëllezërit Mazar dhe Nuri Dino, ishin drejtues të Këshillit, një organ rregullator dhe qeverisës i gjithë krahinës së Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një grua, Lejla Rasih Dino, mbesë e Abedin Pashë Dinos, mike e Qemal Ataturkut, mbetet nga të vetmet shqiptare që mori letër e penë duke ju drejtuar Presidentit të atëhershëm amerikan, Thomas Willson dhe bashkëshortes së tij për padrejtësinë e lënieve jashtë kufijve të Shqipërisë së tokave shqiptare, përfshi dhe Çamërinë.

Ka shumë dokumente që vërtetojnë përkushtimin patriotik të familjes çame Dino dhe nuk ka asnjë dokument apo fakt që të dëshmojë se ata punuan në dëm të ndonjë populli tjetër, veç interesit për të drejtat themelore dhe elementare të shqiptarëve të Çamërisë. Jetuan me nder dhe vdiqën të gjithë në krevatet e tyre, në profesione të ndryshme që nga politika, ekonomia e arti, kudo jetuan: në Stamboll, në Athinë, Romë a Paris, përveç Mazar Dinos që u ekzekutua pa asnjë provë apo proces, me akuzën për tradhëti nga komunistët në Shqipëri. Kjo është vetëm një përmendje e përciptë e vetëm një familjeje patriotike, ajo e Dinove, pa numëruar dhjetëra të tjera që kishin të njëjtin përkushtim patriotik.

E megjithatë, një lloj propagandë greke, ajo që kënaqet që shqiptarët, shumica myslimanë të Çamërisë u dëbuan nga tokat, shtëpitë, pronat, mendojnë se çështja çame është mbyllur përherë me damkën “kolaboracionistë të nazi-fashitësve”. Për fat të keq, veç një politike greke e kanë pranuar këtë heshturazi dhe “vëllezërit” e Shqipërisë. Askush deri më sot, asnjë shoqatë apo parti shqiptare, nuk ka nisur apo mbështetur një hetim të thellë, të pavarur dhe objektiv për të nxjerrë përfundimisht në dritë një të vërtetë të madhe historike: Ishin çamët (fëmijë, gra të moshuar) bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore apo ishte ky një pretekst hileqar dhe i manupuluar për një genocidi mbi një popull?

Ndryshe nga inteligjenca, përkushtimi, këmbëngulja e gjetjes së provave dhe fakteve të popullit hebre për masakrën naziste ndaj tij, çamët vetë dhe të gjitha qeveritë shqiptare me radhë kanë mbyllur gojën sikur kjo plagë e madhe të mos ekzistonte. Vula e turpshme e bashkëpunëtorëve të nazi-fashizmit mbahet ende mbi trupat e fëmijve të vrarë, grave të përdhunuara e të moshuarve të masakruar atë korrik 1944 dhe pakkush bën përpjekje për ta ndriçuar dhe sqaruar.

Vijmë në ditët e sotme, kur Athina zyrtare gjëmon e tëra për çështjen Bejleri, duke angazhuar Kryeministër, kryebashkiakë, gazetarë, mediat më të rëndësishme për t’i kërkuar llogari Shqipërisë, ndërsa prej nesh, të gjithë bashkë, as nuk kemi guximin ta përmendim çështjen e padrejtë, aspak njerëzore, me emrin çam e Çamëri!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.