Biznesi i mirë i diellit

Nga Nertila Maho Zbutja e krizës së energjisë u duk sikur do të zbehte apo ngadalësonte rritjen e investimeve në burime të rinovueshme por kjo nuk ka ndodhur. Pavarësisht maturimit të tregut vendas, fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024 po shfaq një dinamikë të re në projekte që parashikojnë kapacitete të konsiderueshme […]

Mars 3, 2024 - 10:00
 0
Biznesi i mirë i diellit
Nga Nertila Maho

Zbutja e krizës së energjisë u duk sikur do të zbehte apo ngadalësonte rritjen e investimeve në burime të rinovueshme por kjo nuk ka ndodhur. Pavarësisht maturimit të tregut vendas, fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024 po shfaq një dinamikë të re në projekte që parashikojnë kapacitete të konsiderueshme instalimi në impiante fotovoltaikë.

Tregues i kësaj janë ankandi hibrid për një kapacitet 300 MW që njoftoi qeveria në fillim të 2024, disa aplikime në Komitetin e Investimeve Strategjike për të përfituar status të veçantë, 10 aplikime të reja në MIE vetëm në dy muajt e parë të 2024 që synojnë shitjen e energjisë në treg të lirë.

Interesi i qëndrueshëm, sipas aktorëve të tregut, lidhet me faktin se një pjesë e projekteve janë ide që lindën në kohën e kulmit të krizës së energjisë, në vitin 2022 dhe që për hir të hallkave procedurale, morën kohë për finalizim e po shfaqen me aplikime tani.

Një tjetër arsye është tranzicioni i gjelbër, një objektiv global që nxit burimet e rinovueshme dhe ku Shqipëria mund të ketë pjesën e saj të përfitimit, duke u dhënë përparësi investimeve të kësaj natyre. Të paktën kështu e sheh situatën Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë “EuroElektra sh.p.k”.

“Mund të themi se çmimet në bursa kanë pasur një lloj stabilizimi, pra nuk janë në nivelet e kulmit të krizës, por kërkesa për energji nga burimet e rinovueshme mbetet e lartë dhe e qëndrueshme. Kjo do të vazhdojë edhe si efekt i atij që njihet si tranzicion i gjelbër.

Në këtë kontekst, kërkesa për energji të pastër nga burime të rinovueshme do të vijojë të mbetet konstante”, – nënvizon z.Çekrezi.

Vetëprodhimi ende me interes, bizneset duan të eliminojnë presionin e çmimit

Çdo biznes mund të instalojë për nevoja të konsumit të tij impiante fotovoltaikë, me kapacitet deri në 500 kWp. Hartimi i një udhëzimi që zgjidhi ngërçin për vetëprodhuesit në vitin 2019 dhe amendimi që iu bë në vitin 2023, i dha një shtysë edhe më të madhe këtij grupi.

Kategoria që e pa këtë alternativë si më të përshtatshmen është ajo në tregun e lirë, së cilës i duhet të marrë energjinë nga furnizuesit privatë. Të parët që ngritën siparin në këtë aspekt ishin bizneset e lidhura në tension 35 kilovolt, që u përballën me çmimet e tregut.

Fillimi i krizës në vitin 2021 dhe kulmimi i saj në vitin 2022 orientoi të gjithë bizneset, përfshirë ata të lidhur në 20 kilovolt (të nxjerrë në tregun e lirë këtë janar) tek investimet për vetëprodhim. Tendenca ende vijon të mbetet e lartë.

“Bizneset nuk duan që të përballen përsëri me të njëjtën situatë, si dy vite më parë, kur u gjendën tërësisht të papërgatitur nga rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë. Një situatë e tillë mund të shkaktonte pezullimin apo ndërprerjen e operimit të tyre, për shkak të rritjes së kostove të energjisë.

Për të shmangur këtë, të gjitha bizneset janë duke investuar në një formë alternative për përfitimin e energjisë elektrike, pra në impiante fotovoltaike”, – shprehet Kostandin Duka, Menaxher i Përgjithshëm i “VEGA Solar”.

Trendi i investimeve në grupin e vetëprodhuesve, edhe pse mbetet pozitiv, duket se kufizohet disi nga të tjera zhvillime në treg. Rritja e normave të interesit të kredive, si efekt i transmetimit të politikave monetare që kanë marrë bankat qendrore, ka dhënë një lloj ngadalësimi.

“Çmimet e energjisë sot janë disi më të relaksuara, duke ulur disi presionin mbi bizneset për përballueshmërinë dhe kostot e energjisë. Një tjetër element shumë i rëndësishëm, që mendoj se ka ndikuar te trendi i investimeve në vetëprodhim, është rritja e kostove të financimit nga bankat”, – nënvizon z. Çekrezi.

Ligji i ri ende s’ka të plota aktet nënligjore, bilanci po funksionon vjetor

Vitin e shkuar, qeveria miratoi një ligj të ri për burimet e rinovueshme, që solli një sërë të rejash në lidhje me funksionimin e tregut, duke krijuar hallka të reja menaxhimi, si dhe nxitje të investimeve. Por aktualisht, ligji mbetet i pazbatueshëm, pasi ka nevojë për aktet nënligjore që nuk janë miratuar plotësisht.

“Ligji ka risitë e tij, që synohet të sjellin ndikime pozitive por për momentin është i pazbatueshëm, pasi ende nuk kanë dalë aktet nënligjore që të plotësojnë këtë zbatueshmëri.

Ankandet vazhdojnë sipas vendimit të vitit 2018. E reja e vetme në këtë aspekt është draft-metodologjia që Enti Rregullator i Energjisë publikoi për konsultim pak ditë më parë mbi përcaktimin e detyrimit për energjinë e rinovueshme për t’u paguar nga konsumatorët fundorë të energjisë elektrike. Në thelb, kjo synon që të krijojë një fond që do të paguhet nga konsumatorët fundorë në faturat e energjisë”, – nënvizon z.Çekrezi.

Sipas tij, sa u takon vetëprodhuesve, ende s’kemi kaluar në formën që parashikon ligji për një çmim mbi tepricat, por të paktën bizneset po marrin përfitim pozitiv, pasi udhëzimi i rishikuar u lejon atyre bilanc vjetor.

Në të njëjtën linjë është edhe z.Duka, i cili thekson se ky bilanc ka dhënë ndikime pozitive.

“Kalimi i energjisë së tepërt të hedhur në rrjet nga muaji në muaj, deri në fund të vitit, do të eliminojë rreth 90% të faturave të energjisë së klientëve tanë. Të vetmit muaj të cilët mund të jenë problematikë janë tre muajt e parë të vitit, kur edhe prodhimi i impianteve është më i ulët krahasuar me muajt e tjerë.

Ndërkohë që muajt e fundit të vitit do të mbulohen nga prodhimi i tepërt, që do të jetë gjatë muajve të verës. Gjithsesi, për çdo sistem, efektet do të jenë të ndryshme, në bazë të konsumit të tij dhe prodhimit që do të vijë nga impianti fotovoltaik.

Në mënyrë që ligji të marrë efekte të plota, është e nevojshme të përcaktohet se çfarë do të ndodhë me energjinë e tepërt në fund të vitit. Ka disa mundësi si p.sh., do të njihet për vitin tjetër apo do të kthehet në vlerë monetare, sipas një çmimi të përcaktuar nga ERE, por nuk ka një udhëzim të qartë për këtë pjesë”, – pohon ai.

Impiantet fotovoltaikë, 10 aplikime në MIE me kapacitet të instaluar 383 MW

Dhjetë aplikime janë dorëzuar gjatë janarit dhe fillimit të shkurtit pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për impiante fotovoltaikë me kapacitet të instaluar, që varion nga 25-100 MW, të cilat në total përbëjnë 383 MW.

Në dy publikime të ministrisë, që janë procedurë standarde konsultimi për palë të interesuara, janë dhënë edhe detajet për projektet, të cilët nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë.

Kjo do të thotë se këto biznese investojnë në energji për të shitur në treg të lirë dhe i paguajnë shtetit një tarifë që mund të jetë në sasi energjie, ose në vlerë të barabartë monetare. Por cilat janë në fakt disa nga specifikat e projekteve të dorëzuara në lidhje me vendndodhjen dhe kapacitetin?

Projekti i parë i paraqitur në MIE këtë vit është një impiant me kapacitet të instaluar 62 MW. Projekti synohet që të zbatohet në zonën e Kolonjës Taç i Sipërm, Bashkia e Kolonjës. I dyti, një impiant fotovoltaik në fshatin Rehovë po në Bashkinë e Kolonjës, me kapacitet të instaluar 24 MW.

Në zonën e Elbasanit është paraqitur një tjetër projekt që ka kërkuar miratimin me kapacitet të instaluar 40 MW, për prodhimin e energjisë me vendndodhje në afërsi të Zonës Polis-Vasjan, Bashkia e Elbasanit. Po në Elbasan, në fshatin Gjonçaj, është kërkuar projekti i katërt, për një impiant me kapacitet 32.2 MW.

MIE njoftoi gjithashtu aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 30 MW, në Njësinë Administrative Qendër Ersekë, Bashkia e Kolonjës, kurse projekti i gjashtë parashikon ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 25 MW, në Fshatin Floq, Bashkia e Korçës. Aplikimi i radhës ishte për një kapacitet të instaluar 50.4 MW, fshati Shtikë – Butkë, Bashkia e Kolonjës.

Një tjetër aplikim është ai me kapacitet të instaluar 100 MW, me vendndodhje në Zonën Kadastrale 1451, Fshati Darëzezë, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia e Fierit.

Projekti i nëntë është një impiant me kapacitet të instaluar 11 MW me vendndodhje në Bashkinë e Cërrikut, Qarku i Elbasanit dhe i fundit me kapacitet të instaluar 8.8 MW, me vendndodhje në Dërmenas, Bashkia e Fierit. Pavarësisht aplikimeve, ndërtimi apo miratimi i tyre nuk është i finalizuar, pasi do të duhet që të merren në shqyrtim elemente shtesë për ta klasifikuar atë si projekt për zbatim ose jo.

Ankandi hibrid 300 MW i fotovoltaikëve mbetet hapur deri më 17 maj

Qeveria hapi në 15 janar të këtij viti ankandin për dhënien e një kapaciteti 300 MW në fotovoltaikë të cilësuar hibridë. Gjatë një daljeje publike, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ofertuesit kanë afat deri më 17 maj të dorëzojnë ofertat e tyre teknike dhe financiare.

Balluku bëri të ditur se çmimi maksimal i pranueshëm në këtë ankand do të jetë 59.97 euro për MWh, ndërsa fituesi do të shpallet më 10 korrik të këtij viti.

“Ky ankand do të jetë i suksesshëm, pasi kriteret të cilat ne do të kërkojmë gjatë këtij ankandi do të jenë të plotësueshme dhe dimë që interesi ka qenë shumë i madh, prandaj kemi vendosur të hapim një ankand të ri për sa u përket burimeve të rinovueshme nga dielli.

Data 10 korrik do të jetë afati përfundimtar i daljes së fituesve të kësaj gare që nis sot. Të gjithë ofertuesit do të kenë kohë deri në 17 maj për paraqitjen e ofertave teknike dhe financiare”, – tha ministrja. Por çfarë është në fakt një ankand hibrid?

Sipas MIE, ankande hibride quhen ato ankande ku shteti shqiptar është i gatshëm për të blerë energjinë e prodhuar për një afat të përcaktuar, në këtë rast 15 vite, por pa angazhuar asete të tjera.

“Pra në ankandin e parë, të Karavastasë, por edhe në ankande të tjera, ne kemi angazhuar edhe asete të tjera publike, siç është vendosja e truallit në dispozicion, ndërkohë në ankandin e sotëm, shteti blen energjinë dhe është detyrë e të gjithë ofertuesve që të marrin masat qoftë për truallin, prodhimin, teknologjinë që do të përdoret.

Kapaciteti minimal i ofruar 10 MWh, ndërkohë që kapaciteti maksimal do të jetë 100 mWh, duke i dhënë kështu mundësi që pjesë të këtij ankandi të jenë minimalisht tre entitete, pra duke qenë se në total do të kemi 300 mWh, të cilat duhet të jenë të disponueshme për blerje nga shteti shqiptar.

Një dysheme prej 10 mWh, jo më pak se kaq, do të jenë parqet fotovoltaike të pranueshme për të garuar, dhe jo më të mëdhenj se 100 mWh.

Subjektet mund të marrin pjesë edhe nëpërmjet disa projekteve të ndryshme, me vendndodhje të ndryshme, mjafton që të respektohet dyshemeja prej 10 mWh”, deklaroi ministrja.

 Fotovoltaikët, ERE licencoi 10 subjekte në vitin 2023, kapaciteti i instaluar arrin 354 MW

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) licencoi të paktën 10 subjekte vitin e shkuar për prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët.

Kapaciteti i instaluar për këto dhjetë projekte kap një total prej rreth 104 MW në total, ndërkohë që nga nisja e dhënies së licencave për këto subjekte, kapaciteti i instaluar i subjekteve që kanë sot një licencë është 354 MW.

Prej vitit 2014, që është dhënë licenca e parë, konkretisht për ujësjellësin e Korçës e deri më sot janë dhënë 37 licenca për këtë kategori prodhuesish.

Në fakt, nxitjen reale sektori e mori pas miratimit të ligjit për burimet e rinovueshme në vitin 2017, çka më pas solli dhënien e disa licencave gjatë vitit 2018. Kryesisht janë projekte të vegjël, me kapacitet 2 MW, energjinë e të cilit e blen kompania publike e shpërndarjes kundrejt një çmimi që miratohet nga ERE.

Tashmë të licencuar dhe në faza të ndryshme nga komisionimi te prodhimi ka edhe projekte më të mëdha, siç është Karavastaja apo projekte në Ersekë e Fier.

Në vendin tonë, nxitja e investimeve në burimet fotovoltaike po synohet gjithmonë e më shumë si formë diversifikimi, duke qenë se vendi vazhdon të jetë i varur nga burimet hidrike çka e ekspozoi atë kundrejt një kostoje të lartë financiare gjatë krizës në vitin 2022, që kaloi shumicën 500 milionë euro.

 

KIS rrëzoi 7 projekte me vlerë 700 mln euro, kalon vetëm një si strategjik

Investimi në energji është bërë sektori i radhës ku bizneset po kërkojnë status strategjik. Teksa më herët dominonin kërkesat për fshatrat turistikë, në dy mbledhjet e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike kanë dominuar projektet e energjisë.

KIS zbardhi pak kohë më parë tetë vendime, të gjitha projekte potenciale energjie, që kërkuan përfitimin e statusit të investimit strategjik, por vetëm për një prej tyre është dhënë miratimi.

Të paktën shtatë projekte me vlerë të parashikuar investimi rreth 700 milionë euro nuk janë pranuar nga KIS për të përfituar status, ndërkohë që kapaciteti i instaluar i parashikuar për to është 940 MW.

Komiteti ka pranuar vetëm një kërkesë të bërë nga një subjekt që ka aktualisht statusin e investitorit strategjik, i cili ka integruar në projektin aktual një impiant agrivoltaik.

Bëhet fjalë për Agroiliria Group, e cila ka një kontratë aktive me shtetin shqiptar, për një fermë me goji berry, shegë, kivi si dhe të përfshijnë brenda saj një agroturizëm dhe së fundmi një impiant. Kapaciteti i instaluar është parashikuar 78.4 MW ndërsa vlera e investimit 47 milionë euro.

“Subjekti investues ka nënshkruar me Ministrinë përgjegjëse për Ekonominë, Kontratë Qiraje Nr. Rep 1961, Nr.729 kol, datë 14.06.2022, në të cilën specifikohet se sipërfaqja e dhënë me qira është 496.6 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë pikë gjashtë) ha dhe afati i qiradhënies është 30 (tridhjetë) vite nga data e nënshkrimit.

Subjekti investues propozon, që brenda një pjese të sipërfaqes së marrë me qira, të realizojë një park agrivoltaik me fuqi të instaluar prej 78.4 MW, i cili nuk do të ndryshojë planin e biznesit të miratuar për aktivitetin bujqësor dhe zhvillimin e agroturizmit dhe as destinacionin e tokës bujqësore, por përkundrazi, duke shfrytëzuar resurset natyrore, do të shtojë dhe do të përmirësojë këtë aktivitet”, – thuhet në parashtrimin e KIS që ka miratuar edhe këtë projekt, duke vendosur si kusht që të përfundojë brenda 24 muajsh.

Monitor

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.