Blinken-Borrell në Lindjen e Mesme, kryediplomatët e SHBA dhe BE kërkojnë të frenojnë përhapjen e konfliktit
Tre muaj pas nisjes së luftës Izrael-Hamas, diplomatët kryesorë të SHBA, Antony Blinken dhe ai i BE, Josep Borrell kërkuan parandalimin e përhapjes
Tre muaj pas nisjes së luftës Izrael-Hamas, diplomatët kryesorë të SHBA, Antony Blinken dhe ai i BE, Josep Borrell kërkuan parandalimin e përhapjes së konfliktit në të gjithë rajonin.
Blinken dhe Borrell ishin në vizita të veçanta në Lindjen e Mesme këtë të dielë për të ulur tensionet në Liban, Bregun Perëndimor dhe në Detin e Kuq ku grupi i armatosur i Jemenit, Huthi, I mbështetur edhe nga Irani është zotuar të vazhdojë sulmet ndaj anijeve tregtare.
“Siç e kemi thënë që nga dita e parë, fokusi ynë është parandalimi i përhapjes së këtij konflikti. Edhe bisedimet që kemi me të gjithë partnerët në rajon kanë në fokus hapat që ata mund të ndërmarrin përmes lidhjeve të tyre për të bërë pikërisht këtë, të sigurojnë që konflikti të mos përhapet”, tha Blinken.
Blinken tha se në fokus të bisedimeve janë gjithashtu mbrojtja e civilëve në Gaza dhe rikthimi i pengjeve në Izrael.
Po ashtu shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell tha nga Libani se askush nuk do të përfitonte nga zgjerimi i mundshëm i konfliktit.
“Duhet shmangur. Diplomacia mund të mbizotërojë për të kërkuar një zgjidhje më të mirë. Është e domosdoshme shmangia e një përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme”, tha Borrell.
Zyrtarët e lindjes së mesme kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm, ndërsa IZraeli mbetet i vendosur për të sulmuar Gazën e shkatërruar deri në shfarosjen e plotë të Hamasit. Në fokus të takimeve të diplomatëve të lartë do të jetë edhe situata pas luftës për rindërtimin dhe qeverisjen e Rripit të Gazës.
Nga dita e parë e konfliktit në 7 tetor janë vrarë rreth 23 mijë palestinezë dhe 1500 izraelitë./vizionplus.tv
What's Your Reaction?