Drejtësia, e vetmja rrugë shprese që nuk na e mban kokën mbrapa dhe as lart nga ballkoni

Nga Fatmir Xhafaj Fushata e vitit 2021 mbetet një moment i rëndësishëm në karrierën time politike, ku derë më derë me zgjedhësit e mi dhe dritare më dritare mediatike, siç dihet e mbështeta kërkesën për votë mbi angazhimin tim publik për tri beteja kyçe, tre objektiva në përputhje me programin e Partisë Socialiste: Drejtësia, Antikorrupsioni dhe […]

Maj 28, 2024 - 10:55
 0
Drejtësia, e vetmja rrugë shprese që nuk na e mban kokën mbrapa dhe as lart nga ballkoni

Nga Fatmir Xhafaj

Fushata e vitit 2021 mbetet një moment i rëndësishëm në karrierën time politike, ku derë më derë me zgjedhësit e mi dhe dritare më dritare mediatike, siç dihet e mbështeta kërkesën për votë mbi angazhimin tim publik për tri beteja kyçe, tre objektiva në përputhje me programin e Partisë Socialiste: Drejtësia, Antikorrupsioni dhe Rinia!

Isha i bindur se nëse vota e qytetarëve do më sillte sërish në këtë sallë, do t’i përkushtohesha me gjithë mundësitë dhe energjitë e mia, këtyre tri betejave. Rreth 17.000 zgjedhës më besuan jo thjesht votën, por shpresën e tyre për t’ju shërbyer, angazhuar dhe vepruar me këtë mision.

Andaj, edhe qysh në nisje të kësaj legjislature, fjalën time të parë në këtë foltore (16 shtator 2021) ja kushtova pikërisht nevojës së domosdoshme të ndërmarrjes së hapave që synonin thellimin e mëtejshëm të rrugës së reformave shtet-formuese, konsolidimin e reformës në drejtësi dhe ndërmarrjen e një sërë iniciativash të reja me fokus anti-korrupsionin.

Kjo është edhe arsyeja pse e mbështes fort këtë rezolutë e cila vlerëson nismat dhe mekanizmat e deritanishme e rezultatet e arritura dhe i hap rrugë reformave që qytetarët presin për ndryshimin që ata duan, për të ardhmen që ata na kanë besuar, ku Shqipëria 2030 e gjeneratës së re evropiane. nuk ngjet aspak si destinacion i largët, nëse çdo ditë rezultatet e këtij projekti do ofrojnë stacione shprese.

I kam ndjekur me vëmendje reagimet e shumta që prej momentit kur iniciativa u prezantua nga kryeministri! I keqardhur kur balta ka qenë reagimi i parë pasi edhe politika duhet të bëjë armëpushim kur flitet për një kauz që mund të kurojë e shërojë plagë 30 vjeçare duke u bashkuar, jo duke u ndarë, duke folur me zërin e arsyes, dhe jo të dëshpërimit politik, duke pasur vullnet për punë e përunjësi politike, dhe jo luftë ndaj njëri-tjetrit, tymi i së cilës vetëm ka sjellë verbëri për të parë hallet reale të qytetarëve.

Siç edhe e dini, unë për disa çështje disa herë edhe këtu në këtë sallë, kam mbajtur qëndrime të ndryshme të shprehura edhe me vote, duke i qëndruar besnik bindjeve dhe këndvështrimeve të mia, kryesisht në çështjet që lidhen me procesin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe fushën e zbatimit të ligjit, por diskutimi për këtë proces reformash pa asnjë mëdyshje më ka përfshirë aktivisht në tryezë sepse gjykoj se, rrugët në politikë duhet të bashkohen aty ku bashkohen interesat e qytetarëve për një shtet të fortë, ku udhërrëfyes janë vlerat europiane dhe jo sherret mes partive e mospëlqimet e klasës politike, apo edhe raportet e prishura, ndasitë, qejfmbetjet, interesat e protagonizmat personale.

E ky nuk është moral, por thirrje që ti lëmë mënjanë sherrnajat tona e ta mbështesim këtë Rezolutë, e cila veç të tjerash shërben si një ftesë e hapur për një cikël të ri reformash të thella shtet-formuese e gjithëpërfshirëse në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës.

Për çdo skeptik, konspiracionist, akuzues a trillues, përfshi dhe sponsorizuesit e tyre, që me dashje apo pa dashje janë duke atakuar këtë projekt, di të them që synimi i kësaj rezolute është i qartë, transparent, i vërtetë dhe është vetëm një: Përmirësimi i cilësisë së qeverisjes, Forcimi i zbatimit të ligjit dhe kryesorja Ashpërsimi i luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshi dhe reformimin e strukturave përkatëse dhe mekanizmave anti-korrupsion.

Kur Partia Socialiste nisi të konkretizonte reformën në drejtësi, tonet kundërshtuese brenda e jashtë kësaj salle ishin shumë më të mëdha, dhe nga të gjitha krahët, dhe sot rezultati që kemi padyshim është një medalje krenarie në murin e madh që u ngrit mes ligjit dhe pandëshkueshmërisë, mes drejtësisë me komandë politike dhe drejtësisë si pushtet i pavarur!

Reforma në drejtësi ishte dhe mbetet hap kyç në ndarjen e balancimin e pushteteve dhe përmirësimin e qeverisjes, por që ajo të mbetet një proces i besueshëm e i PAKTHYESHËM dhe të efektojë pozitivisht gjithë mekanizmat e shtetit dhe vetë shoqërinë shqiptare është domosdoshmëri, që bazuar në këtë model organizimi e reformimi të thellojmë procesin e reformave shtetformuese që reformojnë e konsolidojnë në të njëtin hap veprimi me to, edhe institucionet e tjera ligjzbatuese të shtetit.

Padyshim që zbatimi i reformës mbetet ende një sfidë. Ajo është në rrugë të mbarë dhe pa kthim, por ende reforma nuk e ka mbyllur fazën e saj të vetingut, dhe për rrjedhojë edhe të formatimit dhe funksionalitetit normal të institucioneve të reja, të cilat ende nuk janë me ritmin e duhur dhe në standardet mbi të cilat u ndërtua kjo reformë e thellë. Duhet më shumë angazhim  lidhur me cilësinë e qeverisjes së brendshme të vetë sistemit, dhe veçanërisht për rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, transparencën e institucioneve të drejtësisë, koordinimin dhe bashkëpunimin midis tyre, dhe kryesorja për rritjen e cilësisë së hetimeve e gjykimeve, përmirësimin e efiçensës së sistemit, aksesit dhe shërbimeve që ju ofrohen qytetarëve si dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Shoh në disa deklarata të disa kolegëve opozitarë një përpjekje për të nxirë çdo gjë të bërë këto vite dhe disa ndër ju çuditshëm shkojnë deri aty sa hyjnizojnë të djeshmen!! Shqiptarët dhe jo vetëm ata, e njohin mirë edhe atë realitet ku korrupsioni ishte gjerësisht i pranishëm dhe kryesorja, mekanizmat frenuese ndaj tij shumë të dobëta. Ndaj duhet ta pranojmë që JU dje, NE sot, jemi fajtorët kryesorë që situata është kjo sot që na thërret për reflektim, reagim dhe veprim, si ndjesa e vetme që mund t’i japim qytetarëve edhe pse pak e vonë.

Sigurisht, ndryshe nga ju, ne kemi kurajë ta pranojmë që pavarësisht përpjekjeve të shumta të Qeverisë dhe Kuvendit për forcim dhe modernizim të makinerisë shtetërore dhe rezultateve shumë pozitive gjatë këtyre 11 vjet qeverisjeje, do të ngrihemi në një standard tjetër. Nëse dje ngritëm SPAK brenda pushtetit të drejtësisë, tani synojmë të ngremë në të njëjtin nivel e standard përgjegjshmërie, dhe institucionet e agjencitë ligjzbatuese të kësaj fushe brenda qeverisjes në të gjithë nivelet e saj, se si të parandalojmë dhe luftojmë paligjshmërinë për të pasur një administratë më të mire, dhe me më shumë integritet, shoqëri më të shëndetshme dhe qeverisje cilësisht shumë më të mirë.

Unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin ndëshkimin penal dhe sidomos burgun si alternativën kryesore, apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për ndëshkim politik apo populizëm mediatik. Sa më pak njerëz në ndëshkim penal aq më e shëndetshme është shoqëria. Ai është fisheku i fundit. Ka ndodhur kjo sepse kemi dështuar në aspektet e tjera. Lufta kundër paligjshmërisë dhe vetë korrupsionit është një ndërthurje komponentësh e masash politike, institucionale, financiare, administrative dhe edukative para se të jetë ndëshkim penal!

Është momenti që t’i rikthejmë Kuvendit jo vetëm pushtetin që duhet t’i njohë vetes, por edhe detyrimin e mundësinë për të gjetur e vendosur në zbatim zgjidhjet e duhura. Kuvendi është vendi ku tre pushtetet dhe të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë, bëhen bashkë për ta koordinuar punën e përbashkët për hartimin dhe zbatimin e këtij plani të domosdoshëm kombëtar veprimi, duke krijuar hapësirën dhe mundësinë e gjithëpërfshirjes së aktorëve politikë në radhë të parë, të institucioneve të pavarura, agjencive ligjzbatuese, shoqërisë civile, botës akademike, grupeve të interesit, sipërmarrjes private dhe medias gjithashtu, por edhe ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare, përfshi dhe kapacitetet e shumta në diasporën tonë jashtë vendit.

Si deputet i kësaj mazhorance e cila pati vullnetin të iniciojë e çojë përpara reformën historike të drejtësisë, dua t’ju them se jam krenar që Partia Socialiste, familja ime politike me kurajo e vizion të qartë është duke iniciuar këtë hap të madh reformimi!

Reformat janë e vetmja rrugë e vërtetë shprese, e cila nuk na i mban kokën mbrapa dhe as kokën lart nga ballkoni drejt askundit, por drejt Shqipërisë Evropiane 2030.

Mbështetja që kemi marrë në këta 33 vjet nga SHBA e BE, ka qenë vendimtare në këtë rrugëtim të gjatë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ashtu siç ngjau me reformën në drejtësi, ku asistenca dhe monitorimi prej tyre dje gjatë hartimit dhe sot gjatë zbatimit mbeten garancia kyçe e suksesit. Jam tejet optimist për mbështetjen e partnerëve tanë edhe për këtë rezolutë që i hap rrugë një procesi tjetër reformues, ose siç e shpreh një nga partnerët tanë strategjik: REFORMA 2. Sigurisht siç ngjau edhe tek reforma në drejtësi, ata do të na asistojnë e monitorojnë, por në thelb kjo mbetet lufta jonë, përgjegjësia jonë!

Sigurisht ky nuk është një proces i lehtë, nuk është një betejë e thjeshtë, edhe sepse jemi të vonuar, por është momenti, për ta bërë këtë betejë dhe për ta bërë së bashku!

Jam shpresëplotë që kolegë të nderuar të opozitës, shumë prej të cilëve i çmoj si vlera të këtij Kuvendi, do gjejnë forcën për t’ju bashkuar këtij procesi reformues!

Ne po ju ftojmë jo në një betejë për partitë tona, por për Shqipërinë, jo në një betejë për karriget tona, por për të ardhmen evropiane të vendit, të qytetarëve, gjeneratës së re, fëmijëve, nipave e mbesave tona!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.