E gjithë Franca në këmbë për kapjen e autorëve, arratisja si në filma që tronditi Europën: Roli i bandave të Marsejës

Mohamed Amra, i njohur si “The Fly”, po kthehej në burg nga një gjykatë në Normandi kur një makinë përplasi njërin prej furgonëve

Maj 15, 2024 - 11:40
 0
E gjithë Franca në këmbë për kapjen e autorëve, arratisja si në filma që tronditi Europën: Roli i bandave të Marsejës

Mohamed Amra, i njohur si “The Fly”, po kthehej në burg nga një gjykatë në Normandi kur një makinë përplasi njërin prej furgonëve të eskortës teksa po kalonin përmes një vendi  pagese të shërbimit të rrugës.

Më pas persona të armatosur hapën zjarr ndaj automjetit, duke vrarë dy oficerë dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.

“Po përdoren të gjitha mjetet për të gjetur këta kriminelë,” tha Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin.

Darmanin u tha mediave franceze të mërkurën se sulmi ishte një akt “barbarie në gjakftohtësi” dhe se rreth 450 xhandarë dhe oficerë policie ishin mobilizuar në departamentin Eure të Normandisë në një kërkim “të paprecedentë”.

Presidenti Emmanuel Macron i ka thënë Francës se “po bëhet gjithçka për të gjetur autorët”.

Ndërkohë, sindikatat franceze të oficerëve të burgjeve kanë bërë thirrje për largim nga institucionet në të gjithë vendin të mërkurën në mbështetje të dy të vdekurve.

Në një deklaratë të përbashkët, sindikatat kërkuan masa urgjente për të përmirësuar sigurinë e personelit – duke përfshirë “uljen drastike të dërgimit” të të burgosurve në seancat gjyqësore, duke promovuar video-konferencat dhe një “rishikim” të niveleve të shoqërimit.

Një minutë heshtje do të mbahet të mërkurën në orën 11:00 (09:00 GMT), dhe ka pasur demonstrata jashtë burgjeve franceze, duke përfshirë Parisin, sipas mediave lokale. Ministri francez i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti ka thënë se do të takohet me përfaqësues të sindikatave.

Prokurorja e shtetit të Parisit Laure Beçuau tha se sulmi ndodhi pak para orës 11:00 me orën lokale.

“Dolën burra me armë të gjata, të cilëve iu bashkuan burra të tjerë të armatosur që zbritën nga një automjet Audi, i cili me gjasë po ndiqte automjetin e burgut.”

Ata “qëlluan disa herë” në drejtim të dy automjeteve, duke vrarë dhe plagosur efektivë, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes dhe të merrnin me vete Amran.

Prokurori i Parisit tha se dy automjete që besohet se ishin përdorur nga kriminelët u gjetën të djegura, në vende të ndryshme.

Dupond-Moretti u tha gazetarëve të martën se një nga oficerët e vrarë “la pas një grua dhe dy fëmijë, të cilët duhej të festonin ditëlindjen e tyre të 21-të në dy ditë”.

Ndërsa oficeri i dytë i vrarë, 34 vjeç, lë pas një grua që është 5 muajshe shtatzënë.

Tre oficerë të tjerë u plagosën në sulm. Siç raportohet nga mediat lokale, Beçuau tha se tre oficerët e plagosur janë gjithashtu baballarë – të moshës 48, 52 dhe 55 vjeç.

“Gjithçka – dhe dua të them gjithçka – do të vendoset për të gjetur autorët e këtij krimi të ndyrë,” tha Dupond-Moretti, duke shtuar se autorët ishin “njerëz për të cilët jeta nuk ka vlerë”.

Ata do të gjenden dhe do të ndëshkohen “në një mënyrë që është në përpjesëtim me krimin”, shtoi ministri i drejtësisë. Amra u dënua për vjedhje në 10 maj dhe ishte paditur nga prokurorët në Marsejë për një rrëmbim me pasojë vdekjen.

Avokati i tij, Hugues Vigier, i tha kanalit francez të lajmeve BFMTV “ai do të donte të besonte se ai [Amra] nuk dinte për planin për ta liruar atë”. “Për mua ky plan nuk përputhet me atë që unë di për të. Nëse ai qëndron pas tij, atëherë nuk arrita të kuptoja se kush është ai,” shtoi Vigier.

Sipas disa raporteve të mediave franceze, Amra ishte përpjekur të arratisej nga qelia e tij e burgut në fillim të kësaj jave duke u përpjekur të sharronte hekurat e qelisë.

Beçuau tha në një konferencë për shtyp se Amra kishte 13 dënime, me të parën që daton në tetor 2009 – kur ai ishte 15 vjeç.

Edhe pse tani 30-vjeçari nuk ishte një “i burgosur nën vëzhgim të rreptë”, prokurori i Parisit tha se transporti i tij kërkonte një “shoqërim të nivelit të tretë”.

Thuhet se Amra ka lidhje me një bandë në qytetin jugor të Marsejës, i cili është rrënuar nga dhuna e bandave të lidhura me drogën dhe trafiqet e tjera. /vizionplus.tv

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.