Ekonomi vs. Demokraci

Nga Eduard Zaloshnja Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), ishte edhe kjo pyetje interesante: “Nëse duhet të zgjidhni mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, cila do të thoshit se është më e rëndësishme?”. Dhe plot 70.4% e […]

Qeshor 6, 2024 - 09:10
 0
Ekonomi vs. Demokraci

Nga Eduard Zaloshnja

Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), ishte edhe kjo pyetje interesante: “Nëse duhet të zgjidhni mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, cila do të thoshit se është më e rëndësishme?”. Dhe plot 70.4% e të anketuarve anonin nga zhvillimi ekonomik, kurse vetëm 29.1% anonin nga demokracia!

Pyetjes tjetër interesante “Çfarë do të thotë BE-ja për ju personalisht?”, 34.3% e të anketuarve iu përgjigjën “Mirëqenie ekonomike” dhe 25.4% iu përgjigjën “Liri për studim e punë kudo në BE”. Pra, pothuaj 60% e të anketuarve e lidhnin BE-në në mendjen e tyre me një status më të mirë ekonomik. Nga ana tjetër, vetëm 12.6% e lidhnin BE-në me demokracinë!

Po mos ndoshta shqiptarët e këtushëm janë të bindur se Shqipëria ka arritur një shkallë të lartë demokracie, dhe deficitin e kemi vetëm në zhvillimin ekonomik?

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Kështu, pyetjes “A ndiheni të përfaqësuar nga parlamenti?” vetëm 8.3% e të anketuarve iu përgjigjën “Po”, dhe 20.5% të tjerë iu përgjigjën “Anoj nga po”. Me pak fjalë, mbi 71% nuk ndihen të përfaqësuar nga ai që duhet të jetë tempulli i demokracisë përfaqësuese!

Po në lidhje me themelin e çdo demokracie – zgjedhjet e lira e të ndershme – ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm?

Pyetjes “A mendoni se zgjedhjet e përgjithshme të ardhshme (në vitin 2025) do të jenë të lira dhe të ndershme?”, vetëm 17.4% e të anketuarve iu përgjigjën “Po” dhe 31.7% “Anoj nga po”. Domethënë, më shumë se gjysma nuk besojnë se do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme!

Si përfundim, mund të thuhet se kemi një popullsi të rritur që, nga njëra anë, nuk ndihet e përfaqësuar nga parlamenti aktual në masën 71% e nuk beson në masën 51% se parlamenti i ri do të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa nga ana tjetër, i jep më shumë rëndësi zhvillimit ekonomik (në masën 70.4%) se sa nivelit të demokracisë në vend!

SHËNIM: Vrojtimin rigoroz statistikor për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së e kryem nga Konispoli në Vermosh me anketime nga 34 anketues profesionistë. Kampioni i përzgjedhur u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.