Erdogan: Turqia mbështet pa kushte Gazën. Synojmë rindërtimin nëse arrihet armëpushimi

Turqia do të bëjë përpjekje për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar, spitalet dhe shkollat në Rripin e Gazës nëse arrihet armëpushim, citohet të ketë thënë më 18 nëntor presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. “Nëse arrihet armëpushim, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të kompensuar shkatërrimin e shkaktuar nga Izraeli”, u tha […]

Nëntor 18, 2023 - 17:08
 0
Erdogan: Turqia mbështet pa kushte Gazën. Synojmë rindërtimin nëse arrihet armëpushimi

Turqia do të bëjë përpjekje për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar, spitalet dhe shkollat në Rripin e Gazës nëse arrihet armëpushim, citohet të ketë thënë më 18 nëntor presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Nëse arrihet armëpushim, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të kompensuar shkatërrimin e shkaktuar nga Izraeli”, u tha Erdogan gazetarëve që gjendeshin në avionin me të cilin lideri turk po kthehej nga Gjermania.

Izraeli deri më tani ka refuzuar thirrjet për armëpushim, duke thënë se do të vazhdojë operacionet ushtarake në Rripin e Gazës deri sa të shkatërrojë Hamasin – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe të lirojë pengjet e marra nga Hamasi.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit. Sulmuesit e Hamasit vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 240 të tjerë.

Mbi 11.400 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, dy të tretat gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Edhe 2.700 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe besohet se janë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Në shifrat për viktimat, të prezantuara nga autoritetet palestineze, nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve të Hamasit dhe civilëve. Izraeli ka thënë se ka vrarë mijëra sulmues të Hamasit.

“Ne do të bëjmë përpjekje të rindërtojmë infrastrukturën e dëmtuar në Gazë dhe të rindërtojmë shkollat e shkatërruara, spitalet dhe ndërtesat e ujit dhe energjisë”, citohet të ketë thënë Erdogan, sipas transmetuesit A Haber.

Turqia ka kritikuar ashpër Izraelin për luftën në Gazë. Më herët gjatë javës, Erdogan i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tregojë nëse Izraeli ka armë bërthamore dhe gjatë bisedës me gazetarë më 18 nëntor ai bëri thirrje që në Izrael të kryhen inspektime për armë bërthamore.

“Si Turqi, ne e bëjmë këtë thirrje. Armët bërthamore të Izraelit duhet të inspektohen dhe të hiqet çdo dyshim, para se të jetë shumë vonë”, tha ai.

Erdogan tha po ashtu se familjarët e izraelitëve që po mbahen pengje nga Hamasi i kanë dërguar atij një letër, duke i kërkuar që të ndërhyjë në mënyrë që ata të sigurohet. Presidenti turk tha se agjencia turke e inteligjencës në mënyrë aktive po e shqyrton këtë çështje./REL

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.