Feja, politika, arsyeja dhe e mira publike

Nga Fatos TARIFA Artan Duka botoi dje këtu në gazetën DITA një analizë titulluar “Feja dhe politika”. E lexova me interes për shkak se më pëlqejnë analizat e tij dhe sepse vetë subjekti në fjalë, për të cilin rrallë flasim—dhe akoma më rrallë shkruajmë—është i rëndësishëm. Duka shkruan: “Shteti e politika, në respekt të laicitetit, duhet […]

Dhjetor 27, 2023 - 16:15
 0
Feja, politika, arsyeja dhe e mira publike

Nga Fatos TARIFA

Artan Duka botoi dje këtu në gazetën DITA një analizë titulluar “Feja dhe politika”. E lexova me interes për shkak se më pëlqejnë analizat e tij dhe sepse vetë subjekti në fjalë, për të cilin rrallë flasim—dhe akoma më rrallë shkruajmë—është i rëndësishëm.

Duka shkruan: “Shteti e politika, në respekt të laicitetit, duhet të ruajnë barazpeshat, duke respektuar ndjenjat, besimet e qëndrimet qytetare pa dallim dhe [duke] garantuar lirinë e besimit e të mosbesimit njëkohësisht. Shtetari e politikani përfaqësojnë të gjithën e aty mpleksen ateisti, fetari dhe i pavendosuri ndaj kur flasin, ta bëjnë për të gjithë e për vlera e besime që na bashkojnë nga kombi, familja, shoqëria, prona, morali qytetar etj”.

Ky autor vë në pah se “ajo që stonon me sjelljen e politikës e pushtetit, nga presidenti, kryeministri, kryetarë partish etj., është fakti se kuturisen e dalin haptazi në anën e besimit fetar me ‘bekime’ e deklarata publike me referenca të plotfuqishmësh e citate fetare, sidomos në raste festash fetare që ngërthejnë ndjeshmëri në shoqëri”.

Unë mendoj se Artan Duka shpreh një shqetësim të drejtë dhe dua ta mbështes në ato që thotë duke u shtuar pikëpamjeve të tij një argument teorik, që ka të bëjë me raportet mes fesë, sekularizmit, arsyes dhe së mirë publike, si dhe duke e orientuar argumentin në tendencën e fesë për të ndërhyrë në politikë.

Në teorinë liberale, feja trajtohet—para së gjithash dhe kryesisht—si një rast për të argumentuar tolerancën dhe neutralitetin. Ky orientim ka të bëjë, së pari, me vlerësimin e fesë si një çështje që është esencialisht private dhe, së dyti, me pikëpamjen se feja është, në një farë kuptimi, një “survival” prej një epoke të kaluar dhe jo një fushë që zgjerohet brenda modernitetit.

Si reagim ndaj faktit që, në shoqëritë kapitaliste demokratike të avancuara, feja nuk ka pushuar së qenuri një faktor në sferën politike, teoricienët liberalë kanë qenë e janë të detyruar që t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë çështjet e identiteteve e të praktikave fetare si çështje që nuk mund të injorohen.

Mbështetur në pikëpamjet që Jürgen Habermas ka formuluar dhe argumentuar në shumë prej shkrimeve të tij gjatë këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit, dëshiroj të ndalem shkurtimisht vetëm në një aspekt, që ka të bëjë me marrëdhënien mes fesë, nga njëra anë, dhe arsyes e të mirës publike, nga ana tjetër.

Përpos termave shoqëri “postindustriale”, “postmoderne”, “postnacionale” etj., ka kohë që filozofë dhe sociologë të ndryshëm flasin edhe për një shoqëri, ose për një epokë “postsekulariste”, term ky që e gjejmë të përdorur për herë të parë nga Habermas. Se çfarë kuptohet me “postsekularizëm” është një çështje, e cila debatohet gjerësisht.

Disa autorë mendojnë se prefiksi “post” është, në këtë rast, i pasaktë. Të tjerë janë të mendimit se, ashtu sikurse koncepti “postmodern” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj modernitetit, edhe koncepti “postsekularist” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj fesë dhe sekularizmit.

Kësaj çështjeje mund t’i qasemi historikisht dhe filozofikisht, duke vënë në dukje rolin që ka luajtur feja, si dhe lëvizjet e herëpashershme për rivitalizimin e saj, gjatë periudhës moderne.

Habermas e kritikon mënyrën se si feja, me pikëpamjet, pozicionin dhe praktikat e saj joliberale, ndërhyn në politikën bashkëkohore por, në të njëjtën kohë, ai nuk mohon se, në një formë më pozitive, feja mund të luajë dhe luan një rol të rëndësishëm në lëvizjen për paqe, për të drejta civile e njerëzore dhe për mundësi të barabarta zhvillimi.

Sipas tij, Reformacioni protestant nuk ka qenë hera e fundit që feja ka pasur rëndësi në jetën e popujve europianë dhe të popujve të tjerë. Habermas përmend lëvizjet kundër skllavërisë në Shtetet e Bashkuara dhe influencën që fetë e vogla protestante kanë pasur në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të, përfshirë edhe ato që u frymëzuan nga pikëpamje demokratike. Ai, gjithashtu, tërheq vëmendjen në rolin që ka luajtur spiritualizmi (edhe pse jashtë ortodoksisë religjioze) dhe marrëdhëniet e tij me Romanticizmin, Socializmin utopik dhe Humanizmin.

Nuk mund të mohohet, po ashtu, rëndësia që kanë pasur motivet dhe praktikat organizative fetare në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekullit të 20-të, si në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe në vende ose në rajone të tjera të botës. Në këtë vështrim, mund të thuhet se historia e sekularizimit të shoqërisë moderne ka qenë dhe është jo vetëm historia e rënies së rolit të fesë, por edhe një histori e rritjes së angazhimeve të saj në projektet transformuese të kësaj jete tokësore.

Ajo që përbën thelbin e pikëpamjes habermasiane ka të bëjë, nga njëra anë, me mundësinë që progresi, lirija dhe emancipimi të konceptohen qartë në terma thjesht sekularistë dhe, nga ana tjetër, me mundësinë që mes diskursit mbi besimin dhe arsyes publike (po kështu dhe së mirës publike) mund të bëhet—dhe të ruhet—një diferencim i qartë.

Habermas me të drejtë thekson se vetë idea mbi lirinë dhe emancipimin shoqëror ka lindur dhe është zhvilluar historikisht edhe në kuadër të diskursit fetar në Europë, dhe se, në një masë të caktuar, ky diskurs vazhdon t’i japë përmbajtje kësaj ideje. Theodor Adorno, Max Horkheimer, Herbert Marcuse dhe mendimtarë të tjerë të traditës së Shkollës së Frankfurtit e kanë pasuruar përmbajtjen e ideve të tyre filozofike—veçanërisht në periudhën e hershme të krijimtarisë së tyre—duke u mbështetur në traditën fetare, përfshirë edhe traditën hebraike, si edhe në traditën e teologjisë kristiane dhe në idealizmin gjerman.

Habermas duket se ka pasur një lidhje më shumë historike me Shkollën e Frankfurtit, bazuar në ndërdisiplinaritetin teorik të themeluesve të saj dhe jo specifikisht në zhvillimin intelektual të tyre, ai thekson se “mendimi postmetafizik” dhe arsyeja publike nuk duhen privuar nga resurset e një tradite (fetare), e cila nuk i ka shterur “substancën kognitive” dhe “potencialin semantik” që ajo mund t’i kontribuojë shoqërisë, përtej një komuniteti të caktuar besimtarësh.

Ky koncept habermasian merr rëndësi të veçantë në ditët tona, pasi jo vetëm që arsyeja publike fiton vlerë nëse integron edhe kontributet që mund të japë feja, por edhe sepse, për të pasur drejtësi politike, kërkohet që diskursi publik të njohë, të tolerojë dhe të lejojë përfshirjen në të të asaj pjese të qytetarëve që besojnë në fe. Këtë ide, që e gjej të shtjelluar edhe në shkrimin e Artan Dukës, unë e çmoj veçanërisht.

Habermas argumenton se: “Ndërsa qytetarët besimtarë mund të japin kontribute publike përmes gjuhës së tyre fetare, nëse kjo gjuhë përkthehet, qytetarët jobesimtarë duhet të hapin mendjet e tyre ndaj përmbajtjes së vërtetë të mundshme të atyre kontributeve, madje edhe të hyjnë në dialog, përmes të cilit, arsyet fetare mund të bëhen pjesë e argumenteve të aksesueshme për të gjithë”.

Edhe pse Habermas kërkon që feja dhe argumentet e saj të bëhen pjesë e diskursit publik, ai insiston në konceptin sekularist të shtetit. Sidoqoftë, argumenton ai, ndërsa toleranca zyrtare për forma të ndryshme të praktikës fetare dhe ndarja kushtetuese e kishës prej shtetit janë pozitive dhe të domosdoshme, këto, në vetvete, nuk janë garanci të mjaftueshme për të siguruar lirinë fetare për këdo.

Sipas tij: “Nuk mjafton të mbështetemi thjesht në vullnetin e mirë të një autoriteti të sekularizuar. Vetë palët në konflikt duhet të arrijnë të merren vesh në lidhje me marrëdhëniet mes një lirie pozitive, për të praktikuar cilëndo fe që dëshiron, dhe lirisë negative për të mos u ndikuar nga praktikat religjioze të të tjerëve. Në qoftë se duam që parimi i tolerancës të qëndrojë mbi çdo dyshim për represion, atëherë duhet të gjenden arsye bindëse rreth asaj se çfarë duhet toleruar dhe çfarë jo, arsye të cilat mund t’i pranojnë njëlloj të gjitha palët. Zgjidhje të drejta mund të gjenden vetëm nëse të gjitha palët mësohen të marrin në konsideratë edhe pikëpamjen e tjetrit. Dhe procedura që i përshtatet më së miri këtij qëllimi është mënyra e formimit të vullnetit demokratik përmes marrëveshjes”.

Një “kompleks polifonik zërash publikë” (Habermas) është kusht i domosdoshëm për krijimin e një sfere publike demokratike, e cila duhet të jetë gjithpërfshirëse, pra të mos përjashtojë askënd që beson, ose që nuk beson në ndonjë fe.

Brenda kësaj sfere publike, sidoqoftë, rëndësi esenciale merr parashtrimi dhe mbrojtja e argumenteve, pasi as arsyeja publike, dhe as e mira publike nuk mund të bëjnë përpara thjesht përmes tolerimit të pikëpamjeve të ndryshme, por përmes mirëkuptimit të ndërsjellë dhe formimit të vullnetit kolektiv.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.