“Fishekzjarret në mesnatë, shqetësim i madh”/ Balla: Kam marrë qindra mesazhe, udhëzimi i ri rregullon ndotjen akustike

Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi sot bashkë me koleget Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë

Nëntor 15, 2023 - 13:46
 0
“Fishekzjarret në mesnatë, shqetësim i madh”/ Balla: Kam marrë qindra mesazhe, udhëzimi i ri rregullon ndotjen akustike

Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi sot bashkë me koleget Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një “Udhëzim të Përbashkët” i cili rregullon në mënyrë ligjore çështjen e ndotjes akustike në vend.

 

Balla bëri me dije se ka marrë personalisht qindra mesazhe nga qytetarët që ankohen sidomos për fishekzjarrët e hedhura në mesin e natës, nga shtetas që festojnë ditëlindje apo raste të tjera familjare.

 

Balla theksoi se Tirana ka gati 1 milion banorë dhe me një përllogaritje të përafërt i bie të ketë mesatarisht 3000 persona me 1 ditëlindje dhe nëse të gjithë do të shkrepnin fishekzjarrë në mesin e natës, ndotja akustike do të ishte e paimagjinueshme.

 

Ministri nënvizoi gjithashtu se “Policia e Shtetit, bashkë me policitë bashkiake, si autoritete për zbatimin e këtij udhëzimi, do të ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës, përfshirë edhe këto të fishekzjarrëve.”

 

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Balla.

Duke i falënderuar të dyja koleget, Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Ministren e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, dua të informoj publikun se, kemi dakordësuar, të tre ministrat për të adresuar një shqetësim mbarëqytetar që lidhet me nivelin e zhurmës në mjediset e përbashkëta ku jetojmë.
Të gjitha këto janë çështje që vit pas viti janë munduar të adresohen nga të gjitha institucionet publike, por besoj se jemi dëshmitarë të faktit, së pari që Shqipëria ka përmbyllur një sezon turistik, tepër të suksesshëm me një shifër rekord turistësh dhe në fakt as unë dhe as Mirela nuk arritëm ta parashikonim dot, as në ëndrrën tonë më të bukur, që Shqipëria do ta mbyllte vitin 2023, besoj me mbi 10 milionë shtetas të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë. I referohem shifrës së pritshme deri në 31 dhjetor, ku gjëja kryesore është certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë si destinacion europian me bukuritë tona natyrore, me mikpritjen e pakonkurueshme dhe me sigurinë mbresëlënëse i cili ishte një lajmi tepër i mirë për të gjithë.
Por pavarësisht këtyre vlerësimeve pozitiv që lidhen me sezonin turistik dhe me aspekte të sigurisë publike, problematika e zhurmave në mjedis, përfshirë ato nga përdorimi pa kriter i llojeve të ndryshme të lëndëve piroteknike apo fishekzjarrët, mbetet një njollë e zezë, e cila kërkon një adresim të menjëhershëm nga ministritë tona sipas fushave të përgjegjësisë.
Zhurmat në mjedis, të çdo lloji qofshin, përpos faktit që përbëjnë një cenim të rendit dhe qetësisë publike, përbëjnë shqetësim për qytetarët, cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe imazhin e turizmit tonë në sytë e vizitorëve të huaj
Për këtë qëllim miratimi i një “udhëzimi të përbashkët” sot, është hap i rëndësishëm në plotësimin e kuadrit rregullator, pasi përcakton në mënyrë të qartë nivelin kufi të zhurmës për një mjedis të dhënë e për një fushë të caktuar të veprimtarisë ekonomike-shoqërore, në përputhje me standardet dhe vlerat udhëzuese të OBSH-së.
Në përputhje me këtë udhëzim që ne do të firmosim sot, por edhe në ushtrim të detyrave të saj funksionale, Policia e Shtetit është institucion përgjegjës për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë, dhe këtu përfshihet çdo lloj veprimtarie, që emetojnë zhurmë, nga muzika apo nga fishekzjarrët, por edhe nga burimet e tjera të zhurmave në mjedis, mbi nivelet e lejuara kufi.
Përmes këtij udhëzimi të përbashkët sot, ne përcaktojmë nivelet kufi të lejuara të zhurmës në mjedise të ndryshme, të brendshme apo të jashtme, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët dhe operatorët, që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo sociale.
E lidhur më këtë pikë, më lejoni të jem shumë i qartë dhe të theksoj, se duhet të përfundojë dhe të zbatohet në mënyrë të rreptë rregulli nga Policia e Shtetit. Praktika e hedhjes së fishekzjarrëve në orët e vona të natës nga persona të papërgjegjshëm, që festojnë festa private familjare, duke prishur gjumin dhe qetësinë e natës të një qyteti të tërë.
Policia e Shtetit, bashkë me policitë bashkiake, si autoritete për zbatimin e këtij udhëzimi, do të ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës, përfshirë edhe këto të fishekzjarrëve, por burim zhurme për të gjitha definicionet, dhe do të ndëshkojmë me gjobë këdo, qoftë operator privat ekonomik, qoftë institucion shtetëror nëse do të ndodhë, që shkel masat e mbrojtjes nga zhurma.
Krahas dënimit me gjobë, në varësi të dëmit që shkakton zhurma, mund të vendoset edhe mbyllja e përkohshme apo e përhershme e veprimtarisë ekonomike, sipas ligjit.
Dhe meqë jemi duke iu afruar sezonit të festave të fundvitit, për të shmangur incidente me pasoja për jetën e qytetarëve dhe të fëmijëve, në rrafshin organizativ, sa i përket fishekzjarrëve, i kam kërkuar dhe dua të bëj publik faktin që Policia e Shtetit, duhet të kryejë menjëherë inspektime të shtuara për identifikimin e rasteve të përdorimit të paligjshëm të artikujve piroteknikë nga qytetarët. Ligji është shumë i qartë, ligji ka përcaktuar një afat vetëm 15-ditor për tregtimin e pjesës më të madhe të fishekzjarrëve, të materialeve piroteknike, vetëm nga 15 dhjetori deri në 1 janar.
Dhe po ligji thotë që lejohet përdorimi i tyre nga data 27 dhjetor deri në 1 janar.
Dhe ligji tashmë feston 3-vjetorin e miratimit të vet dhe në këto 3 vite asgjë nuk është bërë për zbatimin e këtij ligji.
Gjithashtu Policia e Shtetit duhet të intensifikojë numrin e kontrolleve tek operatorët ekonomikë për verifikimin e kushteve të sigurisë gjatë tregtimit, por edhe të verifikimit të tregtimit jashtë periudhës së lejuar nga ligji.
Le të jenë këto festa fund-viti edhe fundi i historisë së një çmendurie kolektive, ku në një Tiranë me gati 1 milion banorë, në 365 ditë, i bie të paktën 3000 persona ta kenë ditëlindjen në të njëjtën ditë. Dhe imagjinoni sikur këta 3000 persona, secili prej tyre, në orën 12 të natës, të shkrepë fishekzjarrin përkatës dhe se çfarë zhurme ka Tirana që në fakt është një shqetësim.
Personalisht kam marrë me qindra mesazhe nga shumë qytetarë, në shumë raste dhe mendoj që ky udhëzim i iniciuar nga kolegia Kumbaro, ka qenë i shumë pritur por ne përfshijmë këtu pjesën e fishekzjarrëve sepse çështja ose propozimi i parë që ka ardhur ka qenë një udhëzim që lidhet me adresimin e një problematike, edhe kjo shumëvjeçare, për çështjen e zhurmave, për sipërmarrje të caktuara private në fushën e shërbimeve në mënyrë që ne t’i japim një zgjidhje dhe një rregullim në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Gjej rastin ta falënderoj kolegen Kumbaro, sepse ministria që ajo drejton është le të themi iniciuesi i këtij udhëzimi. Dhe bashkë me kolegen Koçiu e kemi mbështetur, natyrshëm kemi sjellë edhe propozimet e ministrive tona për të ardhur në një dokument që mendoj se do jetë një dokument i rëndësishëm për të hapur një faqe të re të zgjedhjes së problematikave të zhurmave në komunitetet ku jetojmë.
Faleminderit.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.