Frojdi si Kolombi

Nga studimi i Prof. Fatos Tarifës Erosi dhe Demokracia, që pritet të dalë së shpejti, me miratimin e autorit botojmë sot një fragment nga kapitulli i tij “Erosi dhe psikanaliza”. Nga Fatos Tarifa Studimi shkencor i seksualitetit mund të thuhet se zë fill në qarqet boheme të Vienës, si dhe në radhët e një grupi […]

Janar 22, 2024 - 19:14
 0
Frojdi si Kolombi

Nga studimi i Prof. Fatos Tarifës Erosi dhe Demokracia, që pritet të dalë së shpejti, me miratimin e autorit botojmë sot një fragment nga kapitulli i tij “Erosi dhe psikanaliza”.

Nga Fatos Tarifa

Studimi shkencor i seksualitetit mund të thuhet se zë fill në qarqet boheme të Vienës, si dhe në radhët e një grupi të vogël psikanalistësh të shquar austriakë. Ndër më të shquarit e tyre ishin Sigmund Freud, Otto Gross, Carl Jung dhe Wilhelm Reich. Në nivel idesh, këta psikanalistë nuk dallonin shumë prej njëri-tjetrit. Ata besonin se normat morale që rregullonin seksualitetin në atë kohë mbështesnin një sistem kulturor që krijonte shqetësime të mëdha—dhe kishte pasoja të rënda—si për individin, ashtu dhe për vetë shoqërinë dhe, për këtë arsye, një sistem i tillë normash duhej ndryshuar.

Psikanaliza si natyrë dhe kulturë

Psikanalizëa u krijua si një disiplinë empirike e aplikuar dhe si një kombinim i mjekësisë me letërsinë. Si e tillë, mund të thuhet se ajo ishte qysh nga fillimi—dhe mbeti—një hibrid i natyrës me kulturën, i biologjisë me shoqërinë, i shkencave natyrore me disiplinat humane dhe me shkencat shoqërore. Shumë studiues kanë venë në dukje pikërisht këtë aspekt të teorisë së Frojdit. Për ta, Frojdi ishte një “shkencëtar me një temperament artistik”.

Në vitin 1940, kritiku letrar amerikan Lionel Trilling vinte në dukje “cilësitë poetike” në teorinë e Frojdit, origjinën e së cilës ai e shihte në “realizmin tragjik klasik”. Në esenë e tij të njohur “Frojdi dhe letërsia”, ky autor pohonte se psikanaliza mund të konsiderohet si “kulmi i lëvizjes romantike të shekullit të 19-të në letërsi”, preokupimi dhe tiparet kryesore të së cilës ishin përkushtimi ndaj hulumtimit të vetvetes, si dhe njohja e së pandërgjegjshmes në mendjen e njeriut dhe e anëve të fshehta të sjelljes njerëzore. Trilling pohonte se, me teorinë e tij, Frojdi solli një “element racionalist antiromantik” në atë lëvizje kulturore, duke e parë qëllimin e psikanalizës në “kontrollin e impulseve të individit”.

Edhe pse Frojdi pohonte se “psikanalisti rrallë merret me kërkime estetike”, ai vetë u mor shume më  to, duke na lënë madje vepra shumë interesante, si studimi i tij psikanalitik mbi Da Vincin, bazuar në piktuarat e tij, një ese mbi Mikelanxhelon, si dhe një tjetër për Dostojevskin. “Pasioni i tij për artin”, shkruan Salley Vickers, “ishte po kaq i fuqishëm sa edhe preokupimi i tij për seksin, aq sa mund të thuhet se arti dhe seksi për të ishin e njëjta gjë”. Kur më 1926, në festimin e 70-vjetorit të tij, Frojdi u vlerësua si “zbuluesi i së pandërgjegjshmes”, ai vetë e korrigjoi folësin duke mos e pranuar atë meritë. “Poetët dhe filozofët e kanë zbuluar të pandërgjegjshmes para meje”, tha ai, “ajo çfarë unë zbulova është metoda për studimin e së pandërgjegjshmes”.

Frojdi ishte një mjeshtër i fjalës, një stilist i shkëlqyer dhe mjaft i vëmendshëm ndaj rrethanave dhe faktorëve shoqërorë e kulturorë që përcaktojnë personalitetin dhe sjelljen e individit. Vepra e tij është, në fakt, jo vetëm një traktat akademik në psikologji, por edhe një vepër letrare në kuptimin më real të fjalës. Kjo mund të jetë arsyeja që teoria e tij psikanalitike ka pasur një ndikim të madh në letërsi dhe në teorinë e estetikës, një ndikim ndoshta po aq të madh sa edhe ndikimi i vetë letërsisë në teorinë e tij.

Kjo marrëdhënie e ndërsjellë mes teorisë psikanalitike të Frojdit dhe letërsisë i ka dhënë veprës së tij mjaft gravitas, duke i bërë shumë prej ideve të tij—edhe nëse ato e kanë humbur sot rëndësinë e tyre—të duken si një rizbulim i të vërtetave të përjetshme të njerëzimit. Merrni, fjala vjen, Edipin e Sofokliut, apo Mbretin Lir dhe Hamletin e Shekspirit dhe do të shihni se si Frojdi mori idetë dhe psikologjitë e këtyre teksteve klasikë dhe i shndërroi ato në “shkencë”, ose u dha atyre një “licensë” shkencore për të vazhduar së ushtruari influencën e tyre në letërsinë dhe në kulturën e shekullit të 20-të dhe atë bashkëkohore. Teoria e Frojdit mbi kompleksin e Edipit, fjala vjen, të cilën ai e përpunoi mes viteve 1899-1910, u huazua nga D. H. Lawrence në romanin e tij Bij dhe dashnorë (Sons and Lovers), ndërsa Harold Bloom e shfryëzoi kompleksin e Edipit për të eksploruar rivalitetet poetike në librin e tij Ankthi i ndikimit (The Anxiety of Influence). Po kështu, teoritë e Frojdit mbi traumën dhe kënaqësinë zënë një vend qendror në romanin Znj. Dalloway të shkrimtares së njohur Virginia Woolf.

Instinktet dhe ndërgjegjja si elementë të personalitetit

Psikanaliza u krijua si një teori mbi personalitetin dhe, më gjerësisht, si një teori mbi funksionimin psikologjik të individit, që fokusohet veçanërisht në proceset mendore të pandërgjegjshme. Por ajo shërbeu qysh në fillim edhe si një metodë për studimin e funksioneve psikologjike dhe për trajtimin e një spektri të gjerë gjendjesh psikopatologjike, përfshirë edhe neurozat simptomatike (gjendjet depresive dhe ankthin, çrregullimet obsesive, frenimet seksuale dhe format perverse të seksualitetit (paraphilia), si dhe çrregullimet e personalitetit.

Para se të vijoj me analizën e pikëpamjeve të Freojdit mbi seksualitetin, mendoj se do të ishte e dobishme për lexuesin që të shpjegoja—thjesht dhe me pak fjalë—thelbin e teorisë së tij mbi strukturës e personalitetit, të moralit dhe të emocioneve, siç e gjejmë të shtjelluar gjerësisht në veprën e tij Ego dhe Id, botuar në vitin 1923.

Por, edhe këtu, më parë është me interes të vemë në dukje se Frojdi dallonte tre lloje instiktesh bazë te njeriu: instinktet seksualë (libido); instinktet agresivë (destruktivë), përfshirë urrejtjen, egërsinë dhe sadizmin dhe instiktet vetëmbrojtës. Ai identifikoi, gjithashtu, tre burime kryesorë vuajtjesh për njeriun: trupi ynë, bota jashtë nesh dhe marrëdhëniet tona me të tjerë, nga të cilat na duhet të mbrohemi.

Sipas Frojdit, personaliteti ose aparati psikik i çdo individi përbëhet nga tre elementë shumë të ndryshëm, por që bashkëveprojnë mes tyre: (i) Id (instiktet primordialë, të lindur te çdonjëri nga ne, sidomos instinkti seksual); (ii) Superego (ose ndërgjegjja, që formohet e udhëhiqet nga parime morale) dhe (iii) Ego (ose forca ndërmjetësuese mes instinkteve dhe kërkesave të shoqërisë që i shtypin ato dhe që përcaktohet nga realiteti). Çdo fëmijë, pra, lind me instikte që kanë të bëjnë me nevojat e tij më themelore (për ushqim, siguri, vëmendje, seks), të cilat, në mënyrë krejt të natyrshme—dhe gjatë gjithë jetës—ai priret që t’i përmbushë për të ndjerë kënaqësi.

Sipas Frojdit, nëse çdo fëmijë dhe çdo individ i rritur do të ndiqte instinktet e lindura dhe pasionet e tij të natyrshme për të marrë kënaqësi (çka ai e quan “parimi i kënaqësisë”), pa u penguar nga asgjë, bashkëjetesa e njerëzve në shoqëri do të ishte e pamundur. Që kjo të mos ndodhë, prindërit, familja dhe shoqëria, me moralin dhe institucionet e saj, bëhen pengesë për këto instinkte përmes asaj që Frojdi e quante Superego. Superego, e cila zhvillohet si një komponent moral i personalitetit dhe që, në fakt, përfaqëson normat dhe vlerat e shoqërisë, ose të një grupi shoqëror të caktuar, me të cilat ne të gjithë, si individë, socializohemi, provokon te ne ndjenjat e fajit ose të turpit sa herë që i thyejmë, ose tentojmë t’i shkelim rregullat shoqërore ose, në të kundërt, ndjenjat e krenarisë e të vetëkënaqësisë kur i ndjekim këto rregulla e norma dhe i zbatojmë ato.

Superego shërben, pra, si një forcë kundërshtuese ndaj prirjeve instinkteve të individit për kënaqësi por, nëse ajo, gjithashtu, nuk kontrollohet, individi ndihet i shtypur dhe e ka të pamundur ta jetojë jetën e vet. Për të evituar këtë shtypje shërben elementi i tretë i personalitetit, Ego, i cili kryen funksionin e një force balancuese mes instinkteve të lindura dhe kërkesave e normave morale frenuese të shoqërisë. Këtë, Frojdi e quante “parimi i realitetit”. Sipas tij, tek ata individë që janë emocionalisht të shëndetshëm, Ego ka si funksion—dhe arrin—që t’i balancojë kërkesat kontradiktore mes Id-së dhe Superegos, pra mes instinkteve të individit dhe ligjeve, rregullave, normave dhe zakoneve të shoqërisë. Në një prej eseve të tij, titulluar Përtej parimit të kënaqësisë, Frojdi argumentonte se “Parimi i kënaqësisë zëvendësohet nga parimi i realitetit. Ky parim i fundit nuk heq dorë nga qëllimi që, në fund të fundit, të arrihet kënaqësia, por ai, sidoqoftë, kërkon dhe ia del që ta vonojë arritjen e kënaqësisë, t’i braktisë një numur mundësish për të arritur kënaqësi, si dhe ta tolerojë përkohësisht pakënaqësinë, si një hap në rrugën e gjatë e të tërthortë drejt kënaqësisë”.

Libido dhe qytetërimi

Në esenë e tij të njohur  “Seksualiteti në etiologjinë e neurozave”, botuar në vitin 1898, Frojdi për herë të parë trajtoi gjerësisht çështjen e antagonizmit mes qytetërimit dhe jetës instinktive. Ai dalloi tri faza në historinë e seksualitetit përgjatë qytetërimeve të ndryshëm: (i) fazën kur instinktet seksuale shpreheshin lirisht; (ii) fazën kur instinktet seksuale ndrydheshin dhe kur seksi kryhej vetëm për qëllim riprodhues; dhe (iii) fazën kur riprodhimi u reduktua dhe u legjitimua vetëm kur ai realizohej në marrëdhënie monogame.

Duke e konsideruar libidon si forcën qendrore në jetën e individit, ose si “parimin e funksionimit të energjisë” së tij, Frojdi mbërriti në përfundimin se, përmes ndrydhjes dhe shtypjes së jetës seksuale me anë të moralitetit seksual “të qytetëruar”, që sundon në shoqërinë moderne, kultura ose qytetërimi ka luajtur dhe luan një rol shkatërrues në jetën e individit dhe të mbarë shoqërisë. Në këtë vepër, ai formuloi tezën e famshme se “Shkaqet më imediate dhe më të rëndësishme të çdo sëmundjeje neurotike gjenden në faktorë që kanë të bëjnë me jetën seksuale”.

Në mënyrën e vet, por nga një qasje kryesisht etike, Immanuel Kant kishte ardhur në një përfundim të ngjashëm rreth një shekull para se të shfaqej psikanaliza, kur vinte në dukje se “mungesa e seksit, në një vështrim afatatgjatë, mund ta bëjë një person neurotik”. Frojdi besonte se “në një vita sexualis normale asnjë neurozë nuk është e mundur”. Nisur nga ky gjykim, ai erdhi në përfundimin se “çdo trajtim psikanalitik është një përpjekje për çlirimin e dashurisë së shtypur”. Dhe, meqënëse neurozat e shkaktuara nga ndrydhja e seksualitetit janë kaq masive, Frojdi e quante “tërë njerëzimin pacientin e tij”.

Kjo tezë frojdiane jo vetëm ishte shokuese për establishmentin mjeksor, akademik dhe politik të asaj kohe, por shënonte edhe një paradigmë të re në shkencat sociale dhe në ato që quhen life sciences. Wilhelm Reich, një ndër pasuesit më të shquar të Frojdit, shprehej se gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur ndonjëherë në psikiatri ishte zbulimi i faktit se thelbi i neurozave është somantik dhe ka të bëjë me gjendjen statike të libidos. Sipas tij, “përmes teorisë së libidos, për të parën herë në historinë e shkencës psikologjia u lidh me shkencën natyrore”.

Tronditja që shkaktoi teoria e Frojdit ishte e madhe, siç ishte i menjëhershëm edhe efekti i saj. Në vitin 1905 Frojdi botoi vëllimin Tri ese në teorinë e seksualitetit, i cili, krahas veprave të tjera të tij Interpretimi i ëndrrave (1900), dhe Psikopatologjia e jetës së përdtishme (1901), konsiderohet si një ndër kontributet më origjinalë e më të rëndësishëm në historinë e njohjes njerëzore. Me këto vepra, si dhe me veprat e tjera kryesore të tij, Frojdi la gjurmën e vet në historinë kulturore e shkencore të shekullit të 20-të, aq sa Michael Roth, një ekspert i njohur i tij, është shprehur se, nëse shekulli i 20-të ishte “shekulli amerikan”, ai mund të konsiderohet, gjithashtu, edhe si “shekulli i psikanalizës” dhe i Sigmund Frojdit”.

Këtu dëshiroj të çel një parantezë për të shpjeguar rëndësinë që ka pasur vepra e Frojdit Interpretimi i ëndrrave në studimin e seksualitetit human. Me këtë vepër, për të parën herë në historinë e mendimit europian, Frojdi u përpoq që t’u jepte ëndrrave një shpjegim që lidhet me erotizmin. Duke argumentuar se ëndrrat janë shrehje e dëshirave më të fshehta e të parealizuara të njeriut, ai i shihte ato të lidhura me instinktet primare të tij, veçanërisht me libidon dhe, në këtë mënyrë, e lidhi interpretimin e tyre me erotizmin. Sipas tij, “Sa më shumë të interesohesh për shpjegimin e ëndrrave, aq më shumë priresh të pranosh se shumica e ëndrrave që shohin të rriturit kanë përmbajtje seksuale dhe u japin shprehje dëshirave erotike”.

Edhe pse në dekadat e fundit shumë shkencëtarë që janë marrë e merren me studimin e trurit i shpjegojnë ëndrrat si dukuri fiziologjike, pa ndonjë kuptim latent, ideja frojdiane se ëndrrat na sjellin pranë Unit tonë sekret, seksual, mbetet ende e rrënjosur thellë në kulturën perëndimore.

Në vitin 1908 Frojdi botoi esenë “Moraliteti seksual ‘i qytetëruar’ dhe sëmundja nervore moderne”. Në këtë ese, ai u fokusua në pasojat që ka pasur dhe ka represioni që ushtron shoqëria ndaj instinktive seksuale të anëtarëve të saj. Qëndrimi i tij ishte se shtypja e instinkteve natyrore të njeriut ka qenë dhe është e domosdoshme për të vendosur e ruajtur çdo rend shoqëror, për rritjen e produktivitetit dhe për progresin e shoqërisë. Për shkak se qytetërimi kushtëzohet e varet nga mohimi i kënaqësisë së plotë, instinktet e njeriut duhen kontrolluar dhe orientuar në aktivitete të tjera, ose në plotësimin e dëshirave joseksuale. Kjo nënkupton nënshtrimin ndaj asaj çka Frojdi, siç vumë në dukje më sipër, e quante “parim i realitetit”—shtyrjen, ose mohimin e realizimit të dëshirave e të kënaqësive seksuale

Represioni i shoqërisë riprodhohet në psikikën e anëtarëve të saj. Për hir të rritjes së produktivitetit, njerëzit mësohen t’i ndrydhin dëshirat e tyre për kënaqësi. Parimi i realitetit jo vetëm e shtyp parimin e kënaqësisë, por edhe i orienton dëshirat për kënaqësi drejt veprimtarive që janë të dobishme për rendin shoqëror sundues. Nevojat e papërmbushura sublimohen në sjellje produktive të kontrollueshme. Frojdi erdhi në përfundimin se qytetërimi është krijuar e zhvilluar mbi bazën e shtypjes së instinkteve të njeriut. Arritjet më të mëdha të qytetërimit tonë, argumentonte ai, si arritjet materiale, ashtu dhe ato ideale e shpirtërore, janë bërë të mundura për shkak se çdo individ ka pranuar të heqë dorë nga prirjet e tij instinktive, të natyrshme për agresion, dominim dhe hakmarrje. Në luftën për ekzistencë, në të cilën solidariteti mes anëtarëve të grupit ka qenë dukshëm një avantazh i madh, motivi kryesor ka qenë ndjenja e përkatësisë familjare, një ndjenjë, origjina e së cilës kanë qenë eksperiencat e hershme të dashurisë.

Hapat e parë që shënuan progresin e shoqërisë u sanksionuan nga feja, në atë mënyrë që çdo mohim i një kënaqësie vetjake nga njeriu konsiderohej si një sakrificë e tij ndaj Hyjnisë. E mira që rezultonte prej kësaj për komunitetin shpallej “e shenjtë”. Ai njeri që nuk hiqte dorë nga prirjet e tij natyrore për t’iu nënshtruar kufizimeve që impononte shoqëria, konsiderohej si kriminel, ose i jashtëligjshëm, nëse nuk kishte një pozitë të tillë në komunitet—ose një talent të jashtëzakonshëm—që të pranohej nga të gjithë, ç’ka do e bënte atë të venerohej si një hero, ose si një njeri i madh.

Me esenë e sipërpërmendur, Frojdi u bë ndër të parët që vuri në dukje se seksualiteti, në vetvete, nuk gjeneron ndonjë konflikt të brendshëm tek individi, por shpjegoi se konflikti lind vetëm për shkak të ndërveprimit me botën e jashtme, me shoqërinë dhe kulturën sunduese, normat dhe pritshmërisë e së cilës i ndrydhin dhe i shtypin instinktet seksuale, çka bëhet shkak për sëmundje neurotike.

Frojdi u përpoq të argumentojë se ky represion krijon një tension mes trupit të individit, që në mënyrë instinktive, të natyrshme, priret të plotësojë nevojat dhe dëshirat e tij, nga njëra anë, dhe kërkesave të shoqërisë, që përmes normave dhe institucioneve të saj synon që t’i pengojë ato, nga ana tjetër. Sipas tij, ata individë që nuk konformohen me kërkesat dhe rregullat që shoqëria imponon mbi ta shihen si kriminelë, ose si perversë seksualë; të tjerët pësojnë çrregullime neurotike.

Mbi këtë bazë, Frojdi mbërriti në përfundimin se represioni që ushtrojnë kultura dhe shoqëria mbi dëshirat seksuale të individit është shkaku i të gjitha neurozave dhe se morali seksual i qytetërimit të sotëm mbështetet pikërisht në shtypjen e instinkteve dhe në ndrydhjen e jetës seksuale të individit. Prej këtej rezulton se sjellja seksuale e një qenieje njerëzore shpesh përcakton mënyrën e të gjitha reagimeve të tij ndaj jetës.

Këtu Frojdi vinte në dukje dallimet me bazë gjinore mes neurozave për shkak të ndrydhjes së instinkteve seksuale dhe sjelljeve seksuale perverse. Ai theksonte se, instinkti seksual, me të gjithë impulset e tij përbërës, është shumë më i zhvilluar te njerëzit se sa te kafshët më të larta, ndërkohë që, te vetë njerëzit, për arsye biologjike, siç besonte ai gabimisht, dëshira seksuale është më e dobët te gratë se sa te burrat. Për këtë arsye, si dhe për shkak se gratë janë subjekt i kërkesave dhe standardeve moralë më rigorozë në familje e në shoqëri, Frojdi mendonte se neurozat i gjejmë më shpesh te gratë, ndërsa perversitetin kryesisht te burrat.

Frojdi e mbyllte esenë e tij me pyetjen: A ia vlen morali ynë seksual ‘i qytetëruar’ saktificat [neurozat] që ai imponon mbi ne? Vetë Frojdi, siç vë në dukje një prej studiuesve të tij, nuk mundi t’i jepte dot përgjigje kësaj pyetjeje pasi e kishte “të pamundur të gjente një balancë mes përfitimeve dhe humbjeve” të një morali të tillë.

Si mjek, Frojdi mendonte se nuk i përkiste atij që të propozonte reformimin e sistemit shoqëror ekzistues. Ai besonte se nuk është detyra e psikanalizës që ta shpëtojë botën por, sidoqoftë, duke evidentuar dhe argumentuar dëmin që shkakton moraliteti seksual i shoqërisë në shtimin e sëmundjeve nervore, ai vetë e konsideronte një reformim të tillë të shoqërisë si “të domosdoshëm” dhe e mbështeste atë.

Çlirimi i Erosit

Pothuajse gjatë gjithë shekullit të 20-të vepra e Frojdit ndikoi më shumë se çdo gjë tjetër në mënyrën se si njerëzit kanë menduar për seksualitetin. Ai, më shumë se kushdo tjetër para tij, ndryshoi perceptimin publik mbi seksualitetin. Në fakt, paradigma e re që ai krijoi bëri që njerëzit ta shohin seksin të lidhur ngushtë thuajse me çdo gjë tjetër në jetën e tyre. Duke i vendosur dëshirën seksuale dhe perversitetin seksual në një kontekst “shkencor”, Frojdi e çliroi seksualitetin nga konteksti përgjithësisht fetar që fokusohej në aspektin e tij si “degjenerim moral” dhe si sjellje kriminale. Psikanaliza e shndërroi seksin nga një subjekt anësor diskutimesh, në fokusin e një debati të gjerë shkencor e kulturor. Me pikëpamjet e tij, Frojdi u mundësoi njerëzve që të ndiheshin më mirë me seksualitetin e tyre dhe ta shihnin atë si të ndarë nga identiteti i tyre kryesor si qenie humane. Me fjalë të tjera, nëse përdor një shprehje metaforike të W. Bertram Wolfe, Frojdi ishte ai që “e gjeti seksin një jetim të braktisur në kasolle dhe e bëri atë një mysafir të nderuar në dhomën e miqve”.

Edhe pse Frojdi e shihte qëllimin e psikanalizës në çlirimin e seksualitetit human, ai besonte se seksualiteti nuk duhet lënë absolutisht i lirë, jashtë çdo kufizimi. Përkundrazi, sipas tij, seksualiteti duhet vënë nën një lloj të ri kontrolli racional, ngaqë asnjë qenie njerëzore nuk duhet të dominohet nga impulset e veta seksuale.

Vetë Frojdi nuk arriti të japë asnjë provë shkencore për teorinë e tij mbi libidon, edhe pse ai besonte se, herët ose vonë, kjo teori do të provohej e vërtetë. Në vitet e fundit të jetës së tij, Frojdi kapitulloi, duke mos e zhvilluar më tej konceptin e libidos, pra të energjisë seksuale, koncept i cili, në fakt, përbën aspektin qendror e më të rëndësishëm të psikanalizës frojdiste. Ai nisi të besonte se individi njerëzor drejtohet nga dy forca instinktive të kundërta: forca jetësore, të cilën ai e barazonte me instinktin seksual (Eros) dhe instinkti i vdekjes (Thanatos). Sipas tij, “eros”, si një forcë e fuqishme, e nxit substancën jetësore përtej gjendjes së ekuilibrit të vet, krijon tension dhe turbullim. Pas kësaj force instinktive vepron një instinkt tjetër, “shumë më i rëndësishëm”, instinkti i vdekjes, që shprehet në tendencën për ta reduktuar të gjallën në një substancë pa jetë, në asgjë, në Nirvana. Me këtë, shkruante Wilhelm Reich në mesin e viteve 1930, “Frojdi u ngrit kundër Frojdit”, pasi “Frojdi i periudhës viktoriane kundërshtoi Frojdin që zbuloi seksualitetin foshnjor”.

Sipas këtij koncepti, jeta nuk është gjë tjetër veçse një prishje e heshtjes së përjetshme, e asgjësë. Edhe pse vetë instinkti i vdekjes nuk mund të perceptohet, sipas Frojdit, shfaqjet e tij janë shumë të dukshme dhe, prandaj, nuk mund të nënvleftësohen. Njerëzit vazhdimisht shprehin tendenca vetshkatërruese dhe janë këto tendenca ato që shpjegojnë, fjala vjen, ndjenjën e pavetëdijshme të fajit, të cilën e konsiderojmë si një nevojë për ndëshkim.

Wilhelm Reich, i cili ka qenë pa dyshim nxënësi më i shquar i Frojdit, ka shkruar për të se “Frojdi ishte një njeri i madh, një njeri shumë i madh; Frojdi ishte si Kolombi, që zbarkoi në një breg dhe zbuloi një kontinent të tërë”.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.