Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Prokuroria në Hagë: Do hetojmë të gjithë ata që frikësojnë dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë tha se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”. Reagimi i kësaj zyre vjen pasi trupi gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri […]

Dhjetor 4, 2023 - 12:34
 0
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Prokuroria në Hagë: Do hetojmë të gjithë ata që frikësojnë dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë tha se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Reagimi i kësaj zyre vjen pasi trupi gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ka miratuar masat, e kërkuara nga prokuroria, që kufizojnë komunikimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Kufizimi, sipas prokurorisë, erdhi si përgjigje për “kërcënimet ndaj integritetit të procesit”.

“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët”, deklaroi ZPS përmes një komunikate për media.

Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara “për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”.

Kërkesën për kufizim të komunikimeve, prokurorja e specializuar e kishte drejtuar javë më parë, ndërsa trupi gjykues kishte marrë vendim të përkohshëm më 17 nëntor të këtij viti.

Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues ka publikuar vendimin e fundit më 1 dhjetor.

Çka vendosi trupi gjykues?
Trupi gjykues, në krye me Charles Smith, vendosi më 1 dhjetor 2023 se vizitat jo të privilegjuara personalisht për tre të akuzuarit do t’i nënshtrohen miratimit paraprak nga regjistruesi.

Trupi gjykues vendosi se “aty ku është e nevojshme, Sekretari duhet të konsultohet me ZPS-në për të përcaktuar nëse ka indikacione se një individ i caktuar ka kryer ose mund të angazhohet në sjellje të papajtueshme me kërkesën e tij/saj për një vizitë jo të privilegjuar te një prej të akuzuarve”.

Në vendim thuhet se të akuzuarit mund të kundërshtojnë para Panelit vendimin për të refuzuar një vizitë, brenda shtatë ditësh nga njoftimi për refuzim.

“Paneli urdhëron që Zyra e Regjistrimit të sigurojë që: (i) Tre të akuzuari nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë (me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët/partnerët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht por pa praninë e ndonjë vizitori tjetër); (ii) zona e vizitës do të jetë pa muzikë ose zhurma të tjera të larta që mund të dëmtojnë komunikimin e dëgjimit; (iii) i vetmi i paraburgosur me të cilin një vizitor bie në kontakt është i paraburgosuri me të cilin ai [vizitori] është autorizuar për ta vizituar; të paraburgosurit nuk duhet t’i bashkohen vizitave të të paraburgosurve të tjerë; (iv) të paraburgosurit nuk duhet të kenë një vizitor personal jo të privilegjuar në të njëjtën kohë me një të paraburgosur tjetër ose brenda një afërsie të tillë kohore që vizitorët mund të kenë mundësi të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ose me të paraburgosurit e tjerë”, thuhet në vendim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjithashtu, mori vendim që të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe të njëjtit nuk lejohen të komunikojnë fshehtë përmes pëshpëritjes apo gjuhës së koduar.

Veprime të tilla nga të akuzuarit do të shkaktonin ndërprerjen e parkohshme të vizitës.

Trupi gjykues ka theksuar se vetëm avokatët apo bashkë-avokatët e të akuzuarve kanë të drejtë për vizita të privilegjuara. Ndërkaq vizitat nga anëtarë të tjerë të ekipit mbrojtës, ku nuk shoqërohen nga avokati apo bashkë-avokati, nuk janë të privilegjuara dhe i nënshtrohen kufizimeve, përfshirë miratimin e regjistrit.

“Masat shtesë të kërkuara nga ZPS në lidhje me kufizimet në vizitat me anëtarët e ekipit mbrojtës janë në disproporcion me rrezikun e përfshirë. Paneli nuk ka para vetes informata që do të justifikonin masat e tilla. Paneli thekson, për më tepër, se masat e tilla, nëse jepen, mund të kenë efekt të dëmshëm në aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur. Prandaj, Paneli refuzon të miratojë në këtë fazë masat e tjera të kërkuara nga ZPS në lidhje me vizita nga anëtarët e ekipit të mbrojtjes”, thuhet në vendim.

Forcat e Policisë së Kosovës në mesin e tymit gjatë protestës së Partisë Socialdemokrate kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, të mërkurën në Prishtinë, 29 nëntor 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe deri tani kanë dëshmuar 37 dëshmitarë të prokurorisë, ndërsa në total, ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ,ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për çka deri tani janë shpallur dy vendime fajësie.

Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit. ZPS-ja ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh.

Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.

Në aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së nuk përfshihen akuzat për trafikim organesh./REL

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.