Harta e re gjyqësore thelloi ngërçin; Gjykatat të “përmbytura” nga dosjet

Harta e re gjyqësore që hyri në fuqi në shkurt të këtij viti ka thelluar edhe më shumë kolapsin e shkaktuar nga mbingarkesa

Nëntor 6, 2023 - 12:15
 0
Harta e re gjyqësore thelloi ngërçin; Gjykatat të “përmbytura” nga dosjet

Harta e re gjyqësore që hyri në fuqi në shkurt të këtij viti ka thelluar edhe më shumë kolapsin e shkaktuar nga mbingarkesa e dosjeve.

 

Nëntë muaj pasi 6 gjykatat e shkallës së dytë në Shqipëri u shkrinë në një të vetme në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë. Kjo ka bërë që numri i çështjeve të rritet edhe më shumë.

 

LERTIDA BALILI


KANCELARE, APELI I PËRGJITHSHËM


Në datën 1 shkurt 2023 në total ishin 33 mijë çështje gjyqësore, civile dhe penale, të cilat ishin të mbartura nga gjykatat e 6 apeleve. Aktualisht janë në total 37 mijë çështje gjyqësore, civile dhe penale. Nga data 1 shkurt kanë ardhur gjithsej 10 mijë e 332 çështje gjyqësore.

 

Megjithatë, kryetarja e qeverisë së gjyqësorit, Naureda Llagami ka një tjetër këndvështrim për hartën e re. Ajo thotë se ishte nevojë urgjente për të zgjidhur ngërçin pas largimit të një numri të madh magjistratësh nga vetingu.

 

NAUREDA LLAGAMI


KRYETARE E KLGJ


Ajo që është konkrete është funksionimi i hartës së re gjyqësore, që po tregon dita-ditës se ka qenë një domosdoshmëri. Me emërimin e magjistratëve të rinj, ajo që po garantohet është që po plotësohen organikat e gjykatave.

 

Për të ulur mbingarkesën Llagami sqaron se fundi i këtij viti do t’i gjejë gjykatat me një strategji të re.

 

NAUREDA LLAGAMI


KRYETARE E KLGJ


Ndërhyrje që mund të jenë në karateri administrativ, standardizim vendimesh, por do shkojmë deri në ndërhyrje me propozime edhe ligjore. Kjo është një pjesë që po analizohet nga grupi i punës, i cili ka filluar mandatimin e tij që në korrik të këtij viti, fill pasi mbaroi harta e re gjyqësore dhe tashmë kemi lënë një afat që do të jetë deri në fund të viti, dhjetori i këtij viti.

 

Ndërsa kancelaria nga ana tjetër shton se Apelit i mungojnë 56 gjyqtarë, e ndërsa ata që kanë mbetur shqyrtojnë edhe çështje të 6 vjetëve më parë.

 

LERTIDA BALILI


KANCELARE, APELI I PËRGJITHSHËM


Është një punë voluminoze, një gjyqtar civilist ka rreth 2 mijë çështje civile, si ngarkesë të cilat datojnë që nga viti 2017 e në vijim, përpos u shtohen çështjet me karakter të ngutshëm dhe duhet të shqyrtohen brenda afatit të caktuar ligjor.  Nga data 1 shkurt janë gjykuar 5613 çështje gjyqësore. Aktualisht janë 22 gjyqtarë pasi 2 prej tyre u emëruan në Gjykatën e Lartë.

 

Sot gjykatat në Shqipëri po punojnë me gjysmën e kapacitetit të nevojshëm. Nga 408 gjyqtarë që i duhen sistemit gjyqësor, vetëm 212 po e ushtrojnë detyrën e magjistratit, pasi pjesa tjetër ngeli në veting.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.