Hekurudha Vorë – Hani i Hotit, 6 kompani kalojnë fazën e parë për projektin
Gjashtë kompani kanë arritur të kalojnë fazën e parë të procedurës së prokurimit që lidhet me përgatitjen e projektit, rishikimin e Dizajnit, Mbështetjen e Prokurimit dhe Monitorimin për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit. Në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Hekurudha Shqiptare publikoi edhe emrat kompanive që do të vijojnë në fazën e […]
Gjashtë kompani kanë arritur të kalojnë fazën e parë të procedurës së prokurimit që lidhet me përgatitjen e projektit, rishikimin e Dizajnit, Mbështetjen e Prokurimit dhe Monitorimin për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit.
Në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Hekurudha Shqiptare publikoi edhe emrat kompanive që do të vijojnë në fazën e dytë të procedurës.
Bëhet fjalë për :
-ALTINOK – RITES Joint Venture. Turqi
-COwI A/S. Danimarkë
-IRD Engineering S.r.l. Itali
-Italferr S.p.A. Itali
-NET Engineering / IDOM CONSULTING ENGINEERING ARCHITECTURE SAU. Itali
-SALFO AND ASSOCIATES S.A. – HILL INTERNATIONAL S.A. – SYSTEMA CONSULTING S.A. Greqi
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është një nga linjat për të cilën ka pasur vëmendje të shtuar pas punës së nisur për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe pjesës së re në Rinas.
Vlera totale e projektit është 356 milionë euro. Ajo do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku Shqipërisa ka kërkuar hua.
Të paktën 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, 100 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.
Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.
Hekurudha Vorë-Hani Hotit përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri.
Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140).
Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.
Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm.
/a.r
What's Your Reaction?