Himara, ‘greku’ nga Progonati dhe disa pyetje që duan dhe presin përgjigje

Prof.Dr. Irakli Koçollari Nuk ishte as e para dhe as e papritur shfaqja dhe demonstrimi i një tufe anonimësh që vijnë nga jashtë apo e disa kokrrave që vijnë vërdallë këtu brenda, kësaj radhe me pretendimin ogurzi, antiligjor, dhe gati gati racist, se mbrojnë një qytetar “grek” të arrestuar nga drejtësia shqiptare, një individ të […]

Gusht 28, 2023 - 18:44
 0
Himara, ‘greku’ nga Progonati dhe disa pyetje që duan dhe presin përgjigje

Prof.Dr. Irakli Koçollari

Nuk ishte as e para dhe as e papritur shfaqja dhe demonstrimi i një tufe anonimësh që vijnë nga jashtë apo e disa kokrrave që vijnë vërdallë këtu brenda, kësaj radhe me pretendimin ogurzi, antiligjor, dhe gati gati racist, se mbrojnë një qytetar “grek” të arrestuar nga drejtësia shqiptare, një individ të përfolur jo pak dhe të dyshuar për një apo disa vepra penale tepër të rënda, që cënojnë sovranitetin e shenjtë të një vendi dhe jetën e njeriut!

Në fakt demonstrimi i 50 apo 60 vetëve në sheshin e Himarës më datë 14 Gusht 2023 pothuaj nuk kishte të bënte aspak me mbrojtjen e “të drejtave të njeriut”, as me “mbrojtjen e zgjedhjeve të lira”, as “votës të lirë”, as me mbrojtjen e vetë “Bejlerit” dhe aq më pak të vlerave dhe parimeve të shenjta të demokracisë.

Përkundrazi, i tërë ai tubim-kë nuk ishte asgjë më shumë sesa një demonstrim i hapur, një dalje prej strofullës ku qëndrojnë gjysmë të fshehur qarqet shoviniste antishqiptare greke, apo elementë ekstremistë antishqiptarë, në emër të ideve të shfrenuara ultranaconaliste dhe antidemokratike të “megaloidhesë” dhe pretendimeve të hapura territoriale mbi të ashtuquajturin “vorio epir”, që këto rrethe kanë pasur dhe kanë ndaj tokës së një vendi Sovran, demokratik, paqësor siç ëshë fqinji i tyre, Shqipëria.

Mu në mes të sheshit këta demonstrues vendosën një pankartë të madhe ku shkruhej “Vorio Ipiro gji eleniqi” – “Vorio Epiri është tokë greke”. Ja! Ky ishte thelbi i së vërtetës i këtij demonstrimi! Kjo ishte përmbajtja e hapur e lexueshme e asaj çfarë pretendonin këta demostrues, apo rrethet që qëndrojnë pas tyre!

I pandehuri, i arrestuari ishte vetëm preteksi, sepse pretendimi i vërtetë i demonstrimit të qarqeve shovene gjeti rastin për të rithënë, për të rideklamuar hapur këtë ëndërr permanente mesjetare, bizantine (sepse ne vitet e revolucionit për pavarësinë e Greqisë pati ndër ata syresh që kërkonin të ringrinin një Greqi territorialisht sa Bizanti i dikurshëm !!!)

Nëse nuk do të ishte kështu, demostruesit në atë tubim, “të shqetësuar për shkeljen e të drejtave të njeriut apo veprime të paligjshme të drejtësisë shqiptare”, duhet të qëndronin, të ndalonin këtu dhe të reagonin ndaj këtij demonstrimi të hapur shoven, luftënxitës dhe të papranueshëm, për qytetarin e thjeshtë të formatit europian, aq më tepër për Kryetarët e Bashkive të një vendi demokratik, të një vendi anëtar i BE-së, sikundër është Greqia fqinje.

Këto thirrje të hapura shoviniste, madje të shkruara dhe të vendosura në sytë e tyre, në mejdanin e Himarës i panë të gjithë ata, por fatkeqësisht, askush nga demonstruesit në atë plate të vogël nuk reagoi ndaj atij akti të shëmtuar, të paligjshëm dhe të dënueshëm jo vetëm nga legjislacioni shqiptar, por edhe nga gjithë legjislacionet e vendeve demokratike europiane.

TË TJERA DEKLARATA
SHOVINISTE ANTISHQIPTARE

Sigurisht ajo pankartë, ajo shpallje publike ishte një akt i paramenduar, ishte dhe është thelbi i lëvizjeve që buron nga platforma që kanë rrethet radikale antishqiptare në Greqi!

Këto ditë, banorët e Himarës më treguan për një tjetër deklaratë publike, të bërë nga njeriu, tanimë i arrestuar nga drejtësia shqiptare, Beleri, e cila as më shumë dhe as më pak është simetrike me pankartën e vendosur në sheshin e Himarës, për të cilën flasim më sipër.

Këta qytetarë më treguan se kur një nga të pranishmit në një takim me Bejlerin e kishte pyetur: “Po si mund të jesh grek ti, kur ti dhe të parët e tu janë me origjinë nga Progonati i Labërisë?! Nën një format të hapur shovinist Bejleri ishte përgjigjur: “Po edhe Progonati grek është!”

Pra, në mënyrë publike, ky njeri kishte deklaruar po atë që pretendojnë rrethet shoviniste, antishqiptare greke, se – “jugu i Shqipërisë (“vorio epiri”) është grek”. Një konfirmim i pretendimeve që shkruhet në platformat e MAVI-t, “Agimit të Artë”, në platformat apo programet e “komiteteve”, “sillogjeve” shovene antishqiptare në Greqi.

KOMBËSIA DHE SHTETËSIA

Sigurisht, nuk ia vlen të sqarosh, një njeri që vetëshpallet grek sipas qejfit të tij, sepse në fakt ai nuk e ka formatin për të kuptuar çështje të së Drejtës Ndërkombëtare, aq më pak ato shkencore historike, por në respekt të lexuesit duhet të sqarojmë se

– Të kesh kombësi shqiptare apo greke, franceze apo kineze, marokene apo turke, nuk mjafton vetëm dëshira personale e individit. Identiteti nacional nuk është vetëm çështje, sikundër mund të pretendohet nga disa naivë, se “lidhet me sentimentet apo dëshirat personale të tij”! Pra, nëse ai ndjehet grek, apo nëse ndjehet shqiptar, etj., ai automatikisht merr kombësinë e vendit që adhuron apo krijesë e të cilit ndihet.

Vetëm ky pretendim është i pa pranueshëm për standartet ligjore ndërkombëtare pasi, individë të caktuar për interesa apo përfitime të ndryshme, politike, ekonomike, ligjore, etj., lehtësisht mund të pretendojnë se “ndjehen francezë, anglezë, gjermanë” etj., dhe mund të ndodhë që kur mbarojnë këto interesa të deklarohen se tanimë “ndjehen kinezë, amerikanë, meksikanë, kanadezë, etj”.

Jo! Normat e të Drejtës Ndërkombëtare përcaktojnë edhe një sërë kriteresh të tjera racionale në identifikimin e kombësisë së një individi. Ajo, kombësia, nuk varet dhe nuk fitohet nga dëshira e individit, as nga përkatësia fetare, apo nga vendi në çastin e lindjes së fëmijës etj., por nga faktorë të tjerë të qëndrueshëm, specifikisht të identifikueshëm, të njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht, sikundër vendi dhe origjina e prindërve, lidhjet e herëshme dhe të qëndryeshme me atë vend, me popullsi të identifikuar si një tërësi etnike e dalluar dhe e njohur historikisht me tipare, gjuhë, tradita, territor, zakone, të veçanta, etj.

Kështu, Bejleri mund të deklarojë dhe të shpallet ku të dojë se është grek, por kjo nuk varet nga ai, por nga një sërë kushtesh ligjore të parcaktuara ndërkombëtarisht, si më sipër.
Ndryshe nga kombësia që individi lind me një të tillë dhe nuk mund të ndryshojë atë, shtetësia përcaktohet apo ndryshon. Ajo është kompetencë e brendshme e cdo shteti dhe mënyrat e fitimit të saj janë dy:
– fitimi i shtetësisë me anë të lindjes,
– fitimi i shtetësisë me anë të natyralizimit.

Tek e para, disa shtete i referohen parimi të gjakut – dmth, fëmija i lindur nga dy prindër të një shtetësie të caktuar, pavarësisht nga vendi ku lind ai merr shtetësinë e prindit. Ka të tjera shtete që zbatojnë parimin e truallit, dmth fëmija merr shtetësinë e vendit ku lind, pavarësisht nga shtetësia e prindërve, etj.

I parashtrojmë kriteret e mësipërme ligjore rreth kombësisë dhe shtetësisë për t’i thënë kujtdo, Belerit apo shokëve të Belerit, se ata jo vetëm që nuk mund ta përcaktojnë kombësinë e tyre, si u do qejfi apo interesi i tyre, por aq më pak nuk mund të ndryshojnë dot kombësitë dhe identitetin kombëtar të fshatrave dhe të krahinave të tëra shqiptare, Progonatit, Labërisë, Elbasanit e më gjerë.

HISTORIA E NJË VENDI DHE POPULLI
NUK MUND TË DEFORMOHET
ME ZHVARRIME DHE KOCKA TË VDEKURISH

Sigurisht, duke mos qënë e lehtë kjo ndërmarrje fallsifikimi apo deformimi i të vërtetave historike, ky takëm ultranancionalistësh grekë, që prej kohësh ëndërrojnë e punojnë, bashkë me ta edhe një takëm hierarkësh fetarë ultranacionalistë, në mënyrë groteske dhe qesharake tentuan para pak kohësh, sikundër është e njohur, hapën varre, nxorrën kocka pleqsh e fëmijësh në varrezat e Kosinës për t’i futur në memoriale të ngritura, jo pa qëllim atje ku janë, për të deformuar apo tjetërsuar të vërtetat historike.

Por, historia nuk mund të bëhet e as të zhbëhet sa herë duan sharlatanë e pseudo historianë, aq më pak analfabetë mehitë, që u ka mbetur ora shekuj pas.
Historia është bërë në kohë të caktuara, nga popuj të caktuar, në vende të caktuara, në marrëdhënie të caktuara humane, ekonomike, politike, këmbimesh, aleancash apo luftrash, ajo është gdhendur në epigrafi, në memuarët e popujve, në dokumentacionin e kohëve, në zakonet, gjuhën, ritet e dasmave, të varrimit, traditat e tyre, në jetën dhe mbjetesën e tyre, ndërsa krijoheshin etnotipet, që tanimë shkencat antropologjike mund të shkojnë në origjinën e tyre edhe mijëra vjet të shkuara.

Kështu është shkruar e gdhendur edhe identieti nacional i shqiptarve në shekuj, autoktonia e tyre në këto anë dhe trojet e veta, për fatin tonë ndër më të vjetrit në këtë kontinet që thirret Europë.

Por, sigurisht, ky takëm sharlatanësh shovinistë e ultranacionalistë as ka lexuar dhe as njeh këtë histori, së pari vetë autorët dhe historianët e lashtë helenë, shkrimet e historianëve romakë, ata bizantinë, testamentet dhe kronikat mesjetare, regjistrat kadastralë osmanë, studimet dhe konkluzionet shkencore të institucioneve prestigjoze europiane e më gjerë, rezultatet e kërkimeve arkeologjike, të studimeve genetike, etj., të cilat me kohë kanë konfirmuar dhe gjithëpranuar tanimë autoktoninë dhe vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare në këto anë.

POLITIKAT TRADICIONALE
NACIONALISTE GREKE

Natyrisht, këto shfaqje publike të shovinizmit antishqiptar grek, nuk janë rastësore. Ato janë të lidhura me një klimë të caktuar, e cila prej shumë kohësh është gatuar në Greqi ndaj fqinjit të saj verior, përherë paqësor dhe miqësidashës, Shqipërisë.

Duhet të kujtojmë se, ndër vite në Greqinë fqinje kanë ekzistuar dhe ekzistojnë të ashtuquajturit “komitete” apo “sillogje vorio epirote”, e thënë në shqip “Organizata të epirit verior”, të cilat kanë në programin e tyre pretendime të hapura territoriale ndaj Shqipërisë. Prej vitesh ato kanë organizuar protesta dhe bërë demonstrime, jo rrallë violente, botuar dhe përhapur harta, ku kufijtë e Greqisë i shtyjnë në tokat shqiptare gjer në Shkumbin, ku bëhen thirrje të hapura për ndërhyrje ushtarake në këto anë, etj.

Dhe duket qartë se pretendimet e këtyre qarqeve nuk qëndrojnë vetëm në programet e organizatave, por ato shkojnë më tej, prapa, në strukturat që miratojnë krijimin dhe funksionimin e tyre. Herë të ngarkuara, të yshtura dhe të lëshuara nëpër sheshe, me thirrje dhe pankarta, të nxitura nga sentimente nacional-shoviniste dhe herë në vagulli, këto rrethe dhe individë nuk kanë reshtur asnjëherë së vepruari… pa u hyrë gjëmb në këmbë.

Në mënyrë permanente, që pas Luftës së Dytë Botërore, sikurse na bëjnë me dije disa raporte dhe analiza të Departamentit të Shtetit dhe të Shërbimit Sekret amerikan të mesit të shekullit të kaluar, të cilat flasin për politikat që ka ndjekur politika greke ndaj fqinjit të saj verior Shqipërisë nënvizojnë: “…. Interesat greke në Shqipëri përqëndrohen në pretendimet ndaj Shqipërisë së Jugut (siç e thërrasin ata Epiri i Veriut), një territor të cilin Greqia e pushtoi nga 1912 deri më 1916 dhe që në mënyrë konstante e pretendon si një terren historik, etnik, strategjik dhe ekonomik.

… Si një zgjidhje ideale të kësaj çështjeje, grekët ndoshta shohin ndarjen e territoreve të Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Ata janë të shqetësuar nga një dominim i mundshëm mbi tërë territoret e këtij vendi prej Jugosllavisë apo Italisë dhe për këtë shkak ndoshta do të tentojnë të pushtojnë Epirin e Veriut, në rastin e ndonjë veprimi ushtarak në këtë zonë, sikundër mund të jetë një invasion ushtarak i ndërmarrë nga ana e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë.”

Madje një nga analistët e njohur të atyre shërbimeve, në fillimin e viteve ‘50 do të shkruante: “shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi gjykojnë se qeveria greke nuk është aq shumë sa duket antikomuniste, sesa antishqiptare në thelbin e saj”

Kur shikon këtë pasazh të asaj kohe, të gati 70 viteve më parë, dallon qartë se politikat e këtij vendi, Greqisë, anëtar i BE-së, vazhdojnë të lëvizin gati mbi të njëjtat binarë, me prirje dhe ëndrra shoviniste, që nuk kanë ndryshuar aspak. Ato nxjerrin kokë apo shfaqen përmes individëve të tipit Bejleri, organizatave shoviniste apo programeve partiakë të tipit të “Agimi i Art”.

Ato flakin maskat edhe tek ndonjë konsulleshë greke që merr guximin brenda territorit shqiptar t’u bëjë presion qytetarëve shqiptarë të deklarohen grekë, në këmbim të favoreve apo ndihmës shëndetësore!!! (këtu mungon edhe minimumi i dhimbjes humane!)

Duke ndjekur këto platforma që ruhen enden në sirtaret e politikës greke, shpesh janë bërë të njohura në shtypin grek dhe atë shqiptar ekzistenca e strofullave në institucione të ndryshme (apo krifa kondilia) që mbajnë dhe ofrojnë fonde monetare për të subvencionuar gazetarë, studiues, politikëbërës apo persona të veçantë në Shqipëri për të mbështetur politika të caktuara greke në fusha dhe lëmij të gazetarisë, shkencës, ekonomisë, arsimit, etj.

TRANZICIONI SHQIPTAR
DHE OFENSIVA
E RRETHEVE SHOVINISTE GREKE

Veprimtaria e strukturave dhe rretheve radikale shovene nga Greqia fqinje, u intesifikua veçmas pas viteve ’90 duke shfrytëzuar në mënyrë permanente krizën ekonomike dhe politike, mungesën e stabilitetit që përfshiu vendin tonë ato kohë. Botime të tëra më përmbajtje shoviniste dhe thirrje të hapura për pretendime territoriale, fletë volante, afishe dhe shkrime u shpërndanë në territorin shqiptar.

Shkrime murale duke ngjyrosur rrugë, bordura, mure dhe fasada të dukshme dhe të padukshme u ngjyrosën me thirrje për “Vorio Epirin” kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në qendrat dhe vendbanimet e bregdetit jugperëndimor të vendit tonë, Himarë e më gjerë, përcilleshin përmes valëve të një radioje “klandestine”, që transmetonte diku nga Korfuzi emisione të tëra, që bënin thirrje për shkëputjen e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre Greqisë, thirrje që nxisnin popullsinë për t’u ngritur në revolta për ndryshim kufijsh, etj.

Njerëz të dyshimtë, të ardhur nga vendi fqinj, emigrantë hallexhinj apo edhe shtetas të huaj me mjetet e tyre, në apo pranë këtyre zonave të Shqipërisë së Jugut, Himarë e gjetkë, sillnin materiale propagandistike të botuara në Greqi, me përmbajte shoviniste, që nxisnin urrjetjen nacionale, me thirrje e përmbajtje antishqiptare dhe antihistorike, tjetërsim kufijsh, etj.
Ata i shpërndanin ato sipas porosive të dhëna, herë ilegalisht dhe herë legalisht nëpër rrugë, i linin ato nëpër ambjente publike, në individë apo vende të caktuara….

Për fat të keq, menjëherë pas vitit ’90, për disa vite me radhë, një numër i madh i fshatrave të Bregut nuk shihnin asnjë stacion televiziv shqiptar, ndërsa një dyndje e tërë stacionesh televizivë të Greqisë fqinje mbushnin eterin e kanaleve në këtyre anëve. Mendoni për një çast se fëmijët që rriteshin në këto zona gjeografike të Shqipërisë me ato shtrëngesa ekonomike të njohura të kohës, do të duhej të rriteshin edhe me mungesat e ushqimit shpirtëror, të gjuhës amtare, të traditave morale, historike dhe psikologjike të atdheut amë.

KOMBËSIA DHE FEJA. ORTODOKSIA
DHE STATUSI LIGJOR I SAJ?

Pas viteve ’90 e në vazhdim, në disa fshatra dhe vendbanime me popullsi shqiptare të besimit ortodoks në jugun e vendit tonë, përfshi fshatrat e Himarës, u dërguan priftërinj grekë, të cilët liturgjitë fetare i kryenin në gjuhën greke, duke i shkuar kështu “de facto” pretendimit të rretheve shovene “se këto fshatra i takojnë minoritetit greqishtfolës, apo edhe më tej akoma helenizimit të tyre!

Dalldia e rretheve të caktuara radikale shovene, por mes tyre edhe klerikale greke, jo rrallë është përpjekur të njehsojë fenë me kombin dhe pretendojë se “kush është ortodoks është grek!!!”
Kombësia nuk ka të bëjë me përkatësinë fetare, sikundër pretendojnë në mënyrë qesharake këto rrethe.

Ortodoksë janë edhe rusët por atë nuk janë grekë por rusë! Ortodoksë janë edhe bullgarët, por atë nuk janë grekë por bullgarë! Ortodoksë janë edhe serbët por ata nuk janë grekë janë serbë, e kështu me radhë…Njeriu mund të ndryshojë fenë sa herë ai do të dëshironte, por kjo nuk i ndryshon atij aspak përkatësinë dhe identitetin nacional.

Mund të përmendim faktin se në Francën e sotme ka mbi 6 milion qytetarë francezë që janë konvertuar në budistë, por kjo nuk do të thotë aspak se ata u kthyen në kinezë! Përkatësia fetare mund të përzgjidhet apo braktiset nga vetë individi, por kjo nuk i ndryshon atij aspak përkatësinë kombëtare.

Respektimi i statusit të institucioneve të religjionit është një tjetër çështje që ka tërhequr vëmëndjen këto kohë. Lëvizjet jashtë këtij statusi nuk ka si të mos ndikojnë në vëmendjen e opinionit. Duket se të dala jështë këtij statusi janë edhe lëvizjet e heierarkut ortodoks Janullatos, që shkon dhe takon Belerin në burg, nëse janë të vërteta ato që shkruhen në shtypin grek.
Sigurisht, ky akt nuk është e ndaluar ligjërisht, por përderisa kjo çështje ligjore është përfshirë në vorbullat e politikës greke dhe prej saj e ka marrë këtë ngjyrim, feja duhej t’i qëndronte larg punëve të drejtësisë dhe të politikës.

Një akti i kundërt me statusin e religjionit, nuk do të ishte asgjë tjetër veçse do të tregonte se misioni i shenjtë i hyjnores është braktisur për të tjera synime…. E themi këtë pasi çdo qytetar shqiptar mund të pyeste: “A e ka ndërmarrë një hap të tillë hirësia e tij, Janullatos, me qytetarë të tjerë shqiptarë që kanë qënë në hetim apo vuajnë dënimet në burgjet shqiptare?”

PËRPJEKJE PËR TË
PENETRUAR NË MEDIA

Rrethe shovene nga Greqi fqinje prej kohësh janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të mund të manipulojnë, deformojnë apo mbulojnë disa të vërtetat historike të këtij vendi. Në një rast të tillë, individë të caktuar mbërritën gjer aty sa, për të mbuluar krimet dhe barbaritë e forcave dhe andartëve grekeë në Shqipërinë e Jugut, më 1914, mbi dëshminë monumentale të një lapidari që kujtonte këto akte, hoqën pllakën përkujtimore të fshatit Kodër-Tepelenë dhe vendosën në vend të saj një pllakë mermeri në tekstin e së cilës ishin hequr fjalët që identifikonin autorët e atij krimi makabër.

Vetëm mbas një shkrimi në shtypin shqiptar, djem patriotë të Tepelenës rivendosën një pllakë të re e cila risolli tekstin e plotë të ngjarjes që denononte forcat e ushtrisë dhe andartët grekë, të cilat patën therrur 217 burrat, pleqtë dhe fëmijët meshkuj të fshatit Kodër-Tepelenë.

Është për të ardhur keq që edhe ndonjë gazetar shqiptar nuk ka nguruar t’i bëjë reklamë, për gati një muaj dhe të intervistojë një prej krerëve të “Agimit të Artë”, i cili do të shpaloste pretendimet dhe thirrjet e tij ultrashoviniste e raciste me flamuj të mykur në sëndukë të ëndrave të “vorio epirit”, me kërcënime të hapura për ndryshim kufijsh me dhunë kundër vendit tonë, në kanalet televizivë shqiptarë…

Kujtojmë me këtë rast se pikërisht personazhi që ai intervistonte për ato platforma ekstremiste dhe thirrje luftënxitëse ultranacionaliste, jo vetëm partia e tij u nxuar jashtë ligjit por edhe ai vetë u dërgua nga drejtësia greke prapa hekurave ….

Edhe ndonjë gazetar tjetër, përmes emisioneve televizivë paraqiste si hero biblik një ultrashovinist dhe antishqiptar të njohur, që më shumë se një herë kishte djegur në mënyrë publike flamurin tonë kombëtar dhe bënte thirrje për dërgimin e ushtrive greke në të ashtuquajturin Vorio Epir, apo që mbetej i dyshuari kryesor për akte të dhunshme me orientim terrorist.
Sigurisht, Demokracia është sistemi që i jep më shumë se çdo lloj regjimi tjetër fuqi dhe rol fjalës së lirë, por kurrsesi ajo nuk mund të shpërdorohet e të kthehet kundër vetë lirisë të të tjerëve dhe dimensionit të lirisë në tërësi.

NDËRHYRJA PËR TË DEFORMUAR VOTËN E LIRË
DHE NDËRHYRJA PËR TË MBROJTUR
VOTËN E DEFORMUAR

Përballë kësaj histerie shovene antishqiptare të fqinjëve, historikisht të mbushur me platforma raciste, të ngarkuar me akte dhune, gjak e deportime, veprimtari të paligjshme propagandistike, etj., institucionet shqiptare kanë qënë të përmbajtura, madje politika pse jo përtej vetëpërmbajtjes, e mefshtë.

Ndërsa koshienca e popullit tonë asnjëherë nuk i ka lejuar vetes urrejten racore ndaj fqinjëve. Kanë qenë dhe janë në nderin e popullit tonë, qëndrimet e denja për të mos lejuar në asnjë rast nxitjen e urrjtjes nacionale.

Populli ynë kurrë nuk ka mohuar praninë e minoriteteve aq më pak nuk ka bërë atë që kanë bërë fqinjët e saj duke dhunuar, përzënë, vrarë e shfarosur nën plane të shpallura apo fshehta minoritetet apo pakicat shqiptare, për më tepër autoktonë në vatrat e tyre. Ka qenë dhe është në nderin tonë të respektojmë dhe të duam minoritetet, të njohim dhe respektojmë parimet dhe standartet demokratike për jetën dhe veprimtarinë e tyre, të barabartë mes nesh.

Minoriteti grek në vendin tonë ka qënë i pandarë nga popullësia shqiptare, ai ka qënë dhe mbetet një minoritet përherë paqësor dhe në marrrëdhënie vëllazërore me shqiptarët. Por edhe në Greqinë fqinje pjesa dërmuese e atij populli di të ndajë të mirën nga e keqja, di të dallojë dhe distancohet nga rrethet radikale ekstremiste dhe ato antishqiptare. Përherë në histori kjo maxhorancë ka qëndruar në krah të popullit tonë në ditë të vështira, sikundër populli ynë në krah të saj, dhe kështu do të mbetemi duan apo s’duan krahë e rrethe nacionaliste e luftënxitëse.

Por, sigurisht ligji dhe drejtësia shqiptare nuk duhej të lejonte asnjë syresh që shkel ligjin, shqiptar apo minoritar qoftë, të dalë mbi ligjin, të përfitojë në mënyrë të padrejtë prej tij, aq më keq të mos i nënshtrohet sanksioneve të tij.

Është e paprecedentë ndërhyrja e politikës greke ndaj asaj shqiptare për të liruar një të pandehur në hetim. E parë në thelbin e saj, thirrja për të liruar një të pandehur në hetim, është shfaqje e hapur e arrogancës politike dhe nuk ka të bëjë aspak me standartin etik të komunikimit politik, diplomatik apo ligjor.

Një vend si Greqia, që pretendon se njeh dhe respekton parimet e demokracisë, pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve, i bën thirrje politikës shqiptare, madje kërcënon se “po nuk lëshoi Bejlerin duhet të harrojë ndihmat financare prej Europës”???? Këto sjellje vijnë ndesh me parimet e demokacisë, madje janë precedentë të një paternalizmi arrogant.

Ky shtet, anëtar i vjetër i BE-së – Greqia, i drejtohet një vendi që kandidon për në BE – Shqipërisë, të ndërhyjë, madje të urdhërojë Gjyqësorin, të lirojë prej burgu një të pandehur që është në hetim e sipër, që akuzohet për një krim elektoral, për një krim potencialisht nga më të rrezikshmit për demokracinë, për një krim që zë rrënjë pkërisht aty ku fillon dhe merr fuqinë e vërtetë vota, domethënë vullneti i sovranit, i vetë demokracisë, të shtetit të së drejtës. Monteskje do ta konsideronte atë moment, kur votuesi i drejtohet kutisë së votimit, “si momentin dhe aktin unik, çasti kur votuesi është një zot i gjithfuqishëm, dhe me votën – vullnetin e tij në dorë ai është një Sovrani i vërtetë!

Por nëse vullneti i tij i lirë këtë çast manipulohet atëhere demokracia është në rrezik, ajo ka marrë goditje në shpirtin e saj “!

PYETJE QË DUAN
DHE PRESIN PËRGJIGJE!

Por, sigurisht, jashtë çdo lloj analize, nuk duhen lënë pa u shtruar disa pyetje për opozitën shqiptare, e cila zgjodhi dhe pranoi të verë në Himarë një kandidaturë, që sikundër shkruan shtypi grek “implikohet në një krim mjaft të rëndë, madje në radhën e veprave penale më i rëndi!” Pyetjet që lindin në mënyrë të natyrshme do të ishin:

– Kush ia ofroi opozitës shqiptare kandidaturën e Bejlerit?
– Cilët ishin misionarët konkretë të kësaj ndërhyrje?
– A pati një marrëveshje midis palëve?
Cili është kompromisi që është bërë?
– Çfarë i kërkoi pala shqiptare, palës negociatore në këmbim të kandidaturës së Bejlerit?

Përgjigjia e pyetjeve të mësipërme do të besonim se do të zgjidhte shumë hamendësime të errëta që vërtiten rreth kësaj ngjarjeje dhe do të zbulonte të vërtetat përtej fasadave zhurmëshuma./Dita

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.