Hovenier: Projekt statuti për Asociacionin, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të enjten se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia

Nëntor 9, 2023 - 14:12
 0
Hovenier: Projekt statuti për Asociacionin, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të enjten se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia perëndimore, është hartuar duke respektuar Kushtetutën e Kosovës në tërësi.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Prishtinë, gjatë së cilës theksoi se projekt statuti për Asociacionin përmbush të gjitha kriteret e Shteteve të Bashkuara rreth funksionimit të tij.

“E kemi thënë shumë herë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kërkohet asnjë ndryshim kushtetues. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv dhe nuk duhet të jetë një nivel shtesë i qeverisë”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se beson që projekt statuti i përmbush të gjitha këto kritere por se ka vetëm një entitet që do ta jap vlerësimin përfundimtar, Gjykata Kushtetuese.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një dokument për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, pjesë e të cilit ishte propozimi për statutin e Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Projekt statuti ende nuk është bërë publik, duke nxitur debate e kritika posaçërisht nga partitë opozitare në Kosovë për mungesë të transparencës nga qeveria.

Ambasadori amerikan tha sot se nuk ka asgjë sekrete rreth këtij projekt statuti por se negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme të komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni sepse ato janë më të përshtatshme për arritjen e mirëkuptimeve të përbashkëta.

“Mendoj se shumë nga këto pyetje, komente dhe gati histeri rreth kushtetutshmërisë duken pavend për ne sepse është bërë një punë shumë e kujdesshme në hartimin e këtij projekt statuti, duke lënë edhe hapësirën që një institucion në Kosovë që ka në fakt aftësinë dhe autoritetin ta përcaktojë kushtetushmërinë, Gjykata Kushtetuese, ta bëjë një gjë të tillë para se Asociacioni të mund të zbatohej”, tha ambasadori Hovenier.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së Ohrit, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars. Kjo marrëveshje kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Ambasadori Hovenier tha se ka një lloj urgjence në përpjekjet perëndimore për ta zbatuar marrëveshjen për Asociacionin, por se këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë.

“Ne po punojmë për ta parë atë të zbatuar si një element të strategjisë sonë më të gjerë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë. Bëhet fjalë për arritjen e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve të marra si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në marrëveshjen bazë të Ohrit si dhe aneksin e zbatimit të saj. Kjo është ajo që ne duam të shohim”, tha ai.

Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian tash e mbi një dekadë, u kërkua të mërkurën edhe nga Komisioni Evropian në raportin e vet të përvitshëm për Kosovën.

Komisioni Evropian shprehu keqardhjen që Kosova dhe Serbia nuk kanë filluar ende të zbatojnë detyrimet që dalin nga Marrëveshja e arritur më herët gjatë këtij viti, duke nënvizuar se “normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”./VOA/

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.