Izraeli zgjeron kontrollin në të gjithë kufirin tokësor të Gazës

Ushtria izraelite ka thënë se ka marrë kontrollin e zonës strategjikisht të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si Korridori Filadelfi, që do

Maj 30, 2024 - 08:25
 0
Izraeli zgjeron kontrollin në të gjithë kufirin tokësor të Gazës

Ushtria izraelite ka thënë se ka marrë kontrollin e zonës strategjikisht të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si Korridori Filadelfi, që do të thotë se tani kontrollon të gjithë kufirin tokësor të Gazës.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gaza ishin gjetur brenda zonës.

TV egjiptian citoi burime që e mohonin këtë dhe tha se Izraeli po përpiqej të justifikonte operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Njoftimi vjen gjatë një periudhe tensionesh të rritura me Egjiptin.

“Në ditët e fundit, trupat e IDF vendosën kontrollin operacional në korridorin e Filadelfit, në kufirin midis Egjiptit dhe Rafahut,” tha të mërkurën zëdhënësi i IDF, kundëradmirali Daniel Hagari.

Ai e përshkroi korridorin si një “vijë shpëtimi” për Hamasin, përmes të cilit grupi “kontrabandonte rregullisht armë në Rripin e Gazës”.

Ai tha se trupat po “hetonin dhe neutralizonin” tunelet e gjetura në zonë.

Hagari më vonë tha në një konferencë me gazetarët se ai nuk mund të ishte i sigurt se të gjithë tunelet kalonin në Egjipt, raportoi New York Times.

Egjipti ka thënë më parë se kishte shkatërruar tunele ndërkufitare, duke e bërë të pamundur çdo kontrabandë armësh.

Izraeli ka këmbëngulur se duhet të marrë Rafahun për të arritur fitoren në luftën e shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në vend më 7 tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 252 të tjerë u morën peng.

Të paktën 36,170 njerëz janë vrarë në të gjithë Gazën që nga fillimi i konfliktit, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Tensionet midis Egjiptit dhe Izraelit janë rritur që kur forcat izraelite morën kontrollin në pikën e  kalimit Rafah tre javë më parë, si pjesë e ofensivës së tyre kundër Hamasit.

Në fillim të kësaj jave, një ushtar egjiptian u vra në një incident që përfshinte trupat egjiptiane dhe izraelite në zonën kufitare pranë Rafahut.

Egjipti është një mbështetës i fortë i palestinezëve dhe ka dënuar fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza dhe vrasjen e mijëra civilëve nga Izraeli në luftë./vizionplus.tv

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.