“Kam tentuar që të iki jashtë”/Skemat e MCA-së për të zhvatur qytetarët: 300 mijë lekëshi u bë 2 milionë

Fiks Fare ka denoncuar në vijimësi skemat e përdorura nga institucionet që mbledhin kreditë e këqija, ku pre kanë rënë qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Pas denoncimeve të shumta, kanë reaguar organet ligjzbatuese, duke arrestuar disa punonjës e duke shpallur në kërkim të tjerë. Madje, Banka e Shqipërisë i ka hequr licencat institucioneve […]

Qeshor 5, 2024 - 21:35
 0
“Kam tentuar që të iki jashtë”/Skemat e MCA-së për të zhvatur qytetarët: 300 mijë lekëshi u bë 2 milionë

Fiks Fare ka denoncuar në vijimësi skemat e përdorura nga institucionet që mbledhin kreditë e këqija, ku pre kanë rënë qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Pas denoncimeve të shumta, kanë reaguar organet ligjzbatuese, duke arrestuar disa punonjës e duke shpallur në kërkim të tjerë. Madje, Banka e Shqipërisë i ka hequr licencat institucioneve Micro Credit Albania dhe FINAL.

Por, sërish në redaksinë e emisionit investigativ kanë mbërritur ankesa për skemat e ndjekura nga këto institucione, të cilat vetëm sa i kanë zhvatur, sorollatur e stresuar këta qytetarë, shumica e të cilëve me probleme të mëdha ekonomike, sociale apo edhe shëndetësore. Mbrëmjen e së mërkurës, Fiksi transmetoi ankesën e z. Ervis Papa, i cili tha se para shumë vitesh kishte marrë një kredi me babanë, i cili ka ndërruar jetë. “Kredinë e kemi marrë te një bankë e nivelit të dytë. E morëm pasi babi ishte shumë sëmurë dhe paratë do t’i përdornim për kurimin e tij. Disa kohë pasi morëm kredinë, ai ndërroi jetë” thotë Ervisi.

Sipas tij, familja nuk ka pasur mundësi që të shlyente kredinë. “Ia shitën MCA-së, ku në dokumente citohej se kredimarrësi ishte babai dhe unë garanti. E kemi marrë më datë 11 prill 2008. Pas shumë vitesh, MCA-ja më vuri sekuestro të ndryshme. I kanë bërë letër edhe kompanisë ku punoja. Kam tentuar që të iki jashtë” pohon i riu. Më tej shton se i ka bërë kërkesë edhe bankës ku merrte pagën dhe i kthejnë përgjigje se “ke dy kredi për të shlyer”. “Unë kam vetëm një në fakt. Kredia e dytë s’ka datë te dosja e bankës. Por vetëm një urdhër ekzekutimi nga përmbaruesi Fatos Almadhi, i cili është kontraktuar nga MCA-ja” vijon Elvisi.

Ai thotë se ka disa letra, ku përmbaruesi e ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit në mars 2023. “Të njëjtit përmbarues i është hequr edhe licenca. Unë kam dashur ta paguaj, pasi kam 220 mijë lekë të bllokuara në bankë nga vetë MCA-ja. S’më kanë lënë as minimum jetik. Janë 4 paga të vitit 2022” thotë Elvisi, ndërsa i ka kërkuar bankës që t’ia çlirojë. “Ata të bankës më kanë sjellë një përgjigje se minimumin jetik duhet ta përcaktojë përmbaruesi. Fjalë për fjalë ata shkruajnë se ‘kur nuk ka asnjë rregullim ligjor nga minimum jetik dhe sekuestro është bërë nga përmbaruesi Almadhi, që i është hequr licenca, ju lutemi ti drejtoheni përmbaruesit zëvendësues. Mund të bëni ankim në gjykatë’. Më japin letrën që më dalin dy kredi, me vlerë 2 milionë lekë të rinj. Tani çfarë të bëj” shton Elvisi.

Kredia e parë nga 300 mijë lekë ka shkuar në 971 mijë lekë. Ndërkohë është edhe një urdhër ekzekutimi i dytë me vlerë 1 milionë lekë. Është nga i njëjti përmbarues. “Është diçka më tepër. Kjo kredi nuk ekziston, s’e kam marrë asnjëherë. Duhet pyetur te kompania që e ka dërguar” përfundon ai.

Pas ankesës, Ervisi shkoi disa muaj më parë te zyrat e MCA-së, ku punonjësja i kërkon me ngulm që të bëjë marrëveshje të re. Ai i thotë se banka i ka nxjerrë dy kredi, ndërkohë ajo i përgjigjet se ke vetëm 1. “Shiko ça të them unë, jo ça dokumentesh ke aty te banka” i përgjigjet ajo, teksa këmbëngul se ka vetëm 1 kredi. Ndërkohë në dokumentin e bankës janë 2 urdhra bllokimi nga përmbaruesi Fatos Almadhi! Qytetari i thotë se i janë bllokuar të gjitha pagat, as minimumin jetik. Punonjësja i përgjigjet se gjërat kanë ndryshuar dhe shuma është shtuar. Ajo i thotë se ke 1 milionë lekë, nga 300 mijë që ka marrë kredi. “Pse s’i ke dhënë zgjidhje. Mos e lër të shkojë më shumë” i thotë ajo, teksa për urdhrin e dytë të ekzekutimit pohon se ka bërë dublikat banka. “Është bërë gabim te banka. Ke vetëm 1 kredi. Rri i qetë. Ti e ke pasur sa e ka pasur. Detyrimi është rritur, penalitetet e tjera. Pse s’e bërë marrëveshjen që kur e kishe 2, 3, 4 a 5” i përgjigjet ajo.

Në fund i thotë se duhet të bëjë marrëveshje, pasi i shkojnë më shumë penalitetet. “2 milionë të janë shtuar për disa muaj dhe jepi një zgjidhje sa më shpejt. Kur ti të vish pas 1 muaj apo 2 muajsh, s’do e kesh kaq. Do rritet. Marrëveshjen e bën tani këtu dhe pagesat e bën në bankë. Tarifat përmbarimore të shtohen ty. Interesat, penalitetet e të tjera. Borxhi rritet dita-ditës” përfundon punonjësja.

Fiks Fare ka ndjekur në vijimësi problematikën me institucionet që mbledhin kreditë e këqija. Dhjetëra qytetarë i janë drejtuar emisionit tonë për institucionin Micro Credit Albania. Disa ditë më parë, pas denoncimeve të shumta, prokuroria e Tiranës ka prerë dhjetëra urdhër arreste për drejtuesit e këtij Institucioni Financiar. Madje, Banka e Shqipërisë i ka hequr licencat MCA-së dhe FINAL, duke vendosur edhe likuidator. Ndërkohë, për rastin e z. Ervis Papa, redaksia e Fiks Fare i ka bërë disa pyetja MCA-së, se si kredia 300 mijë lekë shkoi në 2 milionë lekë. Sipas tyre, prej vitit 2021 ka filluar procedura përmbarimore nga përmbaruesi dhe se Papa është informuar rregullisht. MCA nuk kthen përgjigje se përse ka 2 urdhra bllokimi, sipas dokumentit të një banke të nivelit të dytë. Ata përgjigjen se z. Papa nuk ka shlyer asnjë shumë në llogari te MCA apo në llogari të përmbarimit, ndërsa shkruajnë se vlera totale e debisë është 1 milionë e 88 mijë lekë!

Në dokumentin e bankës ishin dy urdhra bllokimi, me vlerë totale mbi 2 milionë lekë. Për këto urdhra, MCA-ja thotë se “mund të kundërshtohen në gjykatë”. Gabimet ishin bërë nga përmbaruesit e kontraktuar nga MCA-ja, madje këtë fakt e konfirmoi edhe punonjësja e këtij institucioni. Ajo tha se është bërë lapsus, por për këtë lapsus duhet ta vuajnë vetë qytetarët. Përveç përqindjes, tarifave përmbarimore, qytetarët duhet të sorollaten edhe për gabimet në gjykatë. Skema e këtij institucioni financiar ishte që të mbante të lidhur sa më gjatë këta debitorë, shumica prej të cilëve të pa punë, në gjendje shumë të keqe ekonomike dhe shëndetësore Punonjësja këmbënguli disa herë që Ervisi të bënte marrëveshje të re, pra duke marrë kredi të re. Në këtë mënyrë, do të shtohej vlera dhe borxhi do të shumëfishohej.

Top Channel

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.