Kosova zyrtarisht jashtë Euro 2024, pas barazimit me Zvicrën
Shpresat e pakta të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian 2024 morën fund përfundimisht të shtunën kur Kombëtarja e Kosovës në futboll barazoi 1:1 me Zvicrën në Basel, në ndeshjen e parafundit të Grupit I kualifikues. Kjo është hera e dytë që Kosova luan në kualifikime për Kampionatin Evropian prej se u pranua […]
Shpresat e pakta të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian 2024 morën fund përfundimisht të shtunën kur Kombëtarja e Kosovës në futboll barazoi 1:1 me Zvicrën në Basel, në ndeshjen e parafundit të Grupit I kualifikues.
Kjo është hera e dytë që Kosova luan në kualifikime për Kampionatin Evropian prej se u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.
Rumania dhe Zvicra janë kualifikuar për Euro 2024, si dy vendet e para të Grupit I kualifikues.
Kosova nuk është kualifikuar asnjëherë për një turne të madh, si Evropiani apo Kupa e Botës.
Fitorja kundër Izraelit të dielën e kaluar në Prishtinë dhe pastaj barazimi i Zvicrës me Izraelin tri ditë më vonë, bëri që Kosova të shpresonte ende në sigurimin e një vendi për turneun e verës së ardhshme në Gjermani.
Por, barazimi i sotëm nënkupton se verdhëkaltrit nuk kanë më asnjë mundësi për kualifikim, sepse kanë 11 pikë në vendin e katërt, tetë pikë larg lideres, Rumanisë, dhe gjashtë pikë larg vendit të dytë dhe të fundit që dërgon në Euro 2024, Zvicrës.
Për ta arritur kualifikimin, Kosova duhej ta mposhte Zvicrën dhe në xhiron e fundit ta mundte Bjellorusinë dhe të shpresonte se Rumania do ta mposhte Zvicrën.
Kosova do ta këtë edhe një ndeshje në grup, kundër Bjellorusisë më 21 nëntor në Prishtinë, për ta përmbyllur këtë fushatë kualifikuese.
Zvicra vuajti për ta thyer akullin në një natë me shi në stadiumin St. Jakob-Park, me gjithë mbizotërimin e theksuar në lojë, dhe iu desh të priste deri në minutën e dytë të pjesës së dytë për ta krijuar epërsinë e shumëpritur.
Ruben Vargas shënoi për 1:0 për helvetikët në minutën e 47-të, para se Muhamet Hyseni të shënonte për 1:1 në debutimin e tij për Kosovën, i futur në lojë nga stoli në pjesën e dytë.
Ekipi dardan udhëtoi drejt Bazelit me shumë mungesa të theksuara, si sulmuesit kryesorë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, të dy të lënduar. Portieri i parë, Arijanet Muriq mungoi për shkak të gripit.
Kosova do të kërkojë tani të përgatitet për fushatën e tretë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, i cili mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
/a.d
What's Your Reaction?