Kurti vendos kushte: Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë thuaja nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator. Ai kërkoi që kapitulli i tanishëm për normalizim duhet të marrë parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksim të Kosovës. Pas takimit me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter […]

Tetor 13, 2023 - 20:15
 0
Kurti vendos kushte: Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë thuaja nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator. Ai kërkoi që kapitulli i tanishëm për normalizim duhet të marrë parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksim të Kosovës.

Pas takimit me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, kryeministri kërkoi nga ndërmjetësuesit e dialogut që të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një mundësi për të pasur sukses.

Përkitazi me këtë, ai nënvizoi rëndësinë që të ketë një qasje të balancuar në proces të dialogut.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të vazhdojë thuaja se nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdojmë punën dhe këtë status-qou edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh veprimet sulmuese dhe agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel dhe aneksit të Ohrit. Është më urgjente se kurdo që më parë që të ndalet dhe ndërprenë fjalët se nuk do të njoh kurrë Kosovën. Po ashtu, edhe refuzimin e pjesëve bazë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha ai.

Kurti para senatorëve amerikanë renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë.

“Përfshirja e shtetit të Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa, presidenca, inteligjenca, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme për mbështetjen e sulmeve kriminale dhe terroriste në fshatin Banjskë. Po ashtu, kemi dëshmi se i kemi shkëmbyer me partnerët tanë se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e krejt veriut të Kosovës, përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende dhe formimit të një korridori me Serbinë për të mundësuar furnizim të vazhdueshme të armëve dhe trupave në veriun e Kosovës. Nuk mund të kthejmë Afrim Bunjakun familjarëve dhe shtetit por duhet të punojmë me aleatët tanë, veçanërisht me ShBA-në, që të parandalojmë sulme të ngjashme në të ardhmen. Kjo kërkon siguri për Kosovën dhe dënimin e Serbisë”, shtoi Kurti.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.