Kuvendi berishist: As frymë, as numra!

Nga Blendi Kajsiu Kuvendi i fundit berishist i 2 dhjetorit kaloi pothuajse në heshtje si për të treguar fatin politik që duket se e pret vetë lëvizjen. Arësyeja është sepse mungonte jo vetëm fryma por edhe numrat. Kjo u pasqyrua qartë në thirrjen e dëshpëruar të Luçiano Boçit “mos na numëroni por shikoni idealet që […]

Dhjetor 6, 2023 - 19:20
 0
Kuvendi berishist: As frymë, as numra!

Nga Blendi Kajsiu

Kuvendi i fundit berishist i 2 dhjetorit kaloi pothuajse në heshtje si për të treguar fatin politik që duket se e pret vetë lëvizjen. Arësyeja është sepse mungonte jo vetëm fryma por edhe numrat. Kjo u pasqyrua qartë në thirrjen e dëshpëruar të Luçiano Boçit “mos na numëroni por shikoni idealet që kemi”.

Pyetja shtrohet: cilat ideale?

Sot berishizmi është thjesht numra, sepse nuk përfaqëson asnjë ideal politik jashtë interesave të ngushtë të udhëheqësit të saj dhe familjes së tij. Fitorja e Foltores ndaj frymës anti-berishiste nuk erdhi nga idealet superiore të berishizmit, por nga supremacia numerike. Askush në PD nuk iu afrua Foltores për idealet anti-amerikane dhe “demokratike”, apo për ardhmërinë, që ofronte berishzmi, por për numrat që kishte.

Para një viti ishte mëse e qartë se Berisha kishte shumë më tepër mbështetje se Basha. Mjafton të krahasojmë kuvendin e Berishës në Airalbania më 11 dhjetor të vitit 2022 me Kuvendin e Bashës te Pallati i Kongreseve më 18 dhjetor të po të njëjtit vit. Kjo bëri që debati mes anti-berishizmit dhe berishizmit të reduktohej tek numrat dhe të fitohej nga ky i fundit.

Kjo supremaci numerike fshihte mungesën e çdo lloj fryme, koherence apo ideali politik brenda berishizmit, në kontrast të thellë me frymën anti-berishiste. Kuvendi berishist në Airalbania në vitin 2022 ishte thjesht një forum denoncimi, pa asnjë analizë politike apo ideolgjike. Ishte një autoparlant gjigand për Berishën. Zhurma e madhe që prodhoi fshehu mjaft mirë mungesën e frymës tek lëvizja berishiste.

Ndërkohë kuvendi i PD-së zyrtare i 18 dhjetorit 2022 ishte nga të paktat forume politike të tranzicionit shqiptar ku gëlonte fryma që nga debati politik deri tek analiza e humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 dhe kritika e hapur ndaj kryetarit të Partisë Demnokratike, Lulëzim Basha. Pra nëse berishizmi kishte numrat anti-berishizmi kishte frymën dhe idealet politike. Ishte një përpjekje shpresë-dhënëse se modeli berishisit i reduktimit të partisë tek lideri autoritar dhe interesat e tij të ngushta mund të tejkalohej për të realizuar idealet demokratike të dhjetorit.

Sot kur anti-berishizmi në PD e ka humbur betejën ndaj berishizmit (ndonëse jo domosdoshmërisht luftën) ajo që ka mbetur janë vetëm numrat pa frymë. Kjo shpjegon lëvizjet pa sens dhe pa llogjikë politike të fraksioneve të ndryshme që çojnë grupe deputetësh herë këndej herë andej, si të ishin kova uji.

Problemi është se numrat në politikë mbahen o me frymë o me pushtet. Normalisht është pozita që përdor më shumë pushtetin për të ruajtur numrat dhe opozita që mbështet kryesisht tek fryma. Ndaj një opozitë pa frymë herët a vonë do vdesë edhe në numra. Është ky procesi që pamë tek kuvendi i fundit berishist në Pallatin e Kongreseve.

Kemi të bëjmë me rrudhjen e vazhdueshme të një lëvizje politike që në mungesë të një frymë apo ideali politik i mban numrat vetëm nëpërmjet kanalizmit të mllefit opozitar kundër pushteti dhe armiqëve e brendshëm, herë Pashko, herë Hajdari, herë Selami, herë Pollo, herë Tritan Shehu, herë Basha, herë Alibeaj dhe së fundmi Bardhi.

Por denoncimi i armikut të brendshëm dhe i pushtetit socialist nuk mund të fsheh pa fund mungesën e frymës. Pa frymën numrat do rrudhen vazhdimisht, duke nxjerrë edhe më në pah mungesën e idealeve politike. Në kuvendin e fundit berishist mungesa e numrave nxori zbuluar mungesën e frymës që tashmë nuk mund të fshihet pas turmave që brohorasin Berishën dhe denoncojnë Bashën si vegël të Ramës.

Ishte një boshllëk shumë i madh që nuk e mbushi dot as vetë familja e liderit. Përkundrazi promvoimi i “bijëve si pasardhës të etërve” fshin edhe kujtesën e largët të ligjërimit anti-elitist dhe anti-komunist që përbën bazën reale ideolgjike të berishizmit. Nëse dhëndri, djali dhe vajza e shefit marrin një rol gjithnjë e më tepër parësor brenda lëvizjes berishiste sa mundet kjo e fundit të denoncojë socialistët në pushtet si “bij të etërve”?

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.