Maratona e takimeve në Bruksel/ Kurti këmbëngul në nënshkrim të marrëveshjes
Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm
Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.
Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.
Ai dhe Vuçiq u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun, pas sulmit të armatosur në Banjskë.
Në tryezën e diskutimeve ishte edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë, edhe drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i ofruar nga diplomacia perëndimore.
What's Your Reaction?