Meta u ‘jep duart’ Kryemadhit e Berishës, mesazh për SPAK?!

Nga Jakin Marena Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë ka nisur një ‘sagë’ distancimesh nga bashkëpunëtorët e tij, por dhe nga aleatët më të ngushtë. Këto lloj distancimesh janë të dallueshme në letër sëpaku. Në fillim ishte ish kryetarja e LSI, paraardhëse e PL, njëherësh dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi ajo që u […]

Prill 13, 2024 - 20:10
 0
Meta u ‘jep duart’ Kryemadhit e Berishës, mesazh për SPAK?!

Nga Jakin Marena

Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë ka nisur një ‘sagë’ distancimesh nga bashkëpunëtorët e tij, por dhe nga aleatët më të ngushtë. Këto lloj distancimesh janë të dallueshme në letër sëpaku.

Në fillim ishte ish kryetarja e LSI, paraardhëse e PL, njëherësh dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi ajo që u vu në ‘shënjestrën’ e Metës.

Në disa dalje publike, pas konfiskimit nga ana e SPAK të një celulari të Monika Kryemadhit të gjetur në banesën e nënës së saj, për të cilin është kërkuar heqja e sekuestros edhe në institucionet e drejtësisë, dëshmisë së nënës së Monikës po në SPAK si dhe e ‘vizitës’ së BKH në zyrat e Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se nuk mban përgjegjësi për askënd në raport me ligjin, përpos vetes së tij. Madje as për fëmijët e tij të cilët janë mbi 18 vjeç, dhe për këtë është deklaruar i prerë.

Eshtë shprehur qartë dhe në sytë e gjithë publikut Meta, në deklaratat për mediat, ditë pas dite, e shoqëruar kjo dhe me disa lëvizje brenda Partisë së Lirisë, ku mediat raportojnë se janë bërë dhe spastrime të shumta të mbështetësve të Kryemadhit. Ka mbetur vetëm Vasili thonë, megjithëse e quajnë tërësisht të padëmshëm atë, ndaj nuk e lëviz njeri.

Pra ka një distancim të fortë politik të Metës nga Kryemadhi, e shprehur nga kjo e fundit në seancën parlamentare për diskutimin e mandatit të Xhaçkës, me thëniern se “Më vjen keq që ne gratë bëhemi mish për top për burrat”. Përse e ka fjalën ish kryetarja e LSI dhe deputetja e PL Kryemadhi. Çfarë paralajmëron ajo, pasi është dhe bashkëshortja e Ilir Metës, përpos politikane.

Por deklaratat e Metës për një Rithemelim të plotë të Partisë së Lirisë dhe dhënien fund të sjelljes arrogante me partinë, kanë shkaktuar me të vërtetë ‘një tërmet’ të fortë në këtë parti dhe kanë përcjellë ndjesinë e një distancimi të plotë të Metës me lidershipin e vjetër të kësaj partie të kohës kur drejtonte Kryemadhi, si dhe me vetë Kryemadhin. Aq sa dhe numri dy i PL, Braimllari i cilësoi indirekt akuzat në drejtim të lidershipit të partisë për arrogancë nga Meta, si ‘pallavra’.

Duke i marrë bashkë të gjitha këto, përfshirë dhe faktin se kontrata me kompaninë amerikane për lobimin e LSI në SHBA me sa duket ka firmën e Petrit Vasilit, pavarësisht se Meta ka qënë kryetar i kësaj partie, si dhe ‘ankesa’ e Kryemadhit në mes të sallës së Kuvendit se po bëhen mish për top për burrat, por dhe distancimi i plotë i Metës nga të gjithë ata që ka afër, përfshirë dhe fëmijët mbi 18 vjeç në raport me ligjin, tregon se kreu i PL dhe ish presidenti i vendit po kërkon të shfaqet si një politikan që nuk ka përgjegjësi në raport me ligjin.

Njëherësh mund të merret dhe si një mesazh për SPAK në lidhje me hetimet që po kryen rreth personit të tij, duke u paraqitur si një politikan që ka vendosur të mbajë përgjegjësi vetëm për veten e tij dhe askënd tjetër në raport me ligjin. Pavarësisht se mesazhit të koduar të tij përmes deklaratave se nuk mban përgjegjësi, Meta nuk ka munguar të sulmojë institucionin më të lartë të hetimit në Shqipëri.

“Një gjë duhet ta di, SPAK-u se nuk do u them tarallaku, PL nuk sekuestrohet. Mund të sekuestrohet SPAK përpara, po PL nuk sekuestrohet. Le të hetojnë kallëzimet që kemi bërë, përndryshe pasojat ndaj tyre do të jenë fatale”, deklaroi Meta ditën e shtunë. Si për të ‘rrumbullakosur’ mesazhin për SPAK se mban përgjegjësi vetëm për vete. Pra për firmat e tij.

Por nga ana tjetër, përpos raporteve në Partinë e Lirisë për të cilën ka paralajmëruar një ‘shkundje’ të plotë dhe një Rithemelim prej vërteti, mesazhet e ditës së shtunë, në vijim dhe të ditëve të tjera, kanë qënë dhe për Foltoren dhe aleatin e tij të vetëm Sali Berishën. Dhe kreu i Foltores ka probleme me SPAK, pasi për shkak të akuzave për korrupsion pasiv, dhe shkeljes së vendimit të Gjykatës së Posaçme, është nën masën e arrestit në shtëpi prej dhjetorit të vitit të kaluar. Pa përmendur këtu dhe akuzat e tjera për “Gërdecin”. “21 janarin”, aferën CEZ-DIA dhe akuza të tjera të këtij lloji, që vetëm destinacionin nga shtëpia në qeli mund t’i ndërrojnë, pa pasur ndonjë shans që të dalë nga arresti në të ardhmen. Eshtë dhe ‘non grata’ në SHBA e Britani.

Në vijim të akuzave politike që bëjnë fajtore Kryemadhin bashkë me Bashën për djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 por dhe rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke paralajmëruar një riuthemelim të plotë të PL dhe shkundje të partisë që drejton, Meta ka bërë dhe një distancim të fortë nga Berisha teksa ka deklaruar se koalicioni “Bashkë Fitojmë” mes Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë i ngritur për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 nuk ka funksionuar. Pra nuk do bëhet më në këtë mënyrë është fjala.

Për herë të parë Meta ngriti gishtin e akuzës politike ndaj atyre që tashme mund të quhen ish aleatë të tij në shtëpinë e lirisë. Ai pranoi pas gati një viti humbjen e thellë në zgjedhjet vendore, duke ia lënë përgjegjesinë kandidatëve të përbashkët, të përzgjedhur kryesisht nga Berisha.

“Në zgjedhjet e fundit vendore kur edhe një pjesë e përfaqësuesve të PD-së ishin të shqetësuar pse unë vija mbështesja kandidatin e përbashkët, se ajo nuk kishte shanse për të fituar, në vend që të gjithë të bashkoheshin për fitoren e opozitës këtu. Ne këtë e pamë në Fier kur vajta të vizitoja selinë e kandidatit të përbashkët, që ishte më e madhe se ajo e Donald Trump dhe ku dera ishte e mbyllur. E pamë këtë kudo. Koalicioni ‘Bashke Fitojmë’ nuk funksionoi. Nëse do të kishte funksionuar, do të kishte fituar. Fakti që koalicioni ‘Bashkë Fitojmë” nuk fitoi tregoi që nuk funksionoi. E tregon dhe këshilli bashkiak. Opozita lokale këtu është ku thërret qiameti”, deklaroi fjalë për fjalë Meta.

Pra nuk do të ketë më koalicion me Berishën në këto kushte. Ose do t’i përzgjedhë vetë Meta kandidatët për deputetë, kuptohet më shumë se gjysma në listën fituese do jenë kandidatë nga PL, nëse Rithemelimi futet në zgjedhje në siglën e Partisë së Lirisë, për të bërë atë që kemi përsëritur shpeshherë që di të bërë më mirë Meta në këto raste, ‘t’i heqë skalpin’ Berishës. Pra i bën presion për lidership të opozitës. Ndoshta ‘shton’ dhe një mesazh tjetër për SPAK me këtë distancim me Berishën, që është ‘kokë e këmbë’ nën hetimin e institucionit më të lartë të drejtësisë së re.

Janë mesazhe të forta të dhëna në pak ditë nga Meta, i cili u ka ‘dhënë duart’ Kryemadhit por dhe Berishës, duke paralajmëruar dhe lëvizje të tjera, vetëm një vit para zgjedhjeve. Janë qëndrime që e zhysin akoma më shumë opozitën, por dhe përbëjnë dhe një mister se ku do të arrijë me këto lëvizje Ilir Meta. Përpjekja për ta shfaqur veten të pastër në raport me drejtësinë lexohet qartë, por anën politike, mbetet dhe shumë për të parë, që të formatojnë një qëndrim të drejtë. Gjithsesi ne këtu jemi, do presim dhe do dëgjojmë më tej.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.