Nazifashizmi, kolaboracionizmi dhe revizionimi i historisë “në emër të antikomunizmit”

Nga Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi Ashtu si edhe në vendet e tjera të ish-bllokut Lindor, edhe në Shqipëri, gjatë periudhës së socializmit, historiografia ishte e diktuar nga Partia-Shtet, si në interpretimet e saj ashtu edhe në pikëpamje të shfrytëzimit të burimeve arkivore. Përveçse kufizimeve në qasjen ndaj arkivave vendase, ku për shfrytëzimin e fondeve […]

Shtator 1, 2023 - 10:05
 0
Nazifashizmi, kolaboracionizmi dhe revizionimi i historisë “në emër të antikomunizmit”

Nga Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi

Ashtu si edhe në vendet e tjera të ish-bllokut Lindor, edhe në Shqipëri, gjatë periudhës së socializmit, historiografia ishte e diktuar nga Partia-Shtet, si në interpretimet e saj ashtu edhe në pikëpamje të shfrytëzimit të burimeve arkivore. Përveçse kufizimeve në qasjen ndaj arkivave vendase, ku për shfrytëzimin e fondeve të caktuara arkivore, sikurse ishte për shembull ai i Partisë së Punës, për hartimin e temave të caktuara studimore e sidomos për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nevojitej një leje e posaçme, një problem më të madh për studiuesit paraqiste po ashtu pamundësia për të ballafaquar burimet vendase me ato të huaja, pasi ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, shfrytëzimi i arkivave të huaja.

Kryesisht këto kufizime vlenin më tepër për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e më pas, pasi për studiuesit e periudhave pararendëse ishte më e lehtë dhe në thelb jo shumë problematike, sa i përket frymës së diktuar në historiografi nga pushteti i kohës.

Sigurisht që edhe për studimin e periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare bëheshin përjashtime, si për shembull rasti i prof. Arben Putos, i cili u lejua të shkonte për të hulumtuar në arkivat britanike, çka u kurorëzuar me botimin e tij “Nëpër analet e diplomacisë angleze” në vitin 1976, apo blerja në vitet 1970 e disa bobinave me faksimile me dokumente ushtarake gjermane për vitet 1943-1944 nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave etj.

Pavarësisht sa më sipër, ishte e qartë që gjatë periudhës së regjimit socialist totalitar në Shqipëri, nuk mund të shfrytëzoheshin burime të cilat binin ndesh me orientimet politike të kohës për shkrimin e historisë. Studimi i nënshtrohej recensave e censurave para se të shikonte dritën e botimit. Në fakt, ky nuk ishte një tipar vetëm i sistemit komunist dhe që ndodhte rishtas në Shqipëri. Edhe gjatë sundimit të Ahmet Zogut, e sidomos në periudhën e monarkisë shqiptarë, mbreti Zog kujdesej në mënyrë të veçantë për censurën e shtypit periodik dhe botimeve të gjitha llojeve.

Për këtë, studiuesi gjerman Michael Schmidt-Neke shkruan se “në sistemet jo pluraliste, interpretimin e historisë e merr përsipër shteti dhe, në këtë pikë, regjimi i Zogut përputhet me sistemin komunist. Përpara vitit 1939, regjimi i kishte të kufizuara vetëm tek shkollat dhe tek propaganda shtetërore rrugët për përhapjen e përfytyrimeve të tij për historinë”.

Në vitet 1945-1990, studimi historik në këndvështrimin politik përfshinte të gjitha periudhat dhe epokat, e sidomos periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët shqiptarë u shndërruan në faktorin politiko-historik më të fuqishëm të kohës. Është e vetëkuptueshme që kjo periudhë historike analizohej nga perspektiva e fituesve, ndërkohë që nuk përmendeshin aspekte të caktuara të saj, duke damkosur gjithashtu gjithë kundërshtarët e tyre në “tradhtarë”, “bashkëpunëtorë e kuislingë”.
Jo vetëm regjimet komuniste të pasluftës së Dytë Botërore e politizuan tejskajshëm kuptimin e kolaboracionizmit gjatë Luftës së Dytë Botërorë.

Në të gjitha vendet europiane ku u shfaq ky fenomen, në vitet e para të pasluftës u organizuan gjyqe politike kundër kësaj kategorie, ku shpesh gjykatat ushtarake jepnin dënime kapitale. Gjithsesi, intensiteti dhe ashpërsia e dënimeve ndërmjet vendeve perëndimore dhe atyre lindore ishte e ndryshme. Ndër to, Shqipëria ndoqi formën më të ashpër të dënimit të kolaboracionistëve, duke e shtrirë ndër vite ndjekjen dhe persekutimin edhe për familjarët e tyre, të cilët nuk kishin asnjë përgjegjësi me veprimtarinë e prindërve apo të afërmeve të tyre, që gjatë luftës ishin vënë në shërbim të pushtuesit.

Më tej, gjithmonë sipas kësaj skeme kodifikimi zyrtar të historisë së Shqipërisë, temat kryesore të shkencës së historisë ishin ilirët, sundimi osman dhe kryengritjet ndaj tij, Rilindja Kombëtare dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto katër piketa historike përbënin edhe përfytyrimin dogmatik për historinë, sipas një përcaktimi që i kishte bërë vetë Enver Hoxha se “populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, – çka vihej pothuajse gjithmonë në faqen e parë të botimeve historike.

Megjithatë, në këtë periudhë u kryen një sërë studimesh, të cilat pjesërisht vazhdojnë t’i rezistojnë ende kohës dhe shërbejnë edhe sot si një literaturë e pashmangshme për studiuesit. Një pjesë e mirë e studiuesve të paraviteve 1990, me ardhjen e demokracisë dhe heqjes së kufizimeve ideologjike në historishkruarje, i rishikuan e plotësuan studimet e tyre me burime e fakte të reja, duke i bërë ato më të plota dhe më të arrira shkencërisht. Sigurisht që ndër ta ka edhe studiues, të cilët pas vitit 1990 i përmbysën tërësisht këndvështrimet e qëndrimet e tyre shkencore të deriatëhershme.

Ndonëse diktati i regjimit të kaluar ndaj qasjeve historike përbën një alibi të fortë, qëndrimet e tyre shkencore të përmbysura i veshin kësaj kategorie një vello morali të dyshimtë. Në rastin më të mirë, kjo gjë lëkund ndjeshëm rigorozitetin dhe besueshmërinë e tyre shkencore dhe në rastin më të keq, i bën ata bashkëpunëtorë në instrumentalizimin, ideologjizimin dhe politizimin e historisë gjatë sistemit komunist.

Me ardhjen e demokracisë, një pjesë e kësaj kategorie studiuesish mori në dorë flamurin e revizionimit të historisë, për të mohuar pothuajse çdo arritje të historiografisë shqiptare në vitet 1945-1990.

***
Nevoja e rivlerësimit historik është një domosdoshmëri shkencore, që ndodh sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme në shkencat historike. Kjo lidhet si me qasjen ndaj burimeve të reja arkivore ashtu edhe me zhvillimin e shoqërisë në sistemin demokratik dhe evoluimin e mendimit kritik historik, si procese të natyrshme e të pashmangshme.

Po ashtu, duhet theksuar se ndryshimi i këndvështrimit historik është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e shkencave historike. Sigurisht, ky proces duhet të bazohet në parime e metodologji shkencore, burime arkivore dhe sidomos pa u instrumentalizuar nga politika, nga interesat e grupimeve të caktuara shoqërore apo individëve të veçantë, nacionalizmi fals etj.

Në këtë kuadër, mjaft trajtesa të sotme të historisë bashkëkohore shfaqin pothuajse të njëjtën problematikë të revizionimit të historisë si edhe në vendet e tjera të ish-bllokut Lindor. Kjo gjë lidhet kryesisht me sistemin shoqëror e politik të pasviteve 1990, me perceptimin e ndryshuar të vlerave e idealeve dhe rrjedhimisht edhe me ridimensionimin e vlerësimit historik dhe zbatimin e parimeve metodologjike.

Me të drejtë Ulrich Schneider shkruan për këtë fenomen se “lufta ideologjike mbi interpretimet e historisë nuk është një çështje akademike që mund të përgjigjet me “saktë” ose “gabim”. Kjo mosmarrëveshje, – veçanërisht në Europën Lindore e Qendrore, ka filluar prej rënies së sistemeve socialiste dhe është zhvilluar paralelisht me tendencat e së djathtës politike, e cila shpesh është përfaqësuese e simboleve të historisë ose të kujtesës historike, duke ju referuar veçanërisht rivlerësimit ose rehabilitimit të së kaluarës fashiste dhe kolaboracionizmit”.

Pas rënies së Perdes së Hekurt, fenomeni i revizionimit të historisë u shfaq fillimisht në vendet baltike. Referenca e përbashkët e tyre ishte konteksti i njëjtë shoqëror i një rajoni, i cili ka qenë i pushtuar përgjatë shekujsh – fillimisht nga Polonia, më pas nga Rusia, Gjermania dhe më vonë nga Bashkimi Sovjetik. Fakti që qeveritë kombëtare në këtë kohë nuk ishin demokratike, nuk merret në konsideratë prej tyre, sikurse edhe fakti tjetër që, në shtetet baltike, shumë bashkëpunëtorë vendas morën pjesë në politikën fashiste të asgjësimit dhe të luftës kundër partizanëve.

Nga ana tjetër, partizanët, të cilët luftuan përkrah forcave sovjetike për çlirimin nga nazifashizmi, denoncohen sot si pionierë të një pushtimi sovjetik dhe si “agjentë të bolshevizmit”, çka e polarizon shoqërinë në një front historiko-politik. Pra, tipar kryesor i revizionimit të historisë në vendet baltike është rehabilitimi dhe glorifikimi i strukturave vendase SS-e dhe kolaboratorëve që bashkëpunuan me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe përpjekjet për t’i shpallur ata “luftëtarë të lirisë”, duke i shndërruar kësisoj bashkëpunëtorët e nazifashizmit, ndër ta edhe kriminelë lufte të dënuar, në heronj të çlirimit kombëtar.

Nga ana tjetër, ky rivlerësim synon kriminalizimin e luftës çlirimtare të partizanëve baltikas përkrah Ushtrisë së Kuqe, pasi kontributi i tyre gjatë luftës kundër nazifashizmit mundësoi ri-pushtimin e këtyre vendeve nga Bashkimi Sovjetik. Sikurse shikohet, ky është një rast i instrumentalizimit të historisë për qëllime politike në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik të Europës pas rënies së komunizmit në ish-Bllokun Lindor dhe rrezikut që i kanoset këtyre vendeve përballë pretendimeve ruse në këtë rajon.

Në vija të përgjithshme e njëjta frymë revizionimi historik shfaqet edhe në vendet e Ballkanit. Sa i përket revizionimit historik në Kroaci, Marie – Janine Calic shkruan se “çdo shoqëri është në kërkim të një legjitimi historik apo demarkacioni ideologjik. Mesa po ndodh në Kroaci, mund të dallohet fare qartë se një nga tendencat e historisë kroate është edhe bërja sërish të pranueshëm për shoqërinë të nacionalizmit ekstrem dhe bashkëpunëtorëve të Gjermanisë hitleriane, me argumentin se në vitin 1941 ata krijuan “Shtetin e Pavarur të Kroacisë” (edhe pse vetëm nominalisht), i cili përfshinte të gjitha zonat e vendbanimeve kroate”.

Në këtë kontekst, historiani dhe politikani Zlatko Hasanbegović, i cili në vitin 2016 ishte edhe ministër i Kulturës në qeverinë kroate, deklaroi publikisht se rënia e regjimit të ustashëve në vitin 1945 ishte një “tragjedi kombëtare”. Kritikët kroatë por edhe të huaj e akuzuan atë për glorifikim të regjimit fashist kroat, ndërkohë që vlen si e vërtetë historike se, nën regjimin e ustashëve, mijëra hebrenj dhe kundërshtarë të tjerë u eliminuan në mënyrë sistematike në kampet e përqendrimit.

Më tej, kjo politikë e re historike synon shkëputjen nga e kaluara socialiste si ideologji politike dhe regjim sundues. Mesa duket, sipas kësaj strategjie, mjeti i duhur për të arritur këtë qëllim, është paralelizimi i krimeve të kryera nga ustashët dhe partizanët, të cilët luftuan me shumë ashpërsi njëri-tjetrin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hasanbegović-i e përkufizonte antifashizmin vetëm “një frazë bolshevike”.

Dukuria e revizionimit të historisë është shumë i pranishëm edhe në historiografinë e sotme serbe. Në qendër të rehabilitimit qëndrojnë çetnikët ekstremistë dhe qeveria kolaboracioniste e gjeneralit Milan Nedićs. Çetnikët luftonin për një “Serbi të Madhe”, dhe etnikisht homogjene, çka u konkretizua edhe me fillimin e një “spastrimin etnik” brutal. Historianët serbë u përpoqën të rehabilitojnë kreun çetnik, Draža Mihailović, duke e prezantuar atë si luftëtar lirie, ndonëse ai ishte dënuar më vdekje në vitin 1946 si bashkëpunëtor i nazizmit dhe kriminel lufte.

Në të vërtetë kjo përpjekje u arrit në vitin 2016, kur një gjykatë serbe e rehabilitoi atë. Si në Serbi ashtu edhe në Kroaci, këtij revizionimi të historisë i janë kundërvënë historianë profesionistë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile si edhe përfaqësues politikë socialdemokratë dhe liberalë të majtë, mbështetës të vlerave antifashiste, të cilët e konsiderojnë këtë nacionalizëm popullor si një sulm ndaj vlerave demokratike. Sigurisht që, të gjithë ata që i kundërvihen këtij ekstremizmi të djathtë, shndërrohen shpejt në viktima të shpifjeve publike. Kjo dukuri është mjaft e përhapur edhe në Shqipëri, ku në mënyrë absurde flitet për “historianë të majtë apo të djathtë”. Madje nuk mungojnë as etiketime e sulme ekstreme për studiuesit, duke i quajtur ata komunistë, kur argumentohet pro antifashizmit, qoftë si vlerë apo si e vërtetë historike dhe mbahen qëndrime kritike ndaj bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit.

Po ashtu, një shtysë të madhe në këtë problematikë japin edhe “historianët popullorë”, të cilët duke përfituar nga liberalizimi i tregut të botimeve dhe mungesa e reçensës shkencore, si reflektim edhe i hamullisë që ka përfshirë institucionet e shkrimit të historisë, botojnë libra me probleme të mëdha metodologjike shkencore, kryesisht si pasojë e mungesës së formimit shkencor, por shpesh të shtyrë edhe nga prejardhja e tyre politike familjare.

Sa i përket Shqipërisë mund të themi se, si edhe në rastet e sipërpërmendura, tranzicioni i gjatë nuk shfaqet vetëm në paqëndrueshmërinë politike dhe mungesën e zbatimit të parimeve dhe të kritereve të demokracisë. Ai ndikon natyrshëm edhe në transformimin e vlerave bazike të shoqërisë. Një ndër to është edhe qëndrimi ndaj antifashizmit dhe vlerësimit të tij historik.

Ndonëse politika e sotme në Shqipëri pohon me gjysmë zëri se antifashizmi është një vlerë e padiskutueshme, ndërhyrjet në histori flasin për të kundërtën.

Qysh në fillimvitet 1990, kultura politike në Shqipëri, u ndërtua mbi platformën e antikomunizmit, për të krijuar një identitet modern, bazuar në vlerat demokratike, pluraliste, kapitaliste dhe perëndimore. Kësisoj, politika ndërhyri në historiografi, çka filloi me ndryshimin e datës së çlirimit nga pushtuesit gjermanë dhe fillimin e një fushate denigruese për dëshmorët antifashistë të rënë në luftë. Sigurisht që, ky veprim më shumë se një korrigjim historik, sikurse u paraqit asokohe, synonte më tepër fillimin e procesit të revizionimit historik të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shndërrimin e saj nga një realitet historik në mit dhe rrjedhimisht edhe ndryshimin e karakterit të saj nga një luftë antifashiste nacionalçlirimtare, në një luftë civile.

Për përfaqësuesit e revizionimit historik mjafton vetëm antikomunizmi, për të relativizuar e justifikuar bashkëpunimin me pushtuesit nazifashistë. Kësisoj, antikomunizmi shërben si një argument i mjaftueshëm për të çliruar bashkëpunëtorët ideologjike dhe ushtarakë të fashizmit dhe nazizmit, nga vula historike e kolaboracionizmit dhe për t’i paraqitur ata në këtë mënyrë si patriotë dhe antitotalitaristë, ndonëse si fashizmi ashtu edhe nazizmi, ishin regjime të tilla.

Historiani serb Todor Kuljić shkruan me të drejtë se “ndonëse socializmi njëpartiak europian i përket prej kohësh së shkuarës, çuditërisht antikomunizmi vazhdon të jetë gjallë”. Sikurse e theksuam edhe më sipër, ky përfundim vlen për thuajse gjithë vendet e ish-bllokut Lindor, përfshirë edhe Shqipërinë.

Më tej, edhe në Shqipëri filloi të thjeshtohet koncepti i kolaboracionizmit me pushtuesit e huaj, ndërkohë që shpjegimi i këtij fenomeni kërkon një trajtim më të thelluar. Së pari, duhen vlerësuar arsyet, shkaqet dhe pasojat që pati ky veprim për shoqërinë shqiptare si edhe për rrezikshmërinë që paraqiste bashkëpunimi me pushtuesit për Shqipërinë, si gjatë luftës edhe pas saj. Po ashtu, duhet shpjeguar natyra e kolaboracionizmit, duke shmangur përgjithësimet, sikurse duhet studiuar me kujdes politika e grupimeve politike shqiptare në këtë kohë dhe mbi të gjitha duke analizuar vlerat e antifashizmit në përgjithësi dhe atij shqiptar në veçanti. Fakti që Shqipëria kaloi në një regjim komunist pas luftës, nuk e justifikon bashkëpunimin me pushtuesit.

Që Shqipëria do të mbetej në bllokun komunist, ishte vendosur tashmë ndërmjet Stalinit e Çurçillit dhe nuk varej vetëm nga shqiptarët. Divergjencat e krijuara në Shqipëri gjatë luftës ndërmjet grupimeve politike, veçse e favorizuan këtë gjë, duke e shndërruar në një proces të natyrshëm ardhjen në pushtet të fitimtarëve të luftës.
Sot, ka tendenca studimore që e trajtojnë njësoj luftën dhe pasluftën.

Ajo çka synohet është që, përveç tezës së luftës civile, të bindin shoqërinë shqiptare se si partizanët, ashtu edhe nacionalistët, më saktë ballistët, kishin të njëjtin status, atë të luftëtarit të lirisë. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë për elementë të caktuar të Ballit Kombëtar, por jo më shumë se gishtat e një dore dhe vetëm në fazat e para të luftës. Ndërkohë që, me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e pushtimit gjerman, por edhe të Ballit Kombëtar si organizatë, nuk ka asnjë rast kur ndonjë çetë e Ballit Kombëtar lufton kundër gjermanëve, por përkundrazi bashkëpunuan hapur me ta.

Kësisoj, veprimtaria e Ballit Kombëtar orientohet drejt një qëndrese antikomuniste dhe jo antifashiste. Arsyet e dështimit të nacionalistëve kërkohen te pala tjetër dhe kryesisht te bashkëpunimi i Partisë Komuniste me jugosllavët. Por ama, vazhdon ende të mbetet një temë tabu bashkëpunimi i emigracionit politik antikomunist shqiptar me UDB-në jugosllave për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, e sidomos prej vitit 1948, pasi u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Çuditërisht, Dušan Mugoša, që gjatë luftës etiketohej nga nacionalistët shqiptarë si mentor i Enver Hoxhës, armik i shqiptarëve dhe autor i shumë krimeve në Shqipëri, dhjetë vjet më vonë (1951-1952), tashmë gjeneral i UDB-së dhe kryetar i Komitetit të Prizrenit, i cili kishte detyrë kryesore organizimin e emigracionit politik shqiptar për të kryer veprime të armatosura për rrëzimin e qeverisë së Tiranës, bëhet papritur i pranueshëm për bashkëpunim për një pjesë të konsiderueshme të emigracionit politik shqiptar, qoftë si individë apo parti politike në emigracion. A thua që Dušan-i ishte shndërruar tashmë në një mik të shqiptarëve?

Përkrah rehabilitimit të protagonistëve kryesorë dhe të trashëgimisë historike të organizatave politiko-ushtarake e partive nacionaliste të kohës, një element i rëndësishëm në revizionimin e historisë në pothuajse gjithë vendet e ish-bllokut Lindor është edhe pastrimi i historisë kombëtare nga komunistët. Kjo tentohet të arrihet duke relativizuar nga njëra anë antifashizmin, meqenëse komunistët ishin përfaqësuesit kryesorë të tij dhe nga ana tjetër duke normalizimuar kolaboracionizmin.

Madje, përfaqësues të spikatur të revizionizmit historik shkojnë deri në kriminalizimin e luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Relativizimi që i bëhet antifashizmit dhe luftës kundër pushtuesve, tendencat për ta paraqitur atë si një luftë të mirëfilltë vëllavrasëse dhe jo antifashiste, i ka hapur rrugë rehabilitimit të shumë bashkëpunëtorëve të nazifashizmit. Ajo që vlen të diskutohet është pyetja, nëse mjafton antikomunizmi për të justifikuar gjithë dështimin e tyre politik, i cili u kurorwzua me bashkëpunimin me Gjermaninë e Hitlerit?

Antikomunizëm nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci, sikurse edhe antifashizmi nuk është baras komunizëm! Pra, ashtu si edhe në vende e tjera ballkanike, edhe në Shqipëri, manifestimi më radikal i riinterpretimit të historisë është apologjizimi dhe jo rrallë viktimizimi i kolaboracionistëve të njohur që u vranë në luftë kundër komunistëve ose që u dënuan nga gjykatat e pasluftës.

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se edhe në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, pjesë të ish-Bllokut Lindor, revizionimi akademik i historisë përbëhet nga tri aspekte kryesore: e para, kontekstualizimi i përpjekjeve për të kapërcyer të kaluarën totalitare, e dyta, konstruktimi i heronjve, viktimave dhe xhelatëve të rinj dhe e treta, formulimi i përparësive të reja shkencore. Secili nga këto tri aspekte ka mbështetësit e tij. Arsyet janë gjithëpërfshirëse, prej interesave politike, prejardhjes familjare, interesave financiare etj.

Sa i përket së ardhmes, fenomeni i revizionimit historik nuk do të ketë ndonjë impakt të madh. Me largimin e kohës do të kthjellohen këndvështrimet dhe politizimi e emocionalizimi i historisë do ja lerë vendin shkencës. Arkivat janë të hapura dhe studiuesit e ardhshëm do të kenë mundësinë të shkruajnë në mënyrë objektive. Por, revizionim historik ka një impakt shumë të madh mbi shoqërinë e sotme shqiptare, pasi e ka përçarë atë, duke e polarizuar tejskajshëm. Madje, ironikisht më shumë se në fillimvitet 1990, kur pas rënies së regjimit komunist, kjo gjë mund të kishte qenë më e mundshme.

***
Përfundimisht vlen të theksohet se historiografia është një shkencë dhe nuk është produkt i mendimeve arbitrare. Ajo bazohet në shfrytëzimin e burimeve dhe literaturës historike, jo në mënyrë selektive por gjithëpërfshirëse dhe duke i krahasuar ato.

Sikurse shkencat e tjera, edhe historia është dinamike. Ajo zhvillohet, arrin në përfundime më të arrira dhe gjen burime të reja. Nëse rishikimi i historisë vjen si produkt i studimeve të reja, revizionimi i historisë manipulon faktet historike, për të realizuar synime të politikës apo grupimeve të caktuara shoqërore. Po ashtu, historia mbetet një disiplinë e mendimit kritik. Kritika nuk i bën historianët “të majtë” apo “të djathtë”, por ajo ka shumë perspektiva. Faktet historike përcaktohen me metoda shkencore, të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme sepse interpretimi varet nga këndvështrimi i vëzhguesit.

Por, ky interpretimi duhet të jetë produkt i një debati të shëndoshë shkencor mes ekspertëve të fushës, bazuar në një dokumentacion arkivor të plotë dhe jo të keqinterpretuar, ku merren parasysh faktet përkatëse dhe mendimet e kundërta, pa fshehur faktet e burimet arkivore që nuk i përshtaten politikës së sotme apo interesave të tjera personale a familjare.

Ashtu si e gjithë shoqëria shqiptare edhe historiografia shqiptare është tashme prej mëse 30 vitesh në tranzicion. Tranzicioni i historiografisë do të përfundojë kur të forcohen e përmirësohet niveli i institucioneve shkencore që merren me shkrimin e historisë, kur të dalë nga kriza e të konsolidohet sistemi arsimor, ku “prodhohen” historianët e rinj dhe mbi të gjitha, kur të rritet ndërgjegjja qytetare në atë nivel, sa të arrijë të vlerësojë me objektivitet të kaluarën historike, sado e hidhur dhe problematike të ketë qenë ajo.

Përvoja e vendeve europiane perëndimore ka treguar se kjo është e mundur. Një miku im i moshuar gjerman, babai i të cilit kishte qenë ushtarak në Armën SS, e njohur për kryerjen e shumë krimeve gjatë Luftës, më ka thënë dikur: “Unë e dënoj pjesëmarrjen e tim eti në Armën SS, por ai mbetet babai im”.

Kur edhe në Shqipëri pasardhësit e atyre që kanë mëkate e krime në kurriz, pavarësisht se cilës palë i përkasin, të shprehen kështu, atëherë mund të thuhet se më në fund shoqëria shqiptare po ecën syhapur drejt së ardhmes.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.