Në ditë pas sulmit në veri të Kosovës, Vuçiç takohet me ambasadorin rus në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë

Shtator 25, 2023 - 12:45
 0
Në ditë pas sulmit në veri të Kosovës, Vuçiç takohet me ambasadorin rus në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

 

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.

 

Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

 

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

 

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

 

Të dielën, Vuçiçi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

 

Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.

 

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

 

Ky incident rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiçi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

 

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

 

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë./REL/

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.