Nevoja e përdorimit të mjeteve dhe metodave të shërbimeve inteligjente në procesin penal kërkon ndryshime emergjente me ligj 

Nga Gurali Brahimllari, Avokat Në legjislacionin shqiptar është përcaktuar dallimi midis veprimtarisë proceduriale të autoriteteve gjyqësore  në raport me mjeteve  apo metodave që përdorin shërbimet e inteligjencës sekrete për kryerjen e funksioneve dhe detyrave të tyre. Megjithë rendësinë që mund të kenë për sigurine kombëtare dhe parandalimin e krimeve të rënda,  informacionet e mbledhura nga […]

Shkurt 18, 2024 - 12:56
 0
Nevoja e përdorimit të mjeteve dhe metodave të shërbimeve inteligjente në procesin penal kërkon ndryshime emergjente me ligj 

Nga Gurali Brahimllari, Avokat

Në legjislacionin shqiptar është përcaktuar dallimi midis veprimtarisë proceduriale të autoriteteve gjyqësore  në raport me mjeteve  apo metodave që përdorin shërbimet e inteligjencës sekrete për kryerjen e funksioneve dhe detyrave të tyre.

Megjithë rendësinë që mund të kenë për sigurine kombëtare dhe parandalimin e krimeve të rënda,  informacionet e mbledhura nga shërbimet inteligjente, pavarësisht nga mjetet dhe metodat që mund të aplikojnë,  nuk përdoren as si prove direkte  dhe as si indicje (provë indirekte) në procesin penale. Ato shërbejnë vetëm si informacion i përgjithshëm, me ndikim në veprimtarinë gjurmuese – operative, të policisë së shtetit, duke ndihmuar organet gjyqësore për të shkuar tek prova proceduriale.

Por, në praktikën gjyqësore të kohëve të fundit, verehet në jo pak raste, konfuzion në lidhje me të dhënat e këtyre shërbimeve sekrete , deri interpretime dhe qëndrime në kundërshtim me ligjin procedurial dhe Kushtetutën, të cilat kanë vënë në dyshim ë drejtën e të hetuarve për procesin e rregullt ligjor.

Kështu në një çështje të shqyrtuar nga Gjykata e shkallës së pare Shkodër, jo vetëm rregjistrimi  i procedimit penal por edhe caktimi i masave të sigurimit  është bazuar në disa informacione sekrete të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, me përmbajtje, krejtësisht, operative e gjurmuese për shkak se, për të dhënat e mbledhura, jo vetëm mungonte vendimi i gjykatësit apo autorizimi i prokurorit, por nuk kishte dijeni as Drejtoria Vendore e Policisë. Me këto Informacione sekrete Gjykata e faktit pranoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të gjithë zinxhirin komandues në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër si dhe caktoi masa sigurimi personal, në mungesë totale të dyshimit të arsyesëm të bazuar në prova.

Edhe pse nga mbrojtja u evidentua kjo paligjshmëri, Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë, rrëzoi kërkimin për papërdorshmërinë e tyre si prove, me arsyetimin se: “… të ashtuquajturat “Informacione sekrete”, që janë dokumente të brendshme të institucionit, në raport me çështjen konkrete merren në shqyrtim si prova me dokument, në kuptim të nenit 191 të K.Pr.Penale, ndërkohë që  për marrjen dhe vlerësimin e tyre në këtë cilësi (si provë me dokument) ligji  nuk parashikon ndonjë ndalim dhe marrja e tyre  nuk shkel të drejtat dhe liritë themelore të ndonjë personi . Rrjedhimisht janë të përdorëshme…”

Kjo qasje është më shumë se sa shkelje e normave proceduriale mbi kuptimin e provës dhe lejimin e përdorimittë tyre në procesin penale.

Po kështu, në praktikën gjyqësore po shtohen tendencat per tu dhënë vlerë provuese në procesin penal edhe  informacioneve policore, të instutucioneve ndërkombëtare, sikurse janë ato të dërguara nga EUROPOL, (e njohur edhe si Zyra e Policisë Europiane)  apo INTERPOL (Organiziat nderkombetare e policisë kriminale). Ndonëse këto institucione japin kontribut të spikatur në bashkëpunimin policor mes vendeve Europiane apo në një rrafsh më të gjerë, të dhënat e tyre janë vëtëm “NJOFTIME – INFORMACIONE” policore, të cilat, ndihmojnë policinë gjyqësore dhe organin procedues që të kryejnë veprime hetimore proceduriale për verifikimin e tyre. Gjithsesi, të dhënat që përmbajnë Informacioent e këtyre organizmave policore, nuk mund të përdoren kurrë si prova apo indicje në lidhje me përgjegjësinë penale të subjekteve apo për caktimin e masave të sigurimit personal dhe/ose pasuror kundër tyre.

Ndërkohë nevoja për përfshirjen edhe në procedurë penale të provave të mbledhura me ndihmën e shërbimeve sekrete dhe mjetet  e avancuara  teknike që ato kanë në dispozicion, po bëhet gjithnjë e më shumë e domosdoshme. Kjo determinohet nga sfidat globale të sigurisë, sikurse janë nevojat për të përballuar rrezikun e terrorizmit, kërcënimet për sigurinë kibernetike, lufta kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në  masë, krimi i organizuar, trafikui i lëndëve narkotike etj.

Duke vlerësuar dobishmërinë e të dhënave të shërbimeve sekrete në proceset penale, vitet e fundit, disa shtete kanë përmirësuar legjislacionin penal me qasje lejimin e përdorimit si provë në proceset gjyqësore, të informacionit që merret nga këto shërbime apo që sigurohet nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përdorura prej tyre, me fokus të veçantë përgjimin elektronik.

Kështu Mbretëria e Bashkuar ka zgjedhur të lejojë përdorimin e drejtpërdrejtë në proceset penale, të provave të siguruara në mënyrë të pavarur nga shërbimet inteligjente nëpërmjet përgjimeve të pakufizuara, por ky legjislacion u vleresua nga GJEDNJ i papajtushëm me

Konventen  për shkak se metoda teknike të përdorurar kryenin përgjim masiv të shtetasve, të paautorizuara nga gjykata (vendimi i dt 25 Maj 2021 ne çeshtjen  Big Brother Watch kundër Mbretërisë së Bashkuar).

Edhe Hungaria ka patur të njëjtën qasje, prandaj GJEDNJ me vendimin e datës 12.01.2016, në çështjen Szabó dhe Vissy kundër Hungarisë, konstatoi se autorizimi për përgjim mund të jepej edhe për një ‘rreth personash’, çka mund të shërbente si shkak për vëzhgim të pakufizuar të një numri të madh qytetarësh. Sipas Gjykatës kjo situatë ishte e papranueshme sepse “kërcënimi terrorist zëvendësohej në mënyrë paradoksale me një kërcënim të pakufizuar të  pushtetit ekzekutiv për të ndërhyrë në sferat private të qytetarëve, nëpërmjet teknikave të pakontrolluara të përgjimit në shkallë të gjerë.  Për më tepër, ligji i brendshëm nuk parashikonte një mekanizëm kontrolli gjyqësor që të vihej në lëvizje nga ata që i nënshtroheshin mbikëqyrjes së fshehtë.

Ndërsa Franca ka zgjedhur rrugën e ndërhyrjes në Kodin e  Procedurës Penale, duke bërë ndryshime të vazhdueshme, të cilat lejojnë që të përdoren në proceset penale provat e siguruara nga shërbimet e inteligjencës, por me autorizimin e arsyetuar të një magjistrati,

Ndër më të rendësishme janë ndërhyrjet ne legjislacionin procedurial  të datës 23/03/2019, për shkak se parashikuan mundësinë e autorizimit të  shërbimeve të inteligjencës që të krijonin një paisje teknike të aftë për të ndërhyrë në fluksin e bisedave, duke përftuar dhe trasferuar në mënyrë të njëkohëshme të dhënat në një server të dytë që administrohej nga autoritet ligjzbatuese.  Ndonëse detajet e të dhënave të pasisjes teknike, konsiderohen pronë e shtetit Francez, interesat e mbrojtjes së të dyshuarve, garantohen nga e drejta për të njohur përmbajtjen e vendimit të gjykatës që autorizion krijimin dhe vendosjen e pajisjes përgjuese; të drejtën për të marrë kopjen e procesverbalit që tregon  kohën e fillimit dhe mbarimit të procedurës së përgjimit, si edhe të procesverbalit që vërteton çertifikimin, nga një autoritet i pavarur e të dhënave të përgjuara etj.

Sipas kësaj përvoje si dhe me qëllim që të përballohen situatat praktike të hetimeve të veprave penale  sensitive për publikun dhe sfiduese për organet ligjzbatuese, është koha që edhe në vendin tonë të ndërmerre hapat e duhur për ndërhyrje legjislative me qëllim thirrjen e kapaciteteve intelektuale  dhe mjeteve teknike që përdorën prej shërbimeve sekrete.

Pa ceduar nga parimi i “shënjtë” i ligjshmërisë në procesin penal,  është koha që  edhe në legjislacionin tonë të ndërhyhet me një plan të gjerë dhe afatgjatë duke parashikuar, ndër të tjera,  ndryshime në dispozitat aktuale procedurial apo duke krijuar dispozita të reja për aplikimin e teknikave të avancuara në dobi të hetimeve penale.

Me kërkesën e prokurorit, mund të autorizohen nga gjykata, edhe shërbimet e inteligjencës sekrete, që të krijojnë dhe venë në përdorim pajisje përgjuese kompjuterike të cilat arrijnë të kryejnë përgjimin e quajtur “masiv”  në çdo platformë komunikimi që përdor apo që  mund të “krijojë” krimi i organizuar dhe terrorizmi, në të ardhmen.

Ndryshimet e mundëshme ligjore nuk mund të pengohen nga fakti se, për këto metoda e mjete teknike, aktualisht, shërbimet tona të inteligjencës sekrete, mund të  mos kenë kapacitetet e duhura. Parashikimi i tyre në legjislacionin e brendshëm, jo vetëm do të krijonte mundësinë  e angazhimit të  shërbimeve sekrete të vendeve partnere, por edhe do të  krijonte shtratin e ligjshmërisë së munguar,  për të përdorur si provë në proceset penale, të të dhënave të siguruara nga  autoritetet e huaja nëpërmjet mjeteve teknike  të krijuara dhe përdorurar nga shërbimet e tyre inteligjente, të cilat merren/dërgohen nepërmjet letërporosisë ndërkombetare.

Prandaj ndërhyrja legjislative në këtë drejtim, mendoj se përbën emergjencë, për shkak të nevojës që kanë autoritetet tona gjyqësore, që të përballojnë metodat e reja të krimit të organizuar, i cili, përshtatet shpejt me zhvillimet e teknologjisë kompjuterike,  sikurse ndodhi edhe me përdorimin e paltformave të enkriptuara.

Është fakt i njohur  se kapja dhe dekriptimi i komunikimeve mes abonentëve të  këtyre platformave, me metoda dhe mjete të inteligjencës sekrete, pati sukses në goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.  Ndërsa përdorimi, aktual, i këtyre të dhënave në proceset penale jashtë shtetit Frances është vënë në diskutim, për shkak të mungesë së përputhshmërisë së metodave proceduriale dhe mjeteve teknike të përdorura nga autoritetet gjyqësore Franceze (me ndihmën e inteligjencës sekrete), në raport me kufijtë e përcaktuar nga  ligjislacioni i brendshëm i vendeve të tjera në lidhje me përgjimin dhe rezultatet e tij në procesin penal.

Nga debatet e zhvilluara gjithnjë e më shumë po fiton terren qëndrimi se të dhënat e marra nga autoritte Franceze janë rrjedhojë e përgjimit masiv, i cili  as nuk parashikohet dhe as nuk lejohet nga legjislacioni i pjesës më të madhe të vendeve të BE.

Duke e para më gjerë përmbajtjen e legjislacionit shqiptar, theksojmë se përgjimet masive si dhe mjetet teknike të realizimit të tij, nuk lejohen as sipas ligjit procedurial dhe as sipas ligjit të përgjimeve parandaluese.  Kështu, përgjimi procedurial, si  mjet i kërkimit të provës  rregullohet me përcaktimet e neneve 221 e vijues të K.Pr.Penale të cilat lejojnë Prokuroriën të paraqesë në Gjykatë kërkesën për përgjim  ndaj një personi konkret, duke motivuar edhe dyshimin për përfshirjen e tij në kryerjen e një vepre të caktuar penale.  Pra  lejohet vetëm përgjimi i “synuar”,  ndaj një personi të dyshuar për vepra penale të përcaktuara në ligj apo të një personi që  dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari për veprimtarinë kriminale, apo që merr pjesë në trasaksione me të dyshuari.

Përgjimi i komunikimeve të të dyshuarit ose personave që komunkojnë drejtpërdrejtë me të, realizohet nëpërmjet vendosjes në përgjim të fshehtë të një numër konkret telefonik, celular apo stacionar, si edhe të komunikimeve nëpërmjet kompjuterit apo i mjeteve të tjera elektronike.

Edhe përgjimi ambiental në vende private apo publike, sipas përcaktimeve në ligj, lejohet vetëm ndaj  personave konkret.  Përgjimet e realizuar në kundërshtim me sa më sipër  nuk lejohen,  prandaj, nëse kryhen,  sipas përcaktimit të nenit 226 të  K.Pr.Penale “rezultatet e përgjimeve nuk mund të përdoren”

Madje edhe përgjimet parandaluese, jo proceduriale, që realizohet me kërkesë të shërbimeve të ndryshme të  inteligjencës sekrete, sipas ligjit nr.9157/2003 Për përgjimin e komunikimeve elektronike (I ndryshuar), jo vetëm duhet të urdhërohet me vendimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për KKO, por edhe përcakton se “Subjekt përgjimi” janë personat e dyshuar si autorë krimesh të rënda, për të cilat  duhet të jepen gjeneralitetet dhe adresa e subjektit në proces informativo-gjurmues ose në ndjekje, si dhe adresa e mjedisit/mjediseve me të cilat lidhet kërkesa për përgjim të komunikimeve elektronike etj, .

Kjo përmbajtje e legjislacionit tonë që rregullon përgjimin e fshehtë procedurial apo parandalues, edhe pse nuk i përgjigjet intensitetit të krimit të organizuar dhe terrorizmit, duhet të respektohet, pasi në të kundërt shkelet parimi i ligjshmërisë në procesin penale.  Prandaj del e nevojshme që mjetet e sofistikuara të përdorura nga krimi i organizuar, të përballohen duke bërë ndryshimet përkatëse në legjislacion, të cilat duhet të përfshijnë edhe mundësinë e thirrjes për ndihmë të shërbimeve inteligjente dhe lejimin e përdorimit të metodave dhe mjeteve të tyre teknike.

Madje sfidat e krimit të organizuar dhe terrorizmit kërkojnë që me të njëtën qasje, ndërhyrja të përfshirë edhe  pjesë të tjera të ligjit procedurial,  sikurse janë neni 208/a që rregullon “sekuestrimin e të dhënave kompjuterike”; neni 209 për “sekuestrimin e korespondences”; neni 299/a që përcakton “ruajtjen e përshpejtuar dhe mirëmbajtjen e të dhënave kompjuterike” apo neni 299/b që rregullon  “ruajtjen e përshpejtuar dhe zbulimin e pjesëshëm i të dhënave kompjuterike

Ndryshimi i këtyre dispozitave proceduriale  apo  shtimi i dispozitave të reja,  edhe pse duhet të përcaktojnë mundësinë e  angazhimit të kapaciteteve dhe mjeteve teknike të shërbimeve të inteligjencës sekrete për nevojat e hetimit penal,  duhet të garantojnë, njëheresh, edhe parimet e ligjshmërisë, të proporcionalitetit si edhe  në tërësi parimet e tjera të procesit të rregullt ligjor, sikurse është e drejta e të dyshuarit për njohjen me materialin e çështjes dhe me mënyrën e formimit të provave që do të paraqiten nga Prokuroria kundër tij.  Sjellim në vemendje përcaktimet e GJEDNJ, në vendimin e dhënë në shtator 2023, në  çështjen Y.Y, (përdorues i aplikacionit ByLok), kur ka arsyetuar se “provat e marra, qofshin ato elektronike ose jo, nuk mund të përdoren nga gjykatat vendase në një mënyrë që cënon parimet bazë të një gjykimi të drejtë, edhe kur është fjala për vepra penale të rënda, përfshirë edhe ato terroriste.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.