Nga raketat Scalp tek sistemet HIMARS… Me çfarë armësh perëndimore mund ta sulmojë Kievi Rusinë?

Pas një fushate intensive diplomatike dhe negociatave të lodhshme, Ukraina ia doli të bindë aleatët perëndimorë të shkelin një tjetër vijë të kuqe, sa i përket mbështetjes ushtarake në luftën kundër fqinjit të saj agresiv, Rusisë. Javën e kaluar, Presidenti amerikan Joe Biden hoqi kufizimet ndaj armatimeve amerikane, duke lejuar Kievin t’i përdorë ato kundër […]

Qeshor 5, 2024 - 14:55
 0
Nga raketat Scalp tek sistemet HIMARS… Me çfarë armësh perëndimore mund ta sulmojë Kievi Rusinë?

Pas një fushate intensive diplomatike dhe negociatave të lodhshme, Ukraina ia doli të bindë aleatët perëndimorë të shkelin një tjetër vijë të kuqe, sa i përket mbështetjes ushtarake në luftën kundër fqinjit të saj agresiv, Rusisë.

Javën e kaluar, Presidenti amerikan Joe Biden hoqi kufizimet ndaj armatimeve amerikane, duke lejuar Kievin t’i përdorë ato kundër objektivëve në territorin rus.

Ofensiva e re që trupat e Moskës nisën më 10 maj kundër qytetit të dytë më të madh në vend, Harkiv, i dha një shtysë përpjekjeve të Presidentit Volodimir Zelensky për të qetësuar frikën e SHBA dhe Europës për një përshkallëzim të mundshëm me Rusinë, nëse armët e siguruara prej tyre përdoreshin për të goditur territorin rus. Bombardimet e pamëshirshme ndaj qytetit dhe grumbullimi i 90 mijë trupave në rajonin rus të Belgorod, pranë Harkiv, bindën amerikanet të ndryshonte qasje…

Leja e SHBA është një lëvizje e guximshme, por gjithashtu edhe shumë e kushtëzuar. Ukraina mund të godasë objektiva vetëm pranë Harkivit dhe Uashingtoni mbetet i vendosur të mos lejojë Ukrainën të përdorë armën me të jashtëzakonshme që i ka dhënë për t’u mbrojtur nga Rusia: raketat me rreze të gjatë të njohura si ATACMS, të cilat mund të godasin objektivë deri në 300 km largësi. Ato do të ishin në gjendje të arrinin thellë në territorin rus, duke rrezikuar një përshkallëzim të rrezikshëm me Moskën.

Vetoja amerikane lidhur me raketat me rreze të gjatë, do të jetë barriera e radhës të cilën Kievi do të përpiqet të tejkalojë. Komandantë të lartë të ushtrisë ukrainase thonë se raketat me rreze të gjatë, të mbushura me municione thërrmuese, janë e vetmja mënyrë për të goditur përqendrimin e madh të trupave pranë Harkivit.

Uashingtoni nuk është i vetmi që i jep kartë të gjelbër Ukrainës lidhur me armatimet, madje mund të themi se vendimi i tij është më i vonuari në këtë aspekt. Fillimisht ishte Sekretari për Punët e Jashtme në Britaninë e Madhe, David Cameron, i cili gjatë një vizite në Kiev në datën 3 maj tha se Ukraina duhet të jetë në gjendje të sulmojë Rusinë me armatimet perëndimore, edhe pse zyrtarisht drita jeshile e Londrës nuk ka mbërritur ende.

Por, më i zëshmi në favor të kalimit të vijës së kuqe dhe jo vetëm sa i përket armatimeve, ishte Presidenti francez Emmanuel Macron: “Ukraina po sulmohet nga bazat në Rusi. Atëherë, si t’ia shpjegojmë Kievit se do të na duhet t’i mbrojmë këto qyteza ruse”, pyeti Macron, i cili ka lënë të hapur gjithashtu mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Deri më tani, për sulmet ndaj pozicioneve armike në territorin rus, Ukrainës i është dashur të mbështetet ekskluzivisht tek raketat e epokës sovjetike, S-200 dhe S-300, ose dronët e prodhuar në vend, të cilët mund të mbajnë vetëm ngarkesa të vogla dhe që mund të rrëzohen lehtësisht nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë.

Por, çfarë armësh perëndimore ka në dispozicion dhe mund të përdorë Ukraina për të goditur objektivë brenda Rusisë?

E çliruar nga kufizimet e aleatëve, Kievi mund të godasë pozicionet ruse me raketat SCALP të Francës dhe me gjasë së shpejti edhe Storm Shadow të Britanisë së Madhe. Të dyja këto versione kanë rreze veprimi deri në 250 km largësi dhe mund të lëshohen nga flota e avionëve ukrainas të luftës nga koha sovjetike. Një sërë vendesh, përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Norvegjinë dhe SHBA, i kanë dhënë Kievit raketahedhëse me bazë në tokë, të cilat mund të lëshojnë raketa me rreze të gjatë. Këto sisteme njihen si HIMARS dhe MLRS, por me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, do të mund të përdoren vetëm për të lëshuar raketa me rreze më të shkurtër si ato që njihen si GMLRS. Me rreze veprimi deri në 70 km, ato mund të godasin qendra të komandës dhe kontrollit e po ashtu municione armësh në rajonet pranë kufirit, por, sipas ekspertëve, nuk do të sjellin ndonjë ndryshim të madh.

Kievi do të mundet gjithashtu të përdorë kundër bazave ruse edhe 24 avionët e luftës F-16, të cilat Holanda është zotuar t’ia japë forcave ukrainase. Drita jeshile erdhi nga ministrja e Jashtme e këtij vendi, Hanke Bruins Slot. Ajo tha se e drejta për t’u vetëmbrojtur nuk duhet të ketë kufij për përdorimin e armatimeve. Nuk është e qartë nëse Danimarka do të lejojë përdorimin e 19 avionëve të luftës që do të çojë në Ukrainë. Të paktën 4 vende të tjera, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar avionë lufte për Kievin, ndërsa Turqia dhe Britania i kanë dhënë dronë me rreze të gjatë veprimi që mund të fluturojnë direkt drejt Rusisë.

Për herë të parë që prej heqjes së kufizimit nga SHBA dhe aleatët e tjerë, Kievi njoftoi të martën se kishte goditur me sukses një sistem raketor S-300 brenda territorit rus, duke përdorur armatime të Perëndimit.

Vendimi i shteteve të NATO-s për të lejuar përdorimin e armatimeve që i dërgojnë Kievit për sulmet ndaj territorit rus ka zemëruar Moskën. Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi me pasoja serioze nëse diçka e tillë do të ndodhte, duke e vënë theksin tek supremacia bërthamore e shtetit të tij. Reagimi u përforcua më vonë edhe nga Ministria e Jashtme, e cila i kujtoi Perëndimit se Putin nuk po bënte shaka dhe se deklaratat e tij nuk duhej të shpërfilleshin. Mes kërcënimeve për pasoja fatale, Moska po flet gjithmonë e më shumë për mundësinë e një konflikti global, teksa akuzon NATO-n se po përfshihet drejtpërdrejtë në luftë.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.