Një manifest humanist për kohën tonë

Nga Fatos Tarifa Epoka e sotme si moderniteti i vonë Sociologu i njohur amerikan Craig Calhoun e karakterizon në këtë mënyrë epokën e sotme: “Sot është bërë mjaft e përhapur ndjesia se jetojmë në një epokë që karakterizohet nga ndryshime më të shumta se zakonisht. Disa, madje, mendojnë se kapitalizmi do të shembet. Shumë të […]

Janar 29, 2024 - 08:08
 0
Një manifest humanist për kohën tonë

Nga Fatos Tarifa

Epoka e sotme si moderniteti i vonë

Sociologu i njohur amerikan Craig Calhoun e karakterizon në këtë mënyrë epokën e sotme:

“Sot është bërë mjaft e përhapur ndjesia se jetojmë në një epokë që karakterizohet nga ndryshime më të shumta se zakonisht. Disa, madje, mendojnë se kapitalizmi do të shembet. Shumë të tjerë besojnë se shtetet kombëtarë po e humbasin aftësinë e tyre për të gjeneruar prosperitet ekonomik dhe siguri. Jo të paktë janë ata që thonë se, vetë demokracia është ezauruar. Përhapja e populizmit të kujton vitet 1930. Ndjesia e një rendi të vjetër që po shembet dhe e një rendi të ri që ende s’ka lindur të kujton fin de siècle të 120 viteve më parë. Në një plan më të gjerë historik, disa flasin për një epokë të re aksiale, në analogji me epokën e lashtë, kur filozofët grekë, profetët hebrej, Buda dhe Konfuci u përpoqën t’i riorientonin e t’i rigjallëronin etikën dhe besimin. Shumë njerëz kërkojnë hapur rigjallërimin e fesë, ndërkohë që të tjerë kërkojnë një Iluminizëm të ri”.

Tabloja e mësipërme mund të mos jetë tërësisht e saktë, por ajo, pa dyshim, ofron një qasje provokative e të dobishme për interpretimin e transformimeve institucionale, intelektuale e morale në këtë periudhë të “modernitetit të vonë”.

Kjo periudhë nuk i ngjan më asaj të Iluminizmit e të Revolucionit Industrial—dy dukuritë historike kryesore me të cilat lidhet fillimi i epokës së modernitetit—pasi shoqëria e sotme, siç argumenton Anthony Gidens në librin e tij Pasojat e modernitetit, është bërë tepër komplekse dhe “shumëdimensionale në nivel institucional”.

Edhe pse baza e shoqërisë moderne është mendimi racional, në kohën e sotme duket se shoqëria po merr gjithnjë e më shumë një pamje “irracionale”. Dinamizmi i brendshëm i mënyrës moderne të organizimit shoqëror i ka përshpejtuar ritmin dhe gjerësinë e ndryshimeve sociale në një shkallë të tillë që, për shkak të natyrës refleksive të zhvillimit shoqëror, bëhet gjithnjë e më e vështirë të parashikohen pasojat e zhvillimeve të ardhshme.

Disa prej tyre, madje, si rreziku i një lufte bërthamore, problemet e mëdha të ndotjes së mjedisit, ose ngrohja globale, me të cilat përballet i gjithë njerëzimi, mund të jenë tashmë përtej kontrollit tonë.

Shoqëria e sotme moderne është globalizuar dhe vetë moderniteti “në mënyrë inherente bëhet gjithnjë e më shumë globalizues” (Giddens). Edhe pse çdonjëri prej nesh bën një “jetë lokale”, “botët fenomenale”—në kuptimin kantian të fjalës, si realitet i perceptuar dhe i kuptuar prej nesh vis-à-vis “botës noumenale”, realitetit ashtu siç është, ose botës së “sendeve në vetvete”—janë, në pjesën më të madhe, realisht globale.

Kjo krijon jo vetëm një univers eksperiencash të reja humane dhe mundësish të reja për zhvillim, por, siç vinte në dukje Ulrich Beck, edhe risqe të mëdha për “sigurinë ontologjike” dhe për fatet e individit e të mbarë njerëzimit.

Refleksiviteti si racionalitet

Në kushtet e sotme nuk është e vështirë të konstatojmë se vetë sekularizimi i së vërtetës (një prej arritjeve më të mëdha të Iluminizmit), ka pasur e vazhdon të ketë pasoja të rëndësishme për shoqërinë moderne, përderisa vetë refleksiviteti radikal, i cili është një parakusht për racionalitetin, ka provuar se, në të njëjtën kohë, bëhet varrmihësi i idesë se mendimi njerëzor racional mund të jetë burimi i njohjes së vërtetë.

“Edhe pse sfera e arsyes”, argumenton Giddens, “është tërësisht e papenguar, asnjë njohje nuk mund të mbështetet në një bazë të padiskutueshme, pasi edhe konceptet më të qendrueshme mund të shihen si të vlefshëm vetëm ‘në parim’, ose ‘deri në një njoftim të ri’. Përndryshe, ato do të shndërroheshin përsëri në dogma dhe do të shkëputeshin nga vetë sfera e arsyes, e cila përcakton, para së gjithash, se çfarë kuptojmë me vlefshmëri”.

Stadi i sotëm i zhvillimit shoqëror është pasojë logjike e vetë natyrës së modernitetit. Edhe vetë zhgënjimet nga racionaliteti, nga shkenca dhe nga shumica e atyre gjërave që disa filozofë dhe sociologë i përshkruajnë me termat “post-modern”, “post-industrial”, ose “post-kapitalist”, mund të konsiderohen si pasoja të paevitueshme të iluzioneve fillestare mbi të cilat u krijua moderniteti.

Pavarësisht se qëllimi kryesor i projektit të Modernitetit ka qenë që të prodhonte e të akumulonte dije ekzaktësisht të sigurta, sot ne jemi, siç thotë Giddens, “më pak të sigurt për shumicën e gjërave sesa kurdoherë më parë në periudhën modern”. Atë që Jean-François Lyotard e quante shoqëri “post-moderne”, Giddens e konsideron si një periudhë të modernitetit kur ky fillon të kuptojë natyrën e vet.

Sipas tij, njerëzimi ende nuk i ka parë pasojat përfundimtare të modernitetit dhe, prandaj, është pa vend të themi se kemi arritur në një periudhë post-moderne e të merremi me “aporitë post-moderniste”.

Përkundrazi, argumenton Giddens, ne jetojmë në një kohë kur, më në fund, duket se po e lëmë pas periudhën tradicionale paramoderne dhe kur shoqëria po bëhet tërësisht dhe më intensivisht moderne, ndërkohë që vetë projekti modern duket se po i afrohet fundit të tij logjik.

Humanizmi si gjendje e qenies sonë

Këto radhe i shkruaj në emër të një grupi humanistësh shqiptarë, që ndajmë përgjithësisht të njëjtat pikëpamje me Giddens-in, këtë mendimtar të shquar dhe “mbrojtës të humanizmit iluminist”, sidomos në tri çështje themelore:

Së pari, për ne, një shoqëri nuk mund të jetë plotësisht moderne nëse qëndrimet, veprimet, marrëdhëniet dhe institucionet e saj mbeten të ndikuara negativisht nga traditat. Venerimi i traditës—të menduarit e të vepruarit sikurse ka ndodhur tradicionalisht—është e kundërta e refleksivitetit modern.

Ne besojmë se ato shoqëri që përpiqen të “modernizohen” institucionalisht, duke u zhvilluar si demokraci kapitaliste, por që nuk shkëputen nga tradita të tjera konservatore e regresive siç janë, fjala vjen, pabarazia gjinore, ose mungesa apo nëpërkëmbja e shumë lirive e të drejtave njerëzore, kanë më shumë gjasa të dështojnë në përpjekjet e tyre për t’u bërë shoqëri moderne të suksesshme.

Së dyti, për shkak se ajo që e karakterizon modernitetin nuk është thjesht përqafimi i së resë, si qëllim në vetvete, por supozimi i një refleksiviteti të plotë, që përfshin edhe “reflektimin mbi vetë natyrën e reflektimit” (Giddens), ne e shohim modernitetin jo thjesht si një parakusht i domosdoshëm për lindjen e shkencave sociale, por edhe si telosin e tyre dhe të të gjitha disiplinave humane. Ne besojmë se objektivi i tyre është që të ofrojnë perceptime dhe ide kritike, jo thjesht fakte; të prodhojnë dije, jo siguri.

Së treti, ne nuk jemi pesimistë kur bëhet fjalë për atë se çfarë pritet të vijë më pas, në periudhën e vërtetë post-moderne. Për shkak të kufizimeve epistemologjike nga më të ndryshmet, për shkak të marrëdhënieve të pabarabarta me pushtetin, si dhe për shkak të dallimeve në vlera e në interesa, njerëzit nuk do të munden kurrë të parashikojnë e të kontrollojnë siç duhet pasojat e padëshiruara të zhvillimit shoqëror.

Por, ne përsëri besojmë se, së bashku, si pjesëtarë të së njëjtës racë humane, duhet të përpiqemi t’u bëjmë ballë forcave sociale shkatërruese përmes modelesh pozitive, të mbështetura në realitet dhe të orientuara drejt së ardhmes, modele jo të ngjashme me sociologjizmin marksist të një “shoqërie të mirë”, që mund të arrihet në rrugë revolucionare, por të ngjashme me atë çka Giddens e quan “realizëm utopik”, një filozofi dhe politika që synojnë—dhe mundësojnë—emancipimin e krejt shoqërisë dhe respektimin e interesave, të identitetit dhe të dinjitetit të çdo individi.

Në veprimtarinë tonë ne mbështetemi te Humanizmi, si një filozofi progresiste mbi jetën e individit e të shoqërisë, që s’ka nevojë për autoritetin dhe të mbinatyrshmen.

Humanizmi afirmon aftësitë dhe përgjegjësitë tona si individë në raport me veten dhe me shoqërinë, duke informuar e frymëzuar te çdonjëri nga ne parimet e një jete etike të shëndetshme, të jetuar mirë, të lumtur e të dobishme. Parime të tilla burojnë nga arsyeja, informohen nga eksperienca dhe inspirohen nga empatia.

Ne nuk jemi ideologë doktrinarë apo agjitatorë, as intelektualë sallonesh e kafenesh, por intelektualë publikë, që promovojmë racionalitetin, zhvillimin intelektual, mirëqenien e lumturinë personale dhe, bashkë me to, idenë e së mirës publike dhe realizimin e saj.

Për ne, lumturia njerëzore nuk është një imperativ kategorik abstrakt (à la Kant) i një metafizike të moralit; ajo është pjesë e humanitetit tonë. Lumturia është një ide, një gjendje dhe një motiv në jetën e përditshme të individit dhe, si e tillë, ajo është ideali më i lartë i humanizmit.

Impulsi që na frymëzon e na bashkon në këtë nismë është sa intelektual, aq edhe praktik. Ky impuls inspirohet nga projekti bekonian për zhvillimin e njohjes si një forcë për t’i vënë gjetjet e arsyes shkencore në shërbim të emancipimit të mëtejshëm të shoqërisë e të racës sonë humane.

Ne jemi për pavarësinë e arsyes, jo në kuptimin që ajo të shkëputet nga problemet reale të shoqërisë, por që të mos u nënshtrohet interesave të njerëzve ose të grupeve të caktuara me pushtet.

Në traditën e humanistëve më të shquar të shekujve të kaluar dhe atyre të ditëve tona, ne nuk besojmë në autoritetin, por në të vërtetën, ndaj dhe kërkojmë që çdo gjë t’ia nënshtrojmë gjyqit të arsyes.

Parimi bekonian se e vërteta nuk është pjellë e autoritetit, por e kohës, inspiron qëndrimin tonë ndaj dijes në përgjithësi, ndaj vlerave dhe ndaj idealeve shoqërore. Këto, sado të përshtatshme e të dobishme mund të duken se janë në një kohë ose në një vend të caktuar, ndryshojnë pashmangësisht si rezultat i progresit shkencor e moral të shoqërisë, bashkë me ndryshimin e të kuptuarit tonë mbi botën. Kjo e vërtetë është konfirmuar nga e gjithë historia e zhvillimit të intelektit njerëzor.

Humanizmi si një projekt intelektual

Projekt ynë intelektual është një nismë që synon të shërbejë si një forum idesh të lira e të hapura për njeriun dhe rolin e tij në shoqëri, të formuluara brenda dhe jashtë barrierave të disiplinave humane dhe disiplinave sociale të veçanta që i studiojnë ato, për të rigjallëruar interesimin e humbur, ose për të krijuar një interesim të ri e më të madh për Humanizmin si filozofi, si dije, si frymë, si veprimtari individuale e shoqërore.

Ne synojmë, gjithashtu, të afrojmë individë nga të gjitha moshat dhe shtresat e shoqërisë që, ashtu si ne, dëshirojnë t’i vënë arsyen dhe shpirtin e tyre në shërbim të vlerave e të aspiratave të Humanizmit.

Këto vlera dhe këto aspirata nuk janë të reja. Ato kanë ekzistuar e janë zhvilluar ndër shekuj dhe kanë frymëzuar shumë prej mendimtarëve, shkencëtarëve dhe artistëve më të shquar të të gjitha kohëve, duke filluar nga filozofët e lashtë grekë e romakë.

Mendimi i Protagorës se “njeriu është masa e të gjitha gjërave”—e gjërave që përdoren nga njeriu ose që, në një mënyrë a në një tjetër, janë të lidhura me të, si prona, grupet shoqërore, ndjenjat, idetë dhe gjykimet që burojnë nga mendja njerëzore—ka qenë ndoshta kontributi i hershëm më i rëndësishëm në këtë drejtim, pasi me të nënkuptohej dhe pohohej për të parën herë vlera e mosbesimit dhe e relativizmit (e vërteta ka gjithnjë karakter relativ) dhe, bashkë me të, shkurorëzoheshin perënditë olimpike dhe konfirmohej humanizimi.

Humanizmi që lindi në Italinë e shekullit të 14-të dhe u përhap e u zhvillua në mbarë Europën nuk e braktisi krejtësisht idenë e demiurgut por, duke ndjekur traditën e lashtë greko-romake, ringjalli besimin te njeriu, te aftësitë e tij për të arsyetuar dhe ngriti lart bukurinë fizike e shpirtërore të individit njerëzor dhe dinjitetin e tij.

Humanizmi si Iluminizëm

Iluministët e shekullit të 18-të e bënë humanizmin filozofinë dominuese të kohës. Asnjë prej filozofëve iluministë francezë—as Volteri, as Rusoi, as Monteskjë, as Didëroi, as Helvetiusi dhe as Kondorse—nuk ishin shkencëtarë natyrorë. Megjithatë, ata u bënë propaganduesit dhe popullarizuesit më entuziastë të revolucionit shkencor që nisën rilindasit e mëdhenj europianë—Koperniku, Kepleri, Galilei, Bruno dhe, më vonë, Dekarti, Lajbnici e Njutoni.

Iluministët ishin të bindur se, si bota fizike, ashtu dhe bota shoqërore, mund të njihen e të kuptohen duke u mbështetur në arsyen. “Pasionet”, shkruante Helvetius, “janë për moralin ashtu siç janë lëvizjet për fizikën; këto të fundit krijojnë, shkatërrojnë, ruajnë, gjallërojnë çdo gjë; pa to çdo gjë është e vdekur. Pasionet janë ato që i japin jetë botës morale”.

Sipas iluministëve francezë, i gjithë universi u nënshtrohet ligjeve natyrore, të cilat mund të zbulohen e të njihen përmes analizës racionale dhe kërkimit shkencor.

Nisur nga një kuptim i tillë, ata argumentuan mundësinë e progresit shoqëror dhe të perfeksionimit të vazhdueshëm të njerëzimit. Ata i shtrinë nocionet e arsyes dhe të së drejtës natyrore në të gjitha sferat e ekzistencës, duke i nxjerrë principet e organizimit shoqëror, siç shprehej Monteskjë “jo nga paragjykimet, por nga natyra e gjërave”.

Në vizionin e tij mbi historinë, si një marshim drejt progresit shoqëror, Kondorse argumentonte se shkalla e lirisë njerëzore shpjegon se përse disa shoqëri zhvillohen më shpejt dhe më shumë sesa të tjerat.

Ai besonte se vetë natyra njerëzore nxit lëvizjen historike për progres shoqëror në shkallë globale, ndërsa shkenca—e mbështetur në fakte e në vëzhgime dhe e hapur ndaj kritikave dhe nevojës për rishqyrtime—promovon individualizmin, tolerancën, barazinë dhe demokracinë. Për këtë arsye, shprehej ai, progresi në shkencë i shërben drejtpërsëdrejti progresit shoqëror.

Në veprën e tij Skicë për një paraqitje të progresit të mendjes njerëzore, Kondorse hodhi bazat e një Humanizmi pa Zot. Në fakt, para tij, La Metri kishte shpallur se i vetmi opsion i mundshëm për moralin njerëzor është të jesh i mirë pa pasur një Zot.

Kondorse ishte i bindur se shtimi i resurseve materiale që mundëson tregu i lirë e bën jo vetëm të mundur, por edhe të domosdoshëm eliminimin e varfërisë e të problemeve të shumta sociale që burojnë prej saj.

Më shumë se dyqind vite më parë, i bindur se progresi intelektual i njerëzimit kishte arritur në një stad të tillë, që kishte bërë të mundur edhe një transformim material rrënjësor të kushteve të jetës njerëzore, Kondorse pohonte se “ne jemi sot në prag të njërit prej revolucioneve më të mëdha të racës njerëzore”.

Zhan Zhak Ruso ishte, ndoshta, ndër të parët mendimtarë që përdori termin société dhe që e shtriu arsyetimin e tij në marrëdhëniet sociale. Doktrina e tij mbi kontratën sociale pati një ndikim të madh. Ajo influencoi ndieshëm mendimin e Kantit, të Hegelit dhe të Marksit.

Ky i fundit, për të argumentuar se kapitalizmi shkatërron esencën shoqërore humane të individit, u mbështet, veç të tjerash, edhe në pikëpamjen e Rusoit se liria njerëzore dhe potenciali human nuk realizohen dot individualisht, por arrihen përmes një sërë marrëdhëniesh shoqërore, të krijuara mbi bazën e arsyes kritike dhe të reflektimit kritik.

Ndërsa Rusoi ka qenë mendimtari më radikal i Iluminizmit, Kanti ishte, pa dyshim, filozofi më i shquar i tij. Edhe pse Kanti përfaqësonte krahun më konservator të mendimit iluminist në shekullin e 18-të, ishte pikërisht ai që dha përkufizimin më të famshëm të kësaj lëvizjeje intelektuale, duke iu përgjigjur pyetjes “Ç’është Iluminizmi?”.

Për Kantin, “Ilumizmi është lënia pas nga njeriu e gjendjes së vetëshkaktuar të papjekurisë së tij….Një papjekuri e tillë është e vetëshkaktuar, pasi shkaku i saj nuk është mungesa e inteligjencës, por mungesa e vendosmërisë dhe e kurajës së individit për të përdorur arsyen e tij, dhe jo atë të një tjetri. Sapere Aude! Guxo të përdorësh arsyen tënde! Kjo është, pra, motoja e Iluminizmit….Ajo që kërkohet për këtë iluminizëm është liria dhe, sidomos…liria e njeriut për të përdorur publikisht arsyen e tij në të gjitha çështjet”.

Në këtë pohim spikasin qartë tiparet themelore të mendimit illuminist e humanist—vlerësimi i arsyes mbi autoritetin dhe mbi traditën; besimi se individi njerëzor mund t’i kontrollojë kushtet e jetës së vet përmes cilësive të intelektit të tij, si dhe ideja se liria dhe e vërteta janë parime jetësore komplementare, që presupozojnë dhe përforcojnë njëra-tjetrën.

Kjo ide e fundit është, ndoshta, më e rëndësishmja në tërë mendimin iluminist, pasi ajo nënvizon bindjen se midis së vërtetës, lirisë, zhvillimit individual dhe së mirës sociale nuk ka asnjë kontradiktë.

Me Iluminizmin nis periudha e modernitetit dhe vetë moderniteti, siç vumë në dukje më sipër, shënoi ndërprerjen e rendit tradicional dhe shkëputjen nga tradita—nga mënyrat tradicionale të të menduarit, të sjelljes dhe të organizimit institucional të shoqërisë, të cilat mbështeteshin në marrëdhëniet farefisnore, në ontologjinë fetare dhe në praktikat tradicionale, që ishin në mënyrë inherente konservatore.

Mendimtarët më të shquar të periudhës së modernitetit—Marksi, Darvini, Ajnshtajni, Bertrand Raselli, Sartri e të tjerë—e kanë shpjeguar botën (dhe shoqërinë si pjesë e saj) nisur nga vetë ajo, pa pasur nevojë për hipotezën e një force jashtëtokësore, ose mbinjerëzore.

Vlerat dhe parimet iluministe që mbrojmë

Edhe pse me rrënjë të thella në historinë e mendimit e të kulturës njerëzore, Humanizmi, si një botëkuptim dhe si një sistem vlerash, frymëzon edhe sot miliona njerëz kudo në botë në përpjekjet e tyre për liri, për progres shoqëror, për të drejta dhe dinjitet njerëzor.

Vetëm gjatë shekullit të kaluar, disa prej humanistëve më të shquar i kanë formuluar dhe deklaruar publikisht parimet e kësaj filozofie dhe aspiratat e tyre në mëse një rast—për herë të parë në vitin 1933, në dokumentin që njihet si Humanist Manifesto, pastaj sërish më 1973, më 1980 dhe më 2003.

Ne udhëhiqemi nga të njëjtat parime dhe ndajmë me humanistët e çdo vendi të njëjtat vlera, interesa dhe aspirata. Shkurt, këto mund të përmblidhen si më poshtë:

Besimi te shkenca, jo te feja

Njohja e botës mbështetet dhe realizohet përmes vëzhgimit, eksperimentit dhe analizës racionale. Për ne, shkenca ofron metodën më të mirë për të njohur botën, shoqërinë dhe individin dhe për të kërkuar e zbuluar të vërtetën, përmes një procesi që nuk çon asnjëherë në të vërteta përfundimtare.

Ne e çmojmë të vërtetën dhe e synojmë atë, pasi ajo na ndihmon të bëjmë një jetë më të mirë. Por, ne nuk besojmë verbërisht në çdo gjë që shkenca e quan të sigurtë. Madje, edhe filozofë të shquar, që vendosmërisht kanë besuar në saktësinë e dijes shkencore, si Karl Popper, kanë pranuar se, “e gjithë shkenca qendron mbi rërë të paqendrueshme”. Në shkencë asgjë nuk është absolutisht dhe përfundimisht sigurt.

Sidoqoftë, nëse feja me dogmat e saj është një qorrsokak për arsyen njerëzore, shkenca ofron informacionin më të besueshëm për botën që na rrethon, tek i cili mund të mbështetemi e të shpresojmë. Për ne, nëse huazojmë fjalët e një autori të njohur amerikan, shkenca nuk është “një monument kushtuar së Vërtetës së arritur, por një metodë, përmes së cilës njerëzit e kërkojnë të vërtetën”.

Shkenca vë në dyshim çdo pretendim për dije absolute dhe, ipso facto, edhe besimin në vlera absolute. Për më tepër, shkenca është larg së qëni një instrument i përsosur dijeje; ajo është thjesht instrumenti më i mirë që kemi në dispozicion deri më sot për këtë qëllim. Në këtë kuptim, shkenca ngjan me demokracinë, të cilën Uinston Çërçill e cilësonte si formën më të keqe të qeverisjes përveç atyre që janë provuar deri më sot.

Jetojmë vetëm një herë dhe mund të jemi të lumtur

Qeniet njerëzore janë pjesë integrale e natyrës, specia e llojit më të lartë që njohim deri më sot, e krijuar si rezultat i ndryshimeve evolucionare e selektive natyrore, të padizenjuara nga asnjë fuqi mbinatyrore.

Ne besojmë se jeta jonë tokësore është e vetmja jetë që kemi dhe, prandaj, ajo duhet jetuar e gëzuar sot, këtu në tokë, deri në fund dhe plotësisht. Kujtdo që shpreson dhe synon të arrijë lumturinë, dëshirojmë t’i kujtojmë fjalët e humanistit të njohur amerikan të shekullit të 19-të, Robert Ingersoll: “Koha për të qenë të lumtur është sot. Vendi për të qenë të lumtur është këtu. Mënyra për të qenë të lumtur është që t’i bëjmë të tjerët të ndihen të tillë”.

Ne nuk u shmangemi të panjohurave dhe sfidave që mund të ndeshim në jetë, por përpiqemi t’u japim atyre kuptim, mbështetur në arsyen dhe me dëshirën e vullnetin për të çuar përpara njohjen tonë për botën që na rrethon e për ta vënë këtë njohje në dobi të shoqërisë.

Liria dhe dinjiteti janë vlera njerëzore supreme

Vlerat etike të çdo individi dhe ato të shoqërisë burojnë nga nevojat dhe interesat njerëzore. Ne i çmojmë idetë iluministe të Lokut, të Hobsit e të Kantit, të cilët bazën e parimeve morale e shihnin te disa standarde të racionalitetit.

Sidoqoftë, ndryshe nga Kanti, ne nuk mendojmë se parimet dhe vlerat morale janë koncepte a priori. Për ne, dobia apo drejtësia e tyre provohen në eksperiencën njerëzore. Ne besojmë se çdo njeri meriton në mënyrë inherente një jetë dinjitoze dhe çdo liri që e mundëson atë të bëjë zgjedhje të informuara e të përgjegjshme.

Mirëqenia individuale dhe e mira shoqërore

Një jetë dinjitoze dhe e jetuar plotësisht është e mundur vetëm nëse individi preokupohet për problemet e shoqërisë dhe angazhohet për zgjidhjen e tyre, duke u shërbyer idealeve humane dhe interesave publike.

Zhvillimi i plotë si qenie njerëzore është i pamundur nëse jeta jonë nuk ka një qëllim dhe nuk frymëzohet nga parime humane, që s’kanë të bëjnë vetëm me mirëqenien tonë si individë, por edhe me mirëqenien e shoqërisë.

Kjo nuk do të thotë se ne i mohojmë interesat vetjake të individit. Përkundrazi, ashtu si Bernard Mandevil, Spinoza, Adam Smith dhe shumë të tjerë, ne besojmë se interesi vetjak është një forcë reale në jetën dhe në veprimtarinë e çdo individi dhe, po njëlloj si këta mendimtarë të shquar, e shohim interesin vetjak jo si një antidot ndaj së mirës publike, por, në një perspektivë afatmesme e afatgjatë, edhe si një kontribut për të.

Si qenie njerëzore, ne të gjithë jemi individë shoqërorë dhe jetët tona bëjnë kuptim e mund të realizohen plotësisht vetëm përmes marrëdhënieve që krijojmë dhe zhvillojmë me individë të tjerë. Marrëdhëniet e bashkëpunimit e të respektit reciprok ndihmojnë dhe pasurojnë jo vetëm jetën tonë, por edhe jetën e të tjerëve. Ato frymëzojnë e mundësojnë paqe dhe harmoni sociale, drejtësi dhe mundësi për të gjithë.

Mirëqenia dhe lumturia individuale kushtëzohen e maksimizohen nga kontributi që ne, si individë, japim për mirëqenien dhe lumturinë e shoqërisë. Kulturat progresiste gjithnjë kanë shërbyer për ta çliruar individin nga brutaliteti i përpjekjeve thjesht për mbijetesë dhe për t’i reduktuar vuajtjet e pasiguritë njerëzore, duke i ndihmuar zhvillimit të komuniteteve të veçanta dhe mbarë shoqërisë.

Humaniteti si baza e të gjitha të drejtave humane

Ne besojmë në liritë dhe të drejtat e njeriut dhe i mbrojmë ato, ashtu siç besojmë dhe respektojmë diversitetin e racës sonë humane, përfshirë edhe diversitetin e vlerave, të traditave, të besimeve e të mendimeve. Për ne, të drejtat e njeriut nuk varen dhe as kushtëzohen nga pozita që individi zë në strukturën e shoqërisë, as nga roli që ai luan në sferën e politikës ose të ekonomisë.

Njerëzit kanë identitete unike, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht dhe, për këtë arsye, të drejtat e njeriut dhe domosdoshmëria e mbrojtjes së tyre burojnë nga premisa se njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore.

Këto të drejta janë “humane”, sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, klasës së cilës i përkasin, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse janë të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera.

Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t’i mohohen, t’i hiqen ose t’i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t’i ushtrojnë realisht ato.

Si premisa mbi të cilën bazohen të drejtat e njeriut, humaniteti presupozon ndërvarësinë e qenieve njerëzore si të tilla dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi. Këto arrihen përmes barazisë mes njerëzve, përmes konsideratës për Tjetrin dhe përmes solidaritetit njerëzor—kushte të domosdoshme këto për mirëqenien dhe demokratizimin e vazhdueshëm të vetë shoqërisë.

Hanah Arendt vinte në dukje se të drejtat e njeriut bazohen në idenë e barazisë dhe kjo kërkon gjithmonë që, çdonjëri nga ne të mendojë për dikë tjetër si një qenie tjetër njerëzore. Sipas saj, liria zbulohet dhe kuptohet përmes dallimeve dhe vetë dallimet janë zbulimi i lirisë dhe kuptimi i saj. “Është pikërisht ajo çka është unike te ty që më bën mua të lirë”, shkruante Arendt.

Është të qenët tjetër ajo që i bashkon njerëzit mes tyre përmes gjuhës dhe fjalës, përmes konsideratës për njëri-tjetrin, si dhe përmes përgjegjësisë dhe reciprocitetit ndaj njëri-tjetrit. Me pak fjalë, për ne, baza e solidaritetit njerëzor është ajo që Lyotard e quante “respekt për të drejtat e tjetrit”.

Së fundmi, për ne, të drejtat e njeriut janë të drejta. Ato nuk janë thjesht aspirata ose deklarime se çfarë është e mirë ose e dëshirueshme. Ne i konsiderojmë ato të drejta jo thjesht për të pohuar se përfitimet që rezultojnë prej tyre janë të dëshirueshme ose të domosdoshme; as thjesht për të pohuar se çdo individ ka të drejtë që t’i gëzojë këto të mira, ose se është detyrë e shoqërisë që t’ia sigurojë ato çdo individi.

Këto të drejta janë pretendime legjitime që çdo individ ka të drejtë t’i realizohen, jo për mirësi apo bamirësi, por sepse ai, për shkak të humanitetit të vet, gëzon të drejtën për të pasur dhe gëzuar të mira e përfitime që janë esenciale për mirëqenien, për dinjitetin dhe për plotësimin e individit dhe që reflektojnë një kuptim të përbashkët mbi drejtësinë, barazinë dhe të moralshmen.

“A Very Simple Wish”

Këto janë parimet dhe aspiratat tona. Ne themi atë që jemi dhe ato vlera që kemi Ne nuk i fshehim ato, por i shpallim hapur për këdo që mendon dhe ndjen si ne, por edhe për ata që mendojnë ndryshe. Duke perifrazuar poezinë “Një dëshirë shumë e thjeshtë” të poeteshës së njohur amerikane, Nikki Giovanni, njëherësh edhe aktiviste e palodhur për të drejtat e njeriut, çdo lexuesi të nderuar të kësaj gazete ne i themi: Ne besojmë dhe mbështetemi te Humanizmi, dëshiron të bashkohesh edhe ti me ne?

Botuar në DITA

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.