Një monument për një nënë shqiptare

Nga Bajram Peçi Një shtatore monumentale “Nënë Shqipëri” e kemi, ndaj dikush do thoshte: ç’na duhet një tjetër? Por unë nuk ja drejtoj propozimin qeverisë shqiptare sepse ajo nuk do ta bënte dot një monument të thjeshtë për …Zamira Durdën. Po-po, për këtë grua të varfër e nënë të vuajtur, që mes 26 të vrarëve […]

Qeshor 13, 2024 - 18:20
 0
Një monument për një nënë shqiptare

Nga Bajram Peçi

Një shtatore monumentale “Nënë Shqipëri” e kemi, ndaj dikush do thoshte: ç’na duhet një tjetër? Por unë nuk ja drejtoj propozimin qeverisë shqiptare sepse ajo nuk do ta bënte dot një monument të thjeshtë për …Zamira Durdën. Po-po, për këtë grua të varfër e nënë të vuajtur, që mes 26 të vrarëve që banda e trafikantëve shqiptarë u mori jetën në shpërthimin e Gërdecit, ishte dhe biri i saj 7 vjeçar! Propozimin ja bëj shoqërisë civile, asaj pjese që e di dhe mbase ka vuajtur prej atyre që mbajtën në shpinë, pushtetarë, prokurorë e gjykatës që u tallën me nënat dhe familjarët që humbën njerëzit e tyre të dashur prej makutërisë.

Të vdekurit, shkatërrimi i fshatrave Gërdec e Marqinet, burgosja simbolike e disa përgjegjësave, arratisja nga frika e ish shefit të ushtrisë, ikja e Uithersit të implikuar, etj., u harruan, pasi u vendos nga gjykata se shpërthimi e pasojat ishin “një aksident teknollogjik”. Populli, i cili prej kohësh e kish humbur besimin tek gjithë sistemi ynë i drejtësisë, qeshi për gjetjen dhe përqeshi vendimmarrësit. U harrua dhe mënyra se si organet e drejtësisë fshehën përgjegjësit e vërtetë. Vetëm Zamira Durda nuk harroi padrejtësinë, gjakun e djalit që i vranë, nuk harroi talljen që ju bë asaj, familjes së saj, bashkëfshatarëve, duke ju dhënë në vend të drejtësisë për jetët e humbura, påra, me mendimin se kjo do t’i qetësonte. Dhe vërtet, disa u mikluan, harruan, por jo Zamira!

Nuk la dyer pa trokitur, me këmbëngulje e vendosmëri u drejtohej organeve të drejtësisë, të cilët, siç ndodhte rëndom kur ishin nën ndikimin e politikës berishiste, ishin të shurdhër, i mbyllin fët e fët dosjet, ose nuk i hapnin fare! Jo me inat, por me urtësi, me më shumë burrëri se shumica e trupave gjykuese, u bë, me veshjen në të zeza, ku e zhytën ata që i morën dritën e syrit, pjesë dramatike e familjes shqiptare.

Dhe ja arriti qëllimit: nxjerrjen para drejtësisë, vënjen në bangon e të akuzuarve të përgjegjësave të vërtetë. Një prej tyre është deputeti Fatmir Mediu, ish Ministri i Mbrojtjes, që nuk e dinte se aeroporti ndërkombëtar i Rinasit ishte pak kilometra nga vëndi që u aprovua për demontimin e armëve!? Na ruajti Zoti nga ndonjë e keqe edhe më e madhe!

Gjyqi ndaj tij u shtyu përsëri, çka po ndodh prej kohësh, siç po shtyhet prej vitesh dënimi i Salianjit, siç e kaloi me procedure Basha daljen për gjykim. Është një treguae, në mos gjykata të kapura, minimumi- gjykata të paafta.

Edhe nga ky gjyq Mediu mund të jetë i mbajtur me premtimin se nuk do ketë vullnet për t’i dalë çështjes në krye, ka siguri, i jepet siguri. Sali Berisha i detyrohet burrnisë së tij, ndaj me marrjen e vulës (nëse ngel kështu) do ta ketë prap një post deputeti. Sala nuk ja harron nderin kur, me daljen e artikullit të parë të New York Times mbi aferën e fishekëve me hieroglife kineze, u publikuan  telefonatat e fshehta mes Trebickës dhe Diverolit, ku përfliteshin kryeministri Berisha me të birin, si të përfshirë në trafikun e municioneve. Ndërsa Berisha e cilësoi në parlament gazetën e madhe e me shumë emër e histori, NYT, si letër hiqjenike, Mediu mori rrugën në mesnatën e 19 nëntorit 2007 të takonte ambasadorin Uithers. Qëllimi: bllokimi i investigimit të New York Times; bllokimi i zbulimit të aferës që lidhej me përvetësimin e pasurisë publike dhe kontrabandën e municioneve kineze në drejtim të Afganistanit, ndërkohë që Kina ndodhej nën embargo për armët, pas ngjarjeve në Sheshin Tien An Men.

Nderi shlyhet me nder, si për atë kohë dhe për gojën mbyllur në këto ditë gjyqi!

Trebicka, i prekur dhe i fyer që po e bënin dalje në paketimin e fishekëve, ku firma e tij ishte prodhuese e kutive të kartonit, zgjodhi të bënte një prononcim për publikun shqiptar e për këtë zgjodhi atëbotë gazetën “Shqip”. Në pranverën e vitit 2008, në detyrën e drejtorit të administratës së gazetës, jemi takuar e kemi biseduar gjatë. Në konfidencë më tregoi ç’po ngjiste, se e kish informuar Ambasadën SHBA dhe kërkoi që një nga gazetarët tanë të merrte përsipër të bënte një artikull. I konsultuar me kryeredaktorin Urim Bajrami, e këshilluam që ta shkruante vetë artikullin e ta sillte për botim, gjë që ai nuk e bëri. Por, avokati i tij informoi New York Times. Në shtatorin e atij viti u gjet i vdekur. Kabllogramete e publikuara nga Wikileaks tregojnë shumë nga gjërat që gjykata i ka “të qëruara” në dosje. Jehona e tyre në mjedisin politik e mediatik u pasua nga artikulli i gazetarit britanik, Endrju Gembëll, “Qeveria e gangsterëve që ne financojmë”.

 Asgjë nga këto nuk po del në gjyq. Ka muaj që po merren me ekspertë për “dëmet materiale”. Si u strukturua gjithe ky krim që u mori jetën njerëzve…bah, askush nuk ndihet ta kërkojë!

 Secila grua në Shqipëri ka historinë e saj, por Zamira Durda mbart një histori që e bën krenar shumicën: guximi i saj, dinjiteti i saj, trimëria e saj! Ky guxim i mungon sot ende gjykatës, çka e pengon për të nxjerrë emrat e vërtetë të krimit që erdhën si rrjedhojë e trafikut të influencës!

 Respekt të thellë për ju Zamira Durda!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.