Paga mesatare arritin mbi 71 mijë lekë nga rritja në administratë, biznesi privat vazhdon ‘shfrytëzimin’

Paga mesatare në vend ka arritur në 71.486 lekë në fund të tremujorit të tretë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar u rrit me 16%. Rritja e pagës mesatare është e ulët në raport me tremujorin e dytë të vitit, dhe sipas […]

Dhjetor 12, 2023 - 08:52
 0
Paga mesatare arritin mbi 71 mijë lekë nga rritja në administratë, biznesi privat vazhdon ‘shfrytëzimin’

Paga mesatare në vend ka arritur në 71.486 lekë në fund të tremujorit të tretë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar u rrit me 16%.

Rritja e pagës mesatare është e ulët në raport me tremujorin e dytë të vitit, dhe sipas përllogaritjeve rrogat në kulmin e sezonit turistik u rriten me vetëm 581 lekë.

Rritja më e madhe e rrogave ka ndodhur në sektorin shtetëror për shkak të reformës së pagave të ndërmarrë nga qeveria për të çuar pagën mesatare në 900 euro.

Në fund të tremujorit të tretë paga mesatare në shtet ishte 84.318 lekë, nga 82.207 lekë që ishin pagat në sektorin shtetëror në fund të muajit qershor, duke u rritur me 2.111 lekë.

E kundërta ka ndodhur në sektorin privat, ky rrogat kanë mbetur në vend numëro. Referuar raportit rroga mesatare e të punësuarve në sektorin privat në fund të tremujorit të tretë ishte 65.975 lekë, nga 65.901 që ishte në tremujorin e dytë, duke u rritur me vetëm 74 lekë.

Qeveria parashikonte një rritje të pagave në sektorin privat si pasojë e konkurrencës që do i vinte nga ai shtetëror, që aktualisht i ka pagat shumë më të larta. Por në fakt, privati si duket nuk e ka ndjerë këtë konkurrencë, dhe përpos faktit që vuan për punonjës, nuk ka bërë rritje rrogash.

“Gjatë tremujorit të tretë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe  Komunikacioni. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe  aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 18,6 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 11,4 %. Gjatë tremujorit të tretë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të  administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”,  ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar”, thuhet në raportin e INSTAT.

Rrogat më të ulta në vend janë në sektorin e bujqësisë me mesatarisht 47.6 mijë lekë, ndjekur nga ndërtimi me 57 mijë lekë dhe punonjësit e tregtisë, shërbimit dhe akomodimit me 57.3 mijë lekë.

 

 

/Shqiptarja.com. Eliza Gjediku

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.