Paganizmi është gjithmonë e më shumë në rritje, gjithçka filloi me “The Wicker Man”
The Economist Përktheu: Jonida Velia Kur mbreti Charles III vendosi një fotografi të një Njeriu të Gjelbër në ftesat për kurorëzimin e tij
Përktheu: Jonida Velia
Kur mbreti Charles III vendosi një fotografi të një Njeriu të Gjelbër në ftesat për kurorëzimin e tij në maj, pati shumë diskutime se çfarë mund të nënkuptojë simboli i gjethes në fytyrë. A ishte monarku i ri i Britanisë duke lënë të kuptohet se ai ishte një pagan? Apo po i referohej Green Man Inn në “The Wicker Man”, një film klasik britanik i cili u publikua 50 vjet më parë, në dhjetor 1973?
Shumica e kritikëve mbretërorë ranë dakord se Madhëria e Tij është ndoshta thjesht i apasionuar ndaj natyrës dhe kjo nuk lidhej me Wicker-mania. (Njeriu i Gjelbër nuk është aq një simbol pagan sa një simbol i rilindjes në përgjithësi.) Por filmi është aq ndikues sa teoria nuk mund të zhvlerësohet plotësisht.
Së bashku me dy të preferuarat e tjera të kultit britanik, “Witchfinder General” (1968) dhe “The Blood on Satan’s Claw” (1971), “The Wicker Man” përcaktoi zhanrin e “tmerrit popullor”: tregime që gjejnë diçka të frikshme, kërcënuese, por edhe tërheqëse, i shtrirë në fshatra të largëta, peizazhe të egra dhe ritet e lashta pagane. Filmat e fundit si “Enys Men”, “Men”, “Midsommar” dhe “The Witch” e kanë ringjallur zhanrin. Një sitcom britanik, “The Change”, përfundoi me Festivalin vjetor të “Ngjalës në Pyllin e Deanit”.
“The Wicker Man” ndjek një polic, rreshter Howie (Edward Woodward), i cili udhëton në një ishull Hebridean për të hetuar raportet e një vajze të zhdukur. Banorët e ishullit janë mjaft të sjellshëm, por sjellja e tyre duket se fsheh diçka lidhur me fatin e vajzës. E vetmja gjë që është e qartë për rreshter është se vendasit e kanë braktisur krishterimin dhe tani adhurojnë “zotat e vjetër”, nën tutelën e një aristokrati gazmor, Lord Summerisle (Christopher Lee). Duke qenë se rreshteri Howie është një i krishterë i devotshëm, ‘atmosfera pagane’ e shqetëson atë pothuajse po aq sa zhdukja e vajzës.
Pavarësisht se u etiketua si horror gjerësisht, “The Wicker Man” kundërshton t’i përkasë kësaj kategorie. Por realisht ky prodhim nuk është aq i frikshëm derisa arrin pikën kulmore; skenat fillestare kanë aq shumë shaka sa që filmi duket si një komedi. Po ashtu, ka mjaft këngë për t’u konsideruar si muzikal.
Më shumë se çdo gjë, “The Wicker Man” është një prezantim dashamirës e i detajuar i një komuniteti idilik neopagan. Banorët në vend që të kryejnë rituale okulte në fund të natës, praktikojnë besimin e tyre në mes të ditës, pavarësisht nëse po trajtojnë dhimbjen e fytit të një vajze duke i hedhur në gojë një zhabë të gjallë ose duke kërcyer lakuriq rreth një zjarri. (“Është shumë e rrezikshme të hidhesh përmes zjarrit me rrobat e tua”, arsyeton Lord Summerisle.)
Është ky respekt i ‘pakusht’ për besimet e banorëve të ishullit që e bën “The Wicker Man” të duket kaq i zakontë sot. Neopaganizmi ka qenë një temë që ka ngjallur mjaft polemika kohët e fundit, dhe jo vetëm për shkak të mbretit Charles. Në regjistrimin e vitit 2021, 74 mijë njerëz u identifikuan si paganë, nga 17 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011. Për herë të parë ndonjëherë, më pak se gjysma e qytetarëve të Anglisë dhe Uellsit e përshkruan veten si të krishterë.
Rreshteri Howie do të tmerrohej, por ndërsa bota bëhet gjithnjë e më e furishme dhe teknologjike, dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike bëhet gjithnjë e më e ‘dëshpëruar’, ka ende një apel nostalgjik për traditat që janë të ngulitura në natyrë, në fshat dhe në ndryshimin e stinëve. Në një nivel, “The Wicker Man” mund të ketë qenë menduar si një paralajmërim kundër “zhytjes” në bestytnitë misterioze dhe të egra, por sot ai shfaqet si një reklamë për to: një udhëzues mikpritës i të ndryshmes. Nëse shikuesit mund të anashkalojnë një sakrificë të caktuar njerëzore, ata mund të mendojnë se të qeshësh rreth një ishulli piktoresk me Lord Summerisle është shumë më tërheqëse sesa të kthehesh në kontinent me rreshterin e mbytur Howie./vizionplus.tv/
What's Your Reaction?