Pagat 900 euro në shtet/ Zbardhet kalendari i rritjes së rrogave, ja kur do ta përfitojnë shtesat mësuesit, policët, ushtarakët, mjekët dhe infermierët

Qeveria ka përcaktuar kalendarin e rritjes së pagave në sektorin publik, sipas një vendimi që u mor më herët këtë vit nga Këshilli i Ministrave për t’i çuar ato në nivel bruto 900 euro deri në vitin 2025. Dokumenti i qeverisë “Masat Prioritare të Reformës së Administratës Publike”, që është në fazën e konsultimit publik, […]

Shtator 23, 2023 - 11:10
 0
Pagat 900 euro në shtet/ Zbardhet kalendari i rritjes së rrogave, ja kur do ta përfitojnë shtesat mësuesit, policët, ushtarakët, mjekët dhe infermierët

Qeveria ka përcaktuar kalendarin e rritjes së pagave në sektorin publik, sipas një vendimi që u mor më herët këtë vit nga Këshilli i Ministrave për t’i çuar ato në nivel bruto 900 euro deri në vitin 2025. Dokumenti i qeverisë “Masat Prioritare të Reformës së Administratës Publike”, që është në fazën e konsultimit publik, parashikon që kësti i parë i rritjes të jepet në muajin dhjetor 2023 dhe tjetri në dhjetor të vitit 2024. Në fund të vitit 2022, paga mesatare mujore bruto në sektorin publik arriti në 70,770 lekë, ose rreth 670 euro. Për të arritur nivelin e premtuar 900 euro, paga mesatare në sektorin publik duhet të rritet mesatarisht me 34% ose 230 euro. Ballafaqimi i të dhënave zyrtare tregon se rritja mesatare pagave do të ndodhë 15% në dhjetor 2023 dhe 15% tjetër afërsisht 115 euro, në dhjetorin e vitit 2025. Qeveria, kur e prezantoi projektin e rritjes së pagave në pranverë të këtij viti, argumentoi se qëllimi ishte të zvogëlonte hendekun me pagat e sektorit publik në rajon dhe të nxiste konkurrencën me sektorin privat. Nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022, pagat reale në sektorin shtetëror janë rritur rreth 20%, teksa plani i ri synon të aplikojë zgjerim me nga 15% për dy vitet në vijim 2023 dhe 2024.

Skema

Ndërkohë, reforma e rritjes nisi që këtë vit, për t’u shtrirë në dy vitet në vijim. Në muajt prill-qershor 2023, punonjësit në shërbimet themelore të vendit, mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe trupa policore në terren morën vetëm 7% rritje të pagës, ndërsa funksionet e larta të qeverisëse, deputetet, ministrat dhe zv/ministrat përfituan rritje të pagës nga 50-deri 98 për qind. Sipas treguesve buxhetorë në 7-mujorin e vitit 2012, fondi i pagave për sektorin publik ishte sa 18.8% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, ndërsa më 2023 ishte sa 16.8 % e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Megjithëse në vlerë fondi i pagave është rritur ndjeshëm vitet e fundit ritmet ishin më të ulëta se rritja e totalit të shpenzimeve publike. Të dhënat tregojnë për një rënie sistematike të peshës së shpenzimeve paga gjatë dekadës së fundit. Nga rritja e lajmëruar e qeverisë do të përfitojnë rreth 86 mijë punonjës në sektorin e administratës publike, arsim, shëndetësi, mbrojtje, Policia e Shtetit etj.

Rritja e pagave të administratës dhe funksionarëve të lartë

Kujtojmë se, më 25 maj, Parlamenti miratoi ligjin për rritjen e pagave. Zbatimi do të nisë nga data 1 prill dhe mes 130 mijë punonjësve të administratës që përfitojnë, janë edhe funksionarët më të lartë shtetërorë, nga presidenti deri te deputetët e ministrat. Për ekonomistin Maksim Caslli, përtej kostos, apo debatit, rritja e pagave të administratës është një lëvizje në drejtimin e duhur. “Deri para pak kohësh ishte sektori privat që paguante më shumë se ai publik dhe talentet orientoheshin në sektorin privat. Kështu që kjo lëvizje do të thithë më shumë talente në sektorin publik. Duke qenë se pjesa kryesore e punëdhënësit, që është shteti, lëviz në atë drejtim, do të detyrohet edhe privati ta ndjekë”, tha ai në një intervistë televizive.

Sa do të rriten pagat e funksionarëve më të lartë shtetërorë?

Nga ana tjetër, paga më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Ajo është përcaktuar edhe si pagë referencë, që do të thotë që paraprin të gjithë hierarkinë e pagave për të gjitha pozicionet e tjera. Dy funksionarët e tjerë më të paguar janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët do të paguhen njëlloj, 393 125 lekë. Ministrat që janë edhe deputetë do të marrin rrogën më të madhe, që është vlerësuar ajo e ministrit, e cila shkon në 318 750 lekë.

Çfarë do të thotë kjo për buxhetin e shtetit?

Ndërkohë, rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46,5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vend numëron rreth 186 mijë të punësuar. Rrjedhimisht, nga arka e shtetit do të dalin çdo vit rreth 5.2 miliardë lekë më tepër. Referuar relacionit të projektligjit të depozituar në Kuvend, si dhe deklaratave nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këto fonde shtesë do të gjenerohen kryesisht nga rritja ekonomike dhe zgjerimi i borxhit publik. Gjithashtu më shumë para’ pritet të grumbullohen nga administrata tatimore nëpërmjet rritjes së taksave si dhe nga përmirësimi i produktivitetit të të punësuarve.

Nga do të dalin këto para?

Nga ana tjetër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se burimi kryesor ku do të mbështetet rritja e pagave do të jetë rritja ekonomike e vendit. Ndonëse rritja ekonomike për këtë vit parashikohet të jetë 2,6%, kjo është “karta e fortë” e qeverisë. Gjithashtu një tjetër pikë është borxhi publik, rritja e taksave, rritja e aftësisë për t’i mbledhur ato. Sipas Casllit, kosto e këtij vendimi në buxhetin e shtetit do të jetë 350 milionë dollarë në vitin 2025, vit kur do të aplikohet plotësisht.

“Natyrisht, kur e shikon që rritet kosto e buxhetit të shtetit, duhet të mendosh si do ta përballosh këtë kosto. Dhe kjo do të përballohet me rritje të ardhurash, ose me ulje të numrit të personave që punojnë në shtet. Ndoshta do të ishte kjo e dyta më e mirë. Gjithmonë gjenden mënyra, sepse në fund të fundit, ke të ardhurat e tua si shtet. Dhe këto rriten ose duke rritur ekonominë, ose rritja e përqindjes së taksave, por nuk është kjo, sepse të gjitha forcat politike tentojnë nga ulja e taksave. Nëse do të tentojmë duke e marrë borxh, kjo është lëvizje e gabuar. Nuk mund të marrësh borxh pa limit, pra do të detyrohesh që paratë t’i menaxhosh sa më mirë”, thotë Caslli.

Nga viti në vit, shuma e parave që ka dalë nga buxheti i shtetit për pagat e punonjësve të administratës ka ardhur në rritje, nga 80,6 miliardë lekë në vitin 2019, në 96,8 miliardë lekë në vitin 2023, pa përfshirë rritjen. Shifra parashikohet të arrijë deri në 140 miliardë lekë, duke llogaritur shtesat nëse miratohet projektligji. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e shtimit të administratës publike, kryesisht në administratën vendore.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.