Paranojat e një dështaku dhe përkujtimi i turpshëm i Salvador Allendes
Nga Baton Haxhiu Albin Kurti para pak ditësh nderoi veprimtarin e njohur socialist, ish-Presidentin e Kilit, Salvador Allende. Ai ishte i njohur për formulën e tij për ‘rrugën kiliane drejt socializmit’ dhe bindjet e thella kundër ‘imperializmit amerikan’, mik i dashur dhe adhurues i flaktë i diktatorit kubanez, Fidel Kastro. Të dhëna të shumta flasin […]
Nga Baton Haxhiu
Albin Kurti para pak ditësh nderoi veprimtarin e njohur socialist, ish-Presidentin e Kilit, Salvador Allende.
Ai ishte i njohur për formulën e tij për ‘rrugën kiliane drejt socializmit’ dhe bindjet e thella kundër ‘imperializmit amerikan’, mik i dashur dhe adhurues i flaktë i diktatorit kubanez, Fidel Kastro.
Të dhëna të shumta flasin se në grusht-shtetin kundër tij një rol të madh kanë pasur vetë ShBA-të, ndërsa ai nuk kishte kursyer asnjëherë diskursin e tij kundër politikave shfrytëzuese të ShBA-ve në Amerikë Latine.
Amerikanët fillimisht kishin mohuar përfshirjen, por shumë vite më vonë CIA e pranoi se kishte dorë në disa segmente që çuan në grusht-shtetin që iu bë Allendes nga ushtria, por asnjëherë se planifikoi apo ndihmoi vdekjen e tij.
Në shumë gjenerata socialistësh, veçanërisht të një pjese të madhe nga lëvizja e vendeve te painkuadruara, ai u promovua si simbol i luftës kundër politikave kapitaliste të imperializmit amerikan dhe filloi të njihet si “martiri marksist”.
Allende do vdiste në zyrën e tij, derisa ushtria jashtë saj më në krye gjeneralin Pinochet-i i kishte dhënë ultimatumin e fundit për t’u dorëzuar.
Asnjëherë s’është kuptuar deri në fund se Allende u vetëvra, apo u vra meqë refuzonte të dorëzohej. Por, vetë gruaja e tij kishte deklaruar se ai “me gjasë ka vrarë veten me automatikun që e kishte dhuratë nga Fidel Castro”.
Për interesin e tij, edhe pse situatat s’kanë fare krahasim, këtë politikan e nderoi paturpësisht Kryeministri i Kosovës, ai i cili ka shtënë Kosovën nën sanksione nga BE-ja, e futi atë në përçarje me ShBA-të dhe kapitulloi përballe Serbisë me një marrëveshje pa njohje reciproke.
Për të qenë i qartë, Allende dhe Albin Kurti nuk kanë asgjë të përbashkët.
I pari u vetëvra në betejën e tij politike dhe çoi jetën në sakrificë për bindjet e tij ideologjike.
Albin Kurti, ndërkaq, deri me sot ka ngrënë kokën e shumë miqve të tij për hir pushteti, përfshirë vëllezërit Dehari, dhe i ka dëshmuar gjithë dynjasë se ai nuk ka asnjë bindje ideologjike.
Albin Kurti ideologjinë e ka për të trullosur mendjet e rrjedhura të pasueseve te tij: ai as nuk u angazhua për bashkim të kombit, as për politika të përafrimit të Kosovës me Shqipërinë, as për prerje të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, as për ndalje të Zajednicës, as për ridemarkim të vijave kufitare me Malin e Zi.
Përkundrazi, bindjet e tij politike janë aq të dobëta dhe vullneti për pushtet aq i madh, sa ai nuk i rezistoi as edhe një ditë të plotë lakmisë së ruajtjes së pushtetit e jetës luksoze duke nënshkruar një marrëveshje pa njohje pikërisht ne Vilen e Tito-s.
Në fakt, Albin Kurti nga sistemi i Titos e ka dhuratë edhe banesën e Zaimit (babit), me gjase diku në Aktash.
Në kohën kur ai është vënë nën sanksione dhe është duke e kryer shkëlqyeshëm detyrën e tij për prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatet e saj, Albin Kurti ka nevojë pikërisht për një figurë të qëndresës anti-perëndimore, një Allende, për të zgjuar frymëzimin e një pjese të shoqërisë, demek për moralin e tij të lartë dhe për të fshehur faktin se ai është në krye të Qeverisë e cila bashkërendon politikën me Milan Radojiçiç-in.
Ai nuk nderon asnjë njeri në mënyrë të rastësishme dhe pa interes. Për figurat e mëdha historike, si Hasan Prishtina e Fan Noli, ka shprehur nderim vetëm sa për të forcuar pushtetin e tij moral dhe politik.
Në shumë fjalime të tij, ka përsëritur faktin se VV-ja është pasardhëse e Hasan Prishtinës, Shaban Polluzhës e Fan Nolit për të forcuar bindjen se ajo nuk është vetëm një subjekt elektoral, por një lëvizje e rrënjosur në histori.
Njëjtë ka bërë me Ukshin Hotin, në luftën e tij kundër pinjollëve jugosllavë, ndaj të cilëve sot është në përpjekje të dëshpëruar për t’i rehabilituar, duke filluar nga anëtarë të këtyre familjeve të cilët i ka pozicionuar në poste qendrore në kabinetin e tij.
Jugonostalgjikët sot përbëjnë lëvozhgën e parë me të cilën mbështjellët Kurti.
Po ashtu, pasi e refuzoi për President të Kosovës dhe filloi t’i lëshonte kunja mes akademive përkujtimore si ajo e Ali Aliut, duke i kujtuar Demaçit se jeta mund të jetohet deri në fund edhe pa u shitur, Albin Kurti filloi përuljen dhe përvetësimin e trashëgimisë së tij.
Kështu që, përkujtimet e Albin Kurtit tregojnë krejtësisht karakterin e tij personal dhe llogaritë për hir të momentit politik.
Në të vërtetë, Albin Kurti ka bërë aq shumë gafa me përkujtime e nderime sa më nuk prodhon as befasi. Kjo është një nga arsyet pse ky përkujtim për Allenden nuk u kthye në një skandal masiv publik.
Fundja, çfarë mund të pritet nga një njeri që lartëson Gjingjiqin dhe përulet para Ivanoviçit, ndërkohë që angazhon Mimoza Kusarin për të përbaltur ushtarët e UÇK-së në takim me Simiçin?
Mirëpo kësaj radhe përkujtimi i Allendes tregon diçka më shumë sesa një idiotësi personale, një gabim të rëndë diplomatik, një mosnjohje të thellë (apo shtrëmbërim të qëllimshëm) të historisë, një pasqyrë të trishtë të karakterit të tij të mbrapshtë.
Përkujtimi për Allenden u shoqërua me një mesazh për trashëgiminë e tmerrshme që paraqesin gjithë të zhdukurit dhe detyrën solemne për t’i rigjetur ata.
Kësisoj, ai filloi t’i japë një dimension moral punës së përbashkët me Serbinë për gjetjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në të dyja anët, gjë që do të shpaloset shumë shpejt.
Në rrafsh personal, kjo tregon se të zhdukurit janë vetëm një instrument në lojërat politike të Kurtit.
Ai e filloi karrierën e tij politike në Kosove duke i shfrytëzuar nënat e të zhdukurve nga lufta e fundit ne Kosovë dhe i shkelmoi ato në Vilen e Titos, jo vetëm duke shprehur përkushtimin për të tejkaluar trashëgiminë e te kaluarës pa gjykim, por edhe duke i klasifikuar ata thjeshte si ‘missing persons (persona që mungojnë)’.
Në rrafsh politik, kjo tregon se Albin Kurti pas dështimit spektakular në dialog me Serbinë, është në përpjekje për të përvetësuar disa prej arritjeve të deritashme në dialog si suksese te tij.
Çështja e gjetjes së personave të zhdukur është zhvilluar prej kohësh në dialog me Serbinë nga kryenegociatorë të ndryshëm dhe secili prej tyre ka bërë punë më patriotike, të ndershme dhe profesionale sesa mashtruesi Bisnik Bislimi.
Pikërisht Kurti e Bislimi tashmë kanë vendosur të përvetësojnë këtë marrëveshje si sukses në dialog për të mbuluar turpin e tyre historik.
Në fakt, vetë Besnik Bislimi e pranoi se Kosova ka bërë një lëshim të madh duke pranuar një marrëveshje pa njohje.
Kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndë kur vjen nga një zvarranik politik, i cili ka premtuar dorëheqjen në rast të pranimit të marrëveshjes me çfarëdo lloji të asociacionit.
Të dy, pikërisht kur ka filloi numërimi i kohës së prapthi para takimit Kurti-Vuçiç, kanë filluar të mbulojnë këto koncesione të rënda me punën për çështjen e të zhdukurve.
Nëse dikur gjetja e të zhdukurve konsiderohej si parakusht për dialog, sot gjetja e tyre është shndërruar në mbulesë demagogjike për përfundimin e dialogut pa njohje nga Serbia.
Në thellësinë e tij, përkujtimi i Allendes shpërfaq pikërisht këtë: heroin e munguar të një revolucioni që nuk ndodhi asnjëherë dhe kapitullimin e turpshëm përballë Serbisë të një njeriu që u ngrit duke folur vetëm për revolucionin.
Çështja e të zhdukurve, ndërkaq, është fillimi i procesit delikat të formimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe pa njohje të ndërsjellët në qendër, të cilën, Albin Kurti duhet ta shfrytëzoj për të fshehur shpërfytyrimin e tij, ashtu siç ka bërë me gjakun e Astrit Deharit.
What's Your Reaction?