Pas Shqipërisë, Greqia i vendos ‘veton’ dhe Britanisë së Madhe. Sunak anulon takimin me Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzoi homologun e tij britanik Rishi Sunak se kishte anuluar një takim të planifikuar mes tyre për të martën në Londër, për shkak të një mosmarrëveshjeje diplomatike mbi skulpturat e Partenonit. Greqia i ka kërkuar shpesh Muzeut Britanik që të kthejë skulpturat 2500-vjeçare që diplomati britanik Lord Elgin mori nga tempulli […]

Nëntor 28, 2023 - 09:43
 0
Pas Shqipërisë, Greqia i vendos ‘veton’ dhe Britanisë së Madhe. Sunak anulon takimin me Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzoi homologun e tij britanik Rishi Sunak se kishte anuluar një takim të planifikuar mes tyre për të martën në Londër, për shkak të një mosmarrëveshjeje diplomatike mbi skulpturat e Partenonit.

Greqia i ka kërkuar shpesh Muzeut Britanik që të kthejë skulpturat 2500-vjeçare që diplomati britanik Lord Elgin mori nga tempulli i Partenonit në fillim të shekullit të 19-të kur ai ishte ambasador në Perandorinë Osmane.

“Shpreh keqardhjen që kryeministri britanik anuloi takimin e planifikuar mes nesh, vetëm disa orë para se ai të mbahej”, tha zoti Mitsotakis në një deklaratë.

“Qendrimet e Greqisë për çështjen e skulpturave të Partenonit janë të mirënjohura. Shpresoja t’i diskutoja ato me homologun tim britanik. Cilidp që beson në drejtësinë e qendrimeve të veta nuk ka frikë kurrë të përballet me argumente,” tha ai.
Qeveria greke ka qenë në diskutime me kryetarin e Muzeut Britanik, George Osborne, për një marrëveshje të mundshme për skulpturat, të cilat kanë qenë një burim mosmarrëveshjesh midis dy vendeve për shekuj me radhë.

Kryeministri Mitsotakis shprehu pakënaqësinë në një intervistë me BBC-në të dielën se bisedimet mbi një kthim të mundshëm të skulpturave në Athinë nuk po përparonin aq shpejt sa ç’duhej.

Një zyrtar i qeverisë britanike, i cili foli në kushtet e anonimitetit, tha se mosmarrëveshja mbi statujat nënkuptonte se nuk ishte e përshtatshme që të mbahej takimi.

Më herët, një zëdhënës i zotit Sunak tha se nuk kishte në plan t’i kthente skulpturat. E pyetur në lidhje me deklaratën e zotit Mitsotakis, zyra e kryeministrit Sunak tha se marrëdhënia e Britanisë me Greqinë ishte “shumë e rëndësishme” dhe të dy vendet duhej të punonin së bashku për sfidat globale si zgjidhja e migracionit të paligjshëm.

Zëvendëskryeministri britanik Oliver Dowden ishte në dispozicion për të takuar zotin Mitsotakis për të diskutuar këto çështje në vend të kryeministrit, tha zyra e zotit Sunak.

Qeveria britanike gjithmonë e ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga pronësia e statujave dhe thotë se ato janë blerë ligjërisht. Ligji e ndalon muzeun britanik të lëvizë objekte nga koleksioni, përveçse në rrethana të caktuara, por legjislacioni nuk e ndalon dhënien e tyre hua.

Një takim midis zotit Mitsotakis dhe udhëheqësit të opozitës britanike Keir Starmer u mbajt të hënën siç ishte planifikuar.

Financial Times javën e kaluar njoftoi se zoti Starmer nuk do të bllokonte një marrëveshje “të pranueshme nga të dyja palët” për të dhënë hua skulpturat. Partia laburiste nuk pranoi të komentojë.

/f.s

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.