PE emëron raportuesin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia

Komisioni për Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian emëroi të mërkurën deputetin slloven Matjazh Nemec si raportues për heqjen e vizave për serbët

Mars 6, 2024 - 16:15
 0
PE emëron raportuesin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia

Komisioni për Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian emëroi të mërkurën deputetin slloven Matjazh Nemec si raportues për heqjen e vizave për serbët e Kosovës, të cilët mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia.

Zoti Nemec shkroi në rrjetet sociale se serbët e Kosovës “janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian”, duke nënvizuar se shpreson që kjo çështje të zgjidhet shpejtë.

Në nëntor të vitit të kaluar Komisioni Evropian, kishte propozuar që të hiqen vizat edhe për qytetarët serbë të Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia, me arsyetimin se do të mbeteshin të vetmit qytetarë në Evropë pa lëvizje të lirë pas heqjes së vizave për Kosovën më 1 janar të këtij viti.

Por, ky propozim është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës e cila ka shprehur shqetësimin e saj pasi që pasaportat e lëshuara nga Serbia i konsideron të paligjshme. Sipas qeverisë, njohja e këtyre dokumenteve, do të pengojë integrimin e komunitetit serb dhe shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave të paligjshme, shkruan VOA.

Nga një janari i këtij viti Kosova u bë pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton mundësi udhëtimi pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, por nuk është leje pune.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.