Përpjekjet e shpëtimit forcohen pas tërmetit me 118 viktima në Kinën Veriperëndimore
Punët e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës vazhduan të martën pasi një tërmet me fuqi 6.2 ballë goditi kontenë Jishishan në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore në një thellësi prej 10 kilometrash, duke shkaktuar më shumë se 130 të vdekur dhe duke dëmtuar infrastrukturën vendore. Tërmeti, që ra në orën 11:59 të natës të hënën, u […]
Punët e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës vazhduan të martën pasi një tërmet me fuqi 6.2 ballë goditi kontenë Jishishan në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore në një thellësi prej 10 kilometrash, duke shkaktuar më shumë se 130 të vdekur dhe duke dëmtuar infrastrukturën vendore.
Tërmeti, që ra në orën 11:59 të natës të hënën, u pasua deri në mesditën e së martës nga 306 pasgoditje, me fuqinë më të madhe prej 4.1 ballësh. Sipas departamenteve vendore në një konferencë shtypi mbi tërmetin po të martën, parashikohet se pasgoditjet e fuqishme deri në 5 ballë janë ende të mundshme në ditët e ardhshme.
Deri tani tërmeti ka shkaktuar 113 viktima në Gansu dhe 18 të tjerë në provincën fqinje Qinghai, si edhe ka dëmtuar shtëpi, rrugë e infrastrukturë tjetër. Disa fshatra në kontenë Jishishan kanë vuajtur nga ndërprerja e furnizimit me energji dhe ujë.
Kina e ka ngritur reagimin kombëtar emergjent për tërmetin në nivelin e dytë më të lartë në sistemin e vet me katër shkallë, dhe ka dërguar një ekip pune e mijëra punonjës shpëtimi, duke përfshirë 1 440 zjarrfikës, forca të policisë së armatosur dhe qindra mjekë në zonat e prekura nga tërmeti. 1 603 zjarrfikës të tjerë janë mbledhur tashmë dhe janë gati për përforcime ndërrajonale. 45 veta u shpëtuan deri në orën 7:30 të mëngjesit të së martës.
Mijëra tenda të trasha, dhjetëra mijë pallto dimri e jorganë dhe furnizime të tjera ndihme janë dërguar në zonat e prekura nga tërmeti, ku temperatura minimale do të arrijë 10 gradë Celsius nën zero, sipas autoriteteteve meteorologjike vendore.
Si pasojë e tërmetit, një pjesë e sistemit vendor të energjisë u prish, duke prekur 34 070 përdorues. Pas katër orësh riparimi, energjia u rikthye për 12 991 përdorues deri në orën 5 të mëngjesit të së martës.
Kanalet e shpëtimit urgjent janë hapur për të siguruar kalimin e lirë dhe të shpejtë të makinave të shpëtimit.
Të martën, Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave dhanë 200 milionë juanë (rreth 28 milionë dollarë amerikanë) fonde ndihme për provincat Gansu dhe Qinghai, në mbështetje të punës së ndihmës pas katastrofës.
What's Your Reaction?