Përse nuk është e mirë Parajsa

Nga Veton Surroi Adaptimi me vdekjen mund të sjellë një shikim ndryshe për vlerën e jetës 1. Nëna ime kishte një sens të vetin të humorit dhe ditën kur erdhi për ta marrë ambulanca për në spital, një rrugëtimi që nuk do ta kthente më në shtëpi, i shpjegonte infermierit se njerëzit e moshës së […]

Janar 2, 2024 - 19:23
 0
Përse nuk është e mirë Parajsa

Nga Veton Surroi

Adaptimi me vdekjen mund të sjellë një shikim ndryshe për vlerën e jetës
1.

Nëna ime kishte një sens të vetin të humorit dhe ditën kur erdhi për ta marrë ambulanca për në spital, një rrugëtimi që nuk do ta kthente më në shtëpi, i shpjegonte infermierit se njerëzit e moshës së saj duhet t’ia vendosin vijat e kuqe jetës.

Infermieri, i veshur vetë në të kuqe, nuk e kuptonte saktësisht se për çka e kishte fjalën kur fliste për vija të kuqe. Termi vijat e kuqe përsëriten çdo natë në televizion qe 20 e kusur vjet dhe lidhen pothuajse gjithnjë me negociata. Pra, vija të kuqe për këtë apo atë marrëveshje diplomatike, vija të kuqe për këtë apo atë koalicion qeverisës, vija të kuqe për shpenzime buxhetore….

Infermieri dhe Nëna u kuptuan disi, përderisa ai e përgatiste karrigen me rrota për ta nxjerrë nga dhoma e fjetjes, se ajo e kishte fjalën për vijat e kuqe të jetës, një lloj limiti të cilin nuk duhet kaluar. Infermieri, sikur të ishte një autoritet kompetent, dhe me uniformën e tij të kuqe si dëshmi kompetence i tha me plot siguri se duhet të kalojë ende kohë para se ajo t’i vendosë vijat e kuqe.

Që të dytë ishin zënë në një lloj debati në të cilin thelbi në fund doli të ishte se mund të negociosh me jetën a vdekjen, varet nga ta shikosh argumentin. Në këtë negociatë pastaj do të vendosësh vija të kuqe.

2.

Vdekja e saj e para dy javësh tregoi natyrisht se në këto punë nuk ka negociata; nuk ka vija të kuqe. Vdekja nuk është e negociueshme. Është një ligj ku nuk ka ndërhyrje, shkelje, korrupsion, ushtrim të ndikimit; nuk ka për të as gjykatë të shkallës së dytë.

Por, vijat e kuqe që i përmendi Nëna prekin nocionin e kufirit, gjegjësisht të idesë se jeta nuk është e pambarim. Nëna ime si dhe çdo nxënës që ka pasur së paku notë kaluese në biologji në fillore e kanë marrë të mirëqenë ekzistencën e kufirit jetësor.

Vdekja e saj solli afër një temë, atë të fundit të jetës dhe nevojës që me të të adaptohemi. Në fëmijëri – ku çdo gjë duket më e madhe, edhe vdekja është më e madhe. Është më e pakuptueshme. Por, ndonëse e pakuptueshme në fëmijëri, në të kuptuar se jeta nuk është e pambarim fillojmë të flasim rreth saj. Flasim brenda kokës sonë, flasim me të afërm, flasim në të pame – e socializojmë një moment në të cilin individit i përfundon jeta.

Këto biseda, biseda për vdekjen, përmbajnë ankth. Gjeneratë pas gjenerate ky ankth përcillet me përshkrimet e errësirës, të ftohtësisë, të pikëllimit, të humbjes. Nuk ka përshkrim të vdekjes së ngjyrosur apo të ngrohtë, ajo është gjithnjë e errët dhe e ftohtë.

Por mendjet tona krijojnë mekanizma për tejkalimin e këtij ankthi. Ne krijojmë, tashmë për pothuajse për tre mijë vjet, besimin apo bindjen se jo gjithçka përfundon me vdekjen, sepse ka jetë edhe pas vdekjes. Ekziston në mendje apo besim Parajsa, me gjithë lulet e saj.

Pra, imazhit të ftohtësisë dhe errësirës së vdekjes i bashkëngjitet qoftë besimi, qoftë nevoja për të besuar në lule të parajsës, në një pasjete që është aq e bukur sa t’i përmbushë të gjitha nevojat tona shpirtërore.

Kështu mbërrijmë tek ideja e besimi i përjetësisë. Dhe, nëse kemi jetë pas vdekjes, rrjedhimisht vdekja është një lloj stacioni ku ndërrohen trenat e të jetuarit. Kalojmë prej një jete në tjetrën.

Kështu del se biseda për vijat e kuqe e Nënës dhe infermierit qe një bisedë rutinore, sa për të mbushur kohën prej shtëpisë deri në spital.

Shumëkush që erdhi për të na ngushëlluar – qoftë me besim intim apo dëshirë – hodhi disi në pavlerë vijat e saj të kuqe duke u shprehur se Nëna jonë duhej të ishte apo tashmë ishte në Parajsë.

Për një njeri si ajo që i ka dashur lulet, qe një dëshirë a ndjellje aspak e keqe!

3.

Ballafaqimi me idenë e vdekjes dhe pasjetës është tashmë ritual.

Kur më vdiqën disa prej shokëve në këto vitet e fundit, kisha dhe mbase ende kam një mekanizëm refuzues për ta pranuar atë. Në telefonin tim ende figurojnë emrat e tyre. Dashnori, Agroni, Fatosi. Duke qëndruar aty, më duket se disi jetojnë; po t’i fshij nga regjistri i telefonit nuk do të kenë më jetë.

Por, pos një mënyre kreative dhe evolutive për të zbutur dhembjen e vdekjes, a mos ndoshta ka dëme ideja e përjetësisë? A nuk i bëjmë dëm vetes duke mos e pranuar vdekjen të atillë çfarë është?

Një filozof suedez, Martin Hagglund, shkroi një libër për të treguar saktësisht pse kjo ide, ideja e përjetësisë, nuk është e mirë. Jo se nuk është e mirë Parajsa, por ideja e Parajsës nuk është e mirë për jetën. Sipas tij, nëse ekziston një jetë e pasosur dhe nëse besojmë se pas jetës sonë ajo e pasosura është më e mirë se kjo e para, atëherë kjo jetë që po e jetojmë nuk paska ndonjë vlerë.

Apo nëse e shndërrojmë në kategori ekonomike, nëse kemi kohë infinite, të pakufi, atëherë koha nuk ka vlerë.

Dhe kështu do të na dalë se me idenë e filozofit suedez është mirë të pranojmë se nuk ka jetë të pasosur. Sepse vetëm kështu e çmojmë jetën, të këtillë çfarë e kemi sot. Thjeshtësuar: pa e pranuar vdekjen si të pakthyeshme e kemi të vështirë ta çmojmë jetën në vlerën e saj të plotë.

4.

Duhej të mbaja fjalim në ceremoninë vjetore “Rexhai Surroi” për herë të parë pa praninë e Nënës.

Kjo ceremoni mbahet në ditën e humbjes të jetës së babait, më 22 dhjetor. Kësaj here, dy javë pas vdekjes së Nënës.

Nuk më duket se do të kishte qenë dëshirë as e babait e as e nënës që kjo të ishte ceremoni mortore. Në kuptimin që u përpoq të shpjegonte filozofi suedez, do të ketë qenë pjesë e etosit familjar se vdekjet janë një lloj kornize, me gjithë vijat e kuqe të Nënës sime, në të cilat ekzistojnë rrëfimet e jetës, të saj dhe të të tjerëve me vlerën e madhe të tyre. Sepse vetë rrëfimet janë jetë.

Dhe, në momentin kur i pranojmë “vijat e kuqe”, idenë se përtej vdekjes nuk ka jetë, çdo gjë që bëjmë në jetë merr gjithnjë e më shumë kuptim e vlerë; nevoja që ta gëzojmë çdo takim, çdo shtrëngim duarsh, çdo përqafim e përkëdhelje, çdo dëshirë mbarësie për të afërmin e atij që nuk është i afërm, çdo plan ardhmërie, çdo ditë paqeje, në mesin tonë e brenda nesh.

Kështu, çdo ditë duhet të jetë kremte jete.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.