Platforma që po vret rininë, Shqipëria duket pa rrugëdalje

Nga Pranvera Borakaj Nuk ka ditë të këtij viti të ri, që mos të kemi ndeshur një lajm, një ngjarje, shumë viktima, ku

Shkurt 26, 2024 - 21:45
 0
Platforma që po vret rininë, Shqipëria duket pa rrugëdalje

Nga Pranvera Borakaj

Nuk ka ditë të këtij viti të ri, që mos të kemi ndeshur një lajm, një ngjarje, shumë viktima, ku motiv mos të jenë rrjetet sociale, kryesisht tik toku. Aplikacioni i krijuar në 2018, ku kryesisht përdorej nga të rinjtë për të krijuar video me koreografi, shumë shpejt do të rritej me hapa galopant duke u kthyer në një kërcënim serioz për shoqërinë.

Në Shqipëri mungojnë shifrat zyrtare aman fakt është që pas shumë ngjarjeve të rënda fshihet shantazhimi, dhuna, kërcënimi, presioni që sjell ky format.

Në Shqipëri dhe botë, psikologët, psikiatrit ngrenë alarmin për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, për varësinë nga teknologjia, dembelizmin që promovon dhe stimulon një platformë e tillë, antivlerat me të cilat ndeshesh aty, por ajo që mund të themi qartë, është se sot nuk janë vetëm të rinjtë të rrezikuar.

Shoqëria është në krizë, familja është në krizë, individi, integriteti, vlerat, dija janë në krizë të thellë. E parë si një mundësi për të krijuar para kjo platformë rëndomë, përdoret nga elementët më të paditur, të paarsimuar, të paafte të fitojnë me djersë dhe dinjitet të ardhura, për të përfituar duke promovuar një fjalor aspak etik dhe sjellje të turpshme.

Rasti i gjyshes nga Saranda që përdorte për para nipin në tik-tok është vetëm një nga rastet e shumta, të atyre që nuk kurseu as të miturit në mostruozitetin e tyre. Dhe këtu realisht ligji, shteti, shoqëria duhet të ndërhyjë. Është e habitshme sa larg dijes, vlerave, botës së bukur e të pasur na kanë mësuar prindërit, librat, arsimtarët, ata që kanë bërë historinë e këtij kombi me penën dhe dijet e tyre, ata që i kemi pasur idhuj dhe në rrugët e të cilëve supozohej të ecte shoqëria, është fytyra e zakonshme e shqiptarëve në tik tok.

Vërtet të kemi pasur kaq vulg, injorancë, mungesë skrupujsh, dhe e gjitha kjo vetëm për pak para? A meriton shoqëria jonë një analizë të thellë? Ku po shkon? Ku duhet tea kërkoj busullën që i ka humbur me kohë?

Shumë shtete e kanë mbyllur këtë platformë, po jo për shkak të përmbajtjes, po sigurimit dhe përdorimit të të dhënave duke qenë një platformë kineze.

Tik tok dhe me këto masa, ka arritur të rritet frikshëm, duke ulur ndjeshme në renditje Facebook dhe instagram.

Prej ditësh drejtues të kësaj platforme janë në Shqipëri për të diskutuar mundësinë e filtrave për të mbrojtur kryesisht të miturit nga abuzimi dhe dhuna. Ama ajo që ngelet shqetësuese është se në vendin tonë numri i përdoruesve me një llogari është shumë i lartë për numër popullsie dhe qëndrimi online, shumë i gjatë.

Nëse këto të dhëna janë reale, atëherë nuk duhet të habitemi më për asgjë, as për politikën që kemi në këtë nivele, as për arsimin, as për administratën, dhe as për qytetarin e thjesht që duke qeshur ose duke u skandalizuar me atë që shikon në telefon, harron realitetin që po jeton.

E në këtë pikë gjithçka mund të presim. Shoqëria është në tatëpjetë që nuk e ndalon dot fundin dhe kaosi po normalizohet. Ndaj nuk është çudi që ata të cilët na vjedhin duam t’i respektojmë, më shumë se ata që protestojnë pse na vodhën.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.