Po sikur Rama të jetë kundër arrestit të Berishës?
Nga Lorenc Vangjeli Po sikur përpara seancës së kuvendit që do të vendosë fatin e imunitetit të Sali Berishës, pasardhësi i tij jetëgjatë në detyrë të thoshte: “Vota ime është kundër arrestit të paraardhësit tim? Shqipëria nuk ka luksin që të ketë një kryetar të dytë opozite në burg, si Fatos Nano tre dekada më […]
Nga Lorenc Vangjeli
Po sikur përpara seancës së kuvendit që do të vendosë fatin e imunitetit të Sali Berishës, pasardhësi i tij jetëgjatë në detyrë të thoshte: “Vota ime është kundër arrestit të paraardhësit tim? Shqipëria nuk ka luksin që të ketë një kryetar të dytë opozite në burg, si Fatos Nano tre dekada më parë! Drejtësia të bëjë punën e saj, të hetojë gjithçka mendon në ngarkim të Berishës, por ta bëjë këtë duke e lënë në gjendje të lirë Saliun”. Edi Rama mund të rendisë një mori arsyesh të tjera, por edhe mund të zgjdhë të japë bindjen e tij vetjake se bota është shumë e vogël për të fshehur një Berishë në arrati e se Doktori nuk ka mundësi t’i shmanget hetimit gjyqësor. Ndoshta mund të shtojë edhe se, sipas zanatit të vjetër, ai megjithatë mund të intimidojë dëshmitarët.
Në një rast të tillë hipotetik, komentet do të ishin të pafundme. Si zakonisht, teoritë konspirative, kritikat, mallkimet, supozimet për prapaskena të mundshme e çdo lloj marëzie tjetër, do të ishin daullet e një korri drithërues që mendon se ulërima është argument, që mbas çdo akti sheh vetëm pazar, që dyshon edhe kur duhet të besojë, që sillet si murgeshë që e fsheh shtatzëninë me rroba të gjera apo dhe që thjesht thotë sa di dhe di edhe më pak sesa thotë. Kundërshtarët po e po, por në një mënyrë të tillë Rama do të trondiste dhe të vetët.
Mund të dukej se do t’u jepte një shpresë mëkatarëve brenda grupit të tij se “Ai i Gjati nuk do të na lëshojë” dhe do të merrte admirimin e tyre: “I madh është! Tani e morëm vesh pse tha togfjalëshin e jashtëzakonshëm Republika e Prokurorëve në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë”. Nuk është as njëra dhe as tjetra. Nuk është kundërvënie ndaj vullnetit të Altin Dumanit, por një aleancë e natyrshme me SPAK-un duke bërë njëkohësisht secili të vetën. I pari me mjete politike balancon aktet e të dytit që e kontrollon me mjete ligjore.
Askush nuk e di se çfarë mendon kryeministri Rama në këtë pikë, por e sigurt është vetëm një gjë. Një qëndrim i tillë politik: “Hetoni në gjithçka që mendoni, por pa e arrestuar Sali Berishën!”, do të ishte akti më i madh emancipues dhe i drejtë në respektim të kushtetutës dhe parimit themelor të saj, balancës dhe kontrollit të pushteteve. Ai akt do të ishte gur themeli në nevojën ulëritëse të shoqërisë shqiptare për të vënë në qendër të vëmendjes interesin më të mirë të individit, si kusht i parë për një shtet të së drejtës.
Ai do të ishte leksioni i një shtetari dhe jo retorika e një pushtetari; do të ishte adresimi i nevojës urgjente për ndryshimin e mentalitetit stalinist, mbizotërues në shoqëri që e sheh burgun jo si mjet, por si qëllim në vetvete. Nga ana tjetër, Berisha vetë duhet të luftojë për të vërtetën e tij me mjetet që i afron sistemi. Ai duhet të ulë kokën dhe t’i verë gjoksin akuzës. Ta shohë si fat dhe jo si fatalitet ballafaqimin me drejtësinë, si rrugën e vetme për të verifikuar pafajësinë e pretenduar apo fajësinë e dyshuar. Dhe ta bëjë menjëherë si gjithë të tjerët dhe si vetë Cecoja nën bicak.
Ky akt politik me mundësi vetëm matematike, nuk është aspak i lehtë që të ndodhë. Ai do të kishte kundër të gjitha paragjykimet e të paktën gjysmës së shqiptarëve që kanë refuzuar rregullisht modelin Berisha e që do të donin ta shihnin në pranga “hasmin” e tyre dhe që mund të shihnin në këtë akt, llogari vetjake. Revanshi është ves i vjetër i politikës shqiptare. Ai ka qenë në këto tre dekada plot me maja dhe rripa, me hipje nga parajsa e pushtetit e zbritje marramendëse në ferrin e qelisë, por ky nuk është motiv i mjaftë që Rama t’i dorëzohet ngutit të turmës. Si kryeministër, ai është i dënuar të qëndrojë përpara saj dhe për hir të saj, edhe të lagë barutin e revolucionit që nuk po ndez, edhe të ndezë një qiri shprese si reformator.
Nëse Rama do të votonte pro hetimit të paraardhësit e tij, por kundër arrestit, ky do të ishte sinjali që një shoqëri e traumatizuar nga prerja në besë që i kanë bërë ata që ajo vetë i ka votuar, mund të bëhet mençurisht evropiane. Më pas, si efekt anësor, njëlloj si ilaçi i duhur që shëron shkakun, por nakatos pasojat, të gjithë naivët që pretendojnë se Rama kontrollon SPAK-un do të kishin punë me gishtin e tyre tregues që e tundin mbas çdo akuze të tillë. Mund ta mbajnë edhe në gojë! Berisha i pari!
E gjitha kjo është një supozim. Ndoshta asnjë gjë e tillë nuk ndodh. Herët a vonë kështu do të ndodhë. Por ky nuk do të jetë fundi i botës. Thjesht do të jetë një shans i humbur për të gjithë. Për miqtë e njërit dhe armiqtë e tjetrit. Për të gjithë shqiptarët.
What's Your Reaction?