Pse Sali Berisha dërgoi Luçiano Boçin si drejtues në Shkodër?

Nga Ylli Pata Përveç batutave apo barasaletave të pritshme, emërimi i Luçiano Boçit si drejtues politik i Foltores në Shkodër, nuk është marrë si surprizë. Pasi gjithmonë doktori ka dërguar në “Mekën politike të tij”, një personazh të “Kominternit”. Madje në Shkodër historitë me Jemin Gjanën që është dërguar shpesh këto 30 vjet për të […]

Maj 10, 2024 - 10:45
 0
Pse Sali Berisha dërgoi Luçiano Boçin si drejtues në Shkodër?

Nga Ylli Pata

Përveç batutave apo barasaletave të pritshme, emërimi i Luçiano Boçit si drejtues politik i Foltores në Shkodër, nuk është marrë si surprizë.

Pasi gjithmonë doktori ka dërguar në “Mekën politike të tij”, një personazh të “Kominternit”. Madje në Shkodër historitë me Jemin Gjanën që është dërguar shpesh këto 30 vjet për të vënë sherrin në vijë janë epike.

Shkodra, ka qenë deri më 14 maj 2023, një ishull politik thuajse homogjen në votën ndaj Partisë Demokratike. Një ishull, që përveç ca njollave të majta në qytet, Koplik, Anë të Malit apo Velipojë, ishte totalisht blu. Sidomos qyteti i Shkodrës, që në mënyrë homogjene ishte besnik ndaj PD-së pa u lodhur vit pas viti. Sidomos ajo pjesë e qytetarisë së vjetër. Shkodrës historike. E cila nuk “hante pykë” në thirrjet e socialistëve për një “mëshirë” por i qëndronte besnik doktorit.

Në realitet kjo atmosferë gjendej edhe në mjediset qytetare, sidomos ato të vjetra. Të cilat, të lidhur me një traditë konservatore, antikomuniste të theksuar dhe alergjike ndaj një të majte ende jo të besueshme, i ka qëndruar besnike Sali Berishës dhe partisë së tij.

Një qasje e tillë do të ishte mirë të kishte pasur pak mirënjohje apo xhentilesë të ndërsjelltë, së paku në protokoll. Por siç thuhet në këto raste, galanteria nuk blihet në gastronom, o e ke o jo.

Megjithatë, loja e Shkodrës ka ndryshuar, e pavarësisht se sot nga ajo gëzon Edi Rama, gjasat janë që të sjellë një efekt domino në të gjithë elektoratin shqiptar. Është një qasje tipike konservatore dhe paksa borgjeze, duke refuzuar një klishe që u kishte ardhur në majtë të hundës. E në radhë të parë, nga injorimi pa logjikë i Shkodrës, i besimit dhe promovimit të figurave të qytetit apo territorit.

Fiksimi i importimit të jeminëve politikë nga Sali Berisha, duket se është kthyer në një mani “konservatore” duke imponuar një axhendë që nuk ka lidhje me qytetin më të madh të veriut. Pikërisht ky imponim ishte një shkaqet kryesore të humbjes së rëndë të 14 majit.

Katapultimi i Bardh Spahisë, degdisja e Jozefinës në Laç, shkarkimi i njerëzve me peshë në territor vetëm se nuk ju qasën foltores, krijuan një debat dhe përplasje të fortë që para zjgjedhjeve lokale. Madje edhe besnikë të Berishës që e nisën karrierën në SHIK-un e tmerrshëm të Gazidedes, nuk duruan dhe kundërshtuan politikën e emërimeve nga lart.

Ndërkaq, dërgimi i Luçiano Boçit, i cili ishte kandidat për kryebashkiak në Elbasan, ku humbi rëndë, si i deleguar në Shkodër, duket se është një shenjë për të vënë ura me atë komunitet që ende ka një nostalgji për doktorin.

Po përse nuk çon emrat që kanë përfaqësuar Shkodrën gjithë këto vite: Jozefina Topallin, Lorenc Lukën apo edh eish-kryebashkiakun Bardh Spahia.

Kjo duket qartë, se të gjitha figurat e vjetra janë tashmë Non Grata nga demokratët e vjetër, të cilët kërkojnë një ndryshim epokal, për të cilin Berisha ka çuar Luçiano Boçin, nënkryetarin e foltores, i cili ka një profil qytetar dhe intelektual.

Problemi i Berishës me Shkodrën nuk është thjeshtë një inat apo qefëmbetje sezonale, por edhe një logjikë politike. Asnjë personazh i rëndësishëm i Shkodrës nuk është në kupolën e foltores, ku thatësira e qytetit të madh verior duket se është një ngjarje politike.

Madje edhe e parekuperueshme.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.