Pse të gjithë merren me Saliun!

Nga Dritan Hila Ka mëse dy vite që fokusi i mediave është përqendruar te Sali Berisha. Në realitet aksioni i Berishës nuk ka peshë domethënëse për vendin. Asnjë llogari gjakftohtë nuk e jep atë fitues të pushtetit. Por ka dy arsye që opinioni merret me të. E para ka lidhje me pompimin që i bën […]

Janar 8, 2024 - 18:43
 0
Pse të gjithë merren me Saliun!

Nga Dritan Hila

Ka mëse dy vite që fokusi i mediave është përqendruar te Sali Berisha. Në realitet aksioni i Berishës nuk ka peshë domethënëse për vendin. Asnjë llogari gjakftohtë nuk e jep atë fitues të pushtetit. Por ka dy arsye që opinioni merret me të.
E para ka lidhje me pompimin që i bën media e lidhur me Ramën. Kjo për arsyen e thjeshtë se sa kohë që pushteti do të ketë përballë si alternativë Berishën, e ka betejën e fituar. Askush nuk do të kthehet pas në modelin Berisha dhe të ketë mbi kokë ata që e ndjekin atë. Prania e Berishës në fushë e heq gjithë vëmendjen nga problemet e pushtetit dhe i kursen kohë këtij të fundit që të çmontojë akuzat reale apo fake që i bëhen. Për çdo rast ai ka si justifikim Berishën.

Arsyeja e dytë ka lidhje me frikën e opinionit normal nga Berisha. Berisha nuk ka fuqi të vijë në pushtet, por ai ka potencial destabilizues për vendin. Shkolla politike e tij është ajo e destruktivizmit të potencialeve ekonomike dhe psikologjike të vendit. Pas 33 vitesh të pranisë së tij në politikë ne kemi parë vendosjen e vendit në hullinë e shkatërrimit të potencialeve ekonomike. Edhe nëse tregohemi indulgjentë me të për shkatërrimin e industrisë së rëndë si jo rentabël, nuk ka justifikim historik për të në shkatërrimin e infrastrukturës bujqësore, tarracave, plantacioneve frutore dhe sistemeve hidrike apo industrisë së lehtë. Pas 33 vitesh vendi mezi po ia del të prodhojë edhe njëherë konserva dhe komposto frutash që i prodhonte që në vitet ‘50-të të shekullit të shkuar.

Potenciali psikologjik dhe politik i vendit është i shkatërruar pikërisht prej mendësisë së Berishës. Ka vite që propaganda okulte e bën këtë vend të pabanueshëm dhe jetueshëm. Mjafton që si alternativë e së ardhmes paraqitet një 80-vjeçar për të mos pasur oreks të rrish këtu. Pa harruar që propaganda e tij vazhdimisht i bën thirrje braktisjes duke paraqitur shifra të pabazuara për emigracionin dhe të palidhura me të si fenomen që po gërryen gjithë ish-lindjen komuniste pikërisht për shkak të prezencës së faktorëve model Berisha. Sa për ilustrim, tani kanë filluar hedhin shifrën e 1.5 milionë shqiptarëve që paskan mbetur brenda vendit. Një shifër e cila nxit fenomenin e braktisjes dhe ikjes.

Dhe e fundit, por jo më pak të rëndësishme betejën kundër fenomenit Berisha e bën prezenca në të e llumit shoqëror dhe intelektual në lëvizjen e tij. Ndoshta të gjithë foltoristat nuk janë llum, por i gjithë llumi aty është mbledhur. Nëse doni tipa me çrregullime mendore, anarkistë, vandalë, personazhe antisocialë dhe antishtet, zhgarravitës portalesh dhe gjobaxhinj, mbeturina të agjenturave të huaja dhe ish-burgaxhinj ordinerë të konvertuar në të persekutuar të ndërgjegjes, mbeturina të spiunëve të ish-sigurimit të shtetit, i gjeni aty. Ndaj edhe frenimi i këtij kontigjenti e bën shoqërinë të harxhojë energji me të dhe mos të merret me projektimin e perspektivës së vendit apo oponencën e qeverisjes së Ramës. Dhe sa më shpejt të çlirohet shoqëria nga fenomeni Berisha, aq më shpejt do fillojë korrigjimi i së tashmes dhe projektimi i së ardhmes.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.