Rrëfimi i luftës në Gaza nga Tirana, Samir Zatari, palestinezi që jetën e ndërtoi në Tiranë

Ka edhe nga ata që luftën e shohin dhe e përjetojnë nga larg, për shembull edhe nga Tirana. Me një familje të zhvendosur dekada më parë nga vendlindja, rritur në lagje apo kampe refugjatësh, ka nga ata që sot atë që ndodh në Gaza, e kanë provuar në lëkurën te vet. I tillë është rasti […]

Prill 1, 2024 - 14:55
 0
Rrëfimi i luftës në Gaza nga Tirana, Samir Zatari, palestinezi që jetën e ndërtoi në Tiranë

Ka edhe nga ata që luftën e shohin dhe e përjetojnë nga larg, për shembull edhe nga Tirana. Me një familje të zhvendosur dekada më parë nga vendlindja, rritur në lagje apo kampe refugjatësh, ka nga ata që sot atë që ndodh në Gaza, e kanë provuar në lëkurën te vet.

I tillë është rasti i Samir Zatari Zatari, me origjinë palestineze, që në këto 6 muaj luftime, ka humbur mjaft miq e shokë në Gaza. Në një intervistë marrë nga Denisa Pasholli, ai sjell në A2 CNN përjetimin e tij të luftës, çfarë është për të Palestina dhe çfarë mendon ai për Hamasin.

Fjala që ai përmend më shpesh është rezistencë, prej dekadash si e vetmja mënyrë sipas tij, që palestinezët e banorët e Gazës kanë për të mbijetuar.

Intervista e Plotë

Denisa Pasholli: Faleminderit për kohën.

Samir Zatari: Kënaqësia ime.

Denisa Pasholli: Më the që ke mësuar disa fjalë në shqip?

Samir Zatari: Po

Denisa Pasholli: Ke një histori vërtet interesante, të jetës. Por çfarë bën tani në Tiranë?

Samir Zatari: Siç ju i thoni në Shqipëri, kismeti.

Denisa Pasholli: Kismet që u martove me një vajzë shqiptare?

Samir Zatari: Po, takova një vajzë të jashtëzakonshme shqiptare, gruan time. Elona. U njohëm në Turqi sepse studiuam në të njëjtën shkollë. Më pas vazhduam të takohemi  në Dubai, pastaj vendosëm të martoheshim. Jetuam atje për 12 vjet pas martese dhe vendosëm të zhvendosemi në Shqipëri. Si një mision të ri në jetë. Sepse u ndjemë të plotësuar në Dubai, arritëm qëllimet tona atje, flas profesionalisht dhe vendosëm, thamë ta bëjmë këtë gjë, të shkojmë në Shqipëri. Vendosëm se gjëja më e mirë ishte të vinim në vendlindjen e gruas, dhe sot është shtëpia ime e dytë sepse kam marrë edhe shtetësinë shqiptare.

Denisa Pasholli: Tiranë është thjesht një stacion në jetën tuaj?

Samir Zatari: Jo. Tiranën nuk e shohim si tranzicion. Këtu kemi shtëpinë, projektet tona. Ajo nisi biznesin e saj, unë nisa biznesin tim, merrem me menaxhim inxhinerik, kam kompaninë time. Ndaj them që nuk është thjesht stacion, është vendi ku jetojmë. Ne nga lindja e mesme e kemi të lehtë të përshtatemi më Shqipërinë, në sensin e klimës, stinëve, të stilit të jetës,  shoqërisë, lidhjeve familjare. Ndaj, mund të them që nuk më bindi gruaja por unë isha nxitja që të vinim në Tiranë. E menduam si fillim Tiranën në fakt por tani e kuptoj që këtu nuk jam plotësisht I përmbushur në fushën time të specializimit, ndaj nisa të mendoj për një brend edhe në Turqi, ndaj do jetë një jetë mes Tiranës dhe Turqisë, ndonjëherë edhe Dubai, varet. Por e sigurt është që 6 muaj të vitit do jemi në Tiranë.

Denisa Pasholli: por historia e jetës tëndë është e lidhur me Palestinën.

Samir Zatari: Po, është e lidhur me Palestinen.

Denisa Pasholli: Por nuk është vendlindja jote apo jo?

Samir Zatari: Jo, gjyshi im, babai im ka lindur në Palestinë. Në 1939. Jemi refugjatë të Palestinës në 1948, që u zhvendosën nga veriu I Palestinës, në jug të Libanit. Atje u vendosëm në kampet refugjatë në vitin 1948. Edhe nëna ime ishte refugjate. Ajo u zhvendos nga Haifa në Palestinë në Jordani. Unë vetë kam lindur në Liban, në vitin 1976. Por fatkeqësisht, edhe ajo zhvendosje nga Palestina në atë kohë, nuk ishte fundi i përplasjeve dhe luftës me Izraelin. Sepse në vitin 1982 pata mundësinë që të shoh por edhe të përjetoj torturat e izraelitëve, edhe në veten time. Sepse në 1982 ata pushtuan Libanin, në ndjekje të refugjatëve palestinezë. Ishim nën pushtim nga 1982 deri, së paku, në 1985. Në atë kohë, unë isha fëmijë. Një nga kujtimet që më ka mbetur në mendja, ishte një ditë kur po luaja në lagje, isha 10 vjec e po luaja futboll me shokët e mi, mes ndërtesave. Erdhi një ushtar izraelit, dhe në një mënyrë të dhunshme, na kërkoi që të largoheshim, duke sharë e mallkuar nënat tona. Ishim në lagje, jo në zonë ushtarake. Më thirri mua, ende e mbaj mend. Hapi derën, ngriti armën dhe më qëlloi në krah. E kam ende shenjë në trup. Jeton me mua. Fatmirësisht preku vetëm muskulin dhe jo nervin. Dhe historitë që sot shohim në Gaza, të vdekur. Është e njëjta gjë. Isha 10 vjeç dhe ecja mes të vdekurve. Ecja mes të plagosurve. Kam parë njerëz pa pjesë të trupit, pa duar ose pa këmbë. Mamaja ime po ashtu është plagosur. Kur babai im ikte për të gjetur ushqim. Burri I shtëpisë ishte vetëm babai im. Ndaj ai e kishte për detyrë që të na siguronte ushqimin. Unë mbaj mend ende sot, erën e baltës në bukën që hanim. Mamaja ime e pastronte baltën dhe ne e hanim. Babai im dilte, bënte gati mision të pamundur për të siguruar ushqim. Kur ikte, mendonim do e shohim prapë apo jo, kur kthehej, ishte sikur rikthehej përsëri në jetë. Ndaj, në një prizëm të ngushtë sepse ajo që ndodh në gaza është krejt tjetër sot, por gjenocidin siç sot po ndodh në Gaza, e kemi përjetuar gati 40 vite më parë. Ndaj them, që të gjithë palestinezët, refugjatë apo palestinezë të bregut perëndimor apo palestinezë të Izraelit, kanë përjetuar dhe ende përjetojnë e ndajnë bashkë,  të njëjtat tortura, në kohë të ndryshme, nga Izraeli. Nuk ka më të këqij se ata. Por për të qenë i sinqertë, më e vështira po ndodh tani. Gjithçka që po ndodh në Gaza, ka kaluar çdo limit njerëzor.

Denisa Pasholli: A ke tani miq, familjarë apo të afërm në Gaza?

Samir Zatari: Kam. Në 5 muajt e fundit, kam humbur 6 miq. Të njëjtën moshë me mua. Ose edhe më të rinj. Kur them kam humbur, flas jo vetëm ata vetë. Miq e shokë, që kanë vdekur bashkë me familjet e tyre dhe secili kishte 5-6 apo 7 anëtarë në familje. Kishte edhe një martir shqiptar. Babai i tij ishte palestinez, mamaja nga Korça. Ata jetonin këtu, por para 1 viti, ikën në Palestinë. Djali i tij ishte 19 vjeç. Shqiptaro-palestinez, emri i tij ishte Brahim. Ai vdiq. Djalin tjetër, më të vogël, e ktheu në Shqipëri, por ata vetë janë ende në Palestinë. Ndaj, në fund të ditës, themi se ne këto kohë të vështira, se çdo i vrarë apo edhe i plagosur, është martiri ynë. Ne e themi gjithmonë, nuk është thjesht lidhja e gjakut, është lidhja kombëtare, lidhja njerëzore.

Denisa Pasholli: Si ishte jeta në Gaza para luftës, e ke vizituar ndonjëherë?

Samir Zatari: Jo. Kam njohur shumë të rinj nga Gaza, që nga koha kur studioja në Turqi. Shumica e të rinjve nga Gaza studionin në Turqi. Është më e lehtë dhe më lirë të studiosh në gaza. Jeta në Gaza ishte si një burg i hapur. Një djalë nga Gaza, i fundit që arriti të dalë nga atje, ishte para 3 vitesh dhe ja doli të mbërrijë në Tiranë. Sa herë sot hap televizorin, sheh lajmet. Sepse ju e dini, Gaza është sulmuar nga izraelitët më shumë se 10 herë në 70 vitet e fundit. Çdo herë që sheh lajmet, sheh a ka vdekur njeri që e njeh. S’mund t’i mbështesë më financiarisht prindërit. Babait i ka pas dërguar 50 euro, 100 euro. E pyesja, a i del? Më thonte, është më mirë se asgjë. Mjafton për të blerë bukë. Jeta atje është… si ta shpjegoj më mirë: je më familjen tënde, ke ajër, ke ujë, por nuk del dot jashtë shtëpisë tënde. As në raste emergjence. Nëse djali im, duhet të shkojë në spital, s’mund ta dërgoj. Në qoftë se djali im do të studiojë, s’mund të gjej një universitet për të. Në qoftë se plagoset, s’mund ta kuroj. Është një burg i madh i hapur.

Denisa Pasholli: I sheh lajmet çdo ditë tani, që nga tetori?

Samir Zatari: Po, na është bërë rutinë tani. Vetëm kështu mësojmë çfarë ndodh. Vetëm kështu i mbajmë zemrat gjallë. Disa njerëz na thonë, mos i shihni se është torturë. Por jo. Duhet t’i shohim. Sepse nëse nuk e shohim çdo ditë, do harrojmë. Do jetë një lajm i thjeshtë, ndoshta një titull diku, duhet t’i shohim lajmet që të mbajmë zemrat gjallë dhe do japim kontributin tonë, qoftë edhe në Tiranë, duke e ngritur zërin, apo edhe me një postim në rrjetet sociale. Kemi edhe ne rolin tonë, çdo njeri ka zërin e tij. Këtu nuk flas për palestinezët, sepse lufta e ka kaluar kombësinë palestineze, është një apel njerëzor. Çdo njeri ka mundësinë të thotë një fjalë. Unë flas me ty, përcjell zërin tim, flas edhe me njerëz të tjerë, të gjithë më pyesin çfarë ndodh. Ndërgjegjësimi për atë se çfarë po ndodh në Gaza, do të ndihmojë të nënvijëzojë gjenocidin që ndodh nga Izraeli.

Denisa Pasholli: A ndihesh i trishtuar kur sheh lajme se njerëzit s’kanë ushqime, se po vdesin nga uria apo edhe kur Kryeministri izraelit Netanyahu thotë se s’do ndalojë, por do luftojë, deri në ushtarin e fundit të Hamas?

Samir Zatari: Shiko, unë sot jam me agjërim. Nga ora 5 në 6 të pasdites, thuajse 12 orë. Domethënë unë agjëroj 12 orë dhe them se më dhemb koka, ndihme i lodhur. Dhe të mendosh që unë jam i rritur. Nuk jam 5 apo 6 vjeç. Imagjino që unë jam babi i një djali, ai nuk ka bukë të hajë dhe ma kërkon mua. A mund ta imagjinosh që jam nëna e një fëmijë dhe s’mund t’i siguroj ushqim? Në të gjitha aspektet, nuk ka një përshkrim për aktet e Netanyahut. Deri në ushtarin e fundit të Hamas? S’mund t’i japësh fund Hamasit sepse Hamas është një ideologji.

Denisa: Parti politike?

Samir Zatari: Hamas është ideologjia për rezistencë politike në Gaza dhe Palestinë. Sepse nëse do të eliminosh Hamasin, duhet të eliminosh të gjithë njerëzit. Sepse Hamas është rezistenca politike e palestinezëve. Sipas të drejtës ndërkombëtare, çdo popull në pushtim ka të drejtë për të rezistuar, me çdo mjet që kanë, përfshirë edhe ushtrinë. Por 7 tetori, nuk ndodhi në një natë blu. Nuk u ulëm djemtë e Hamas dhe thanë, o hajde shkojmë në Izrael. 7 tetori është grumbullim. Grumbullim që nga 1948. Nga 1948 deri tani, torturë, torturë, torturë, torturë ndaj palestinezëve…. ata kërkojnë paqe? Ne themi, hajde të ulemi në tavolinë dhe të bëjmë marrëveshje paqeje. Ne nuk jemi kundër bashkë-ekzistencës. Para 1948, komuniteti hebre jetonte i lumtur në tokën tonë palestineze. Ne nuk kemi fare lidhje me hebrenjtë, nuk kemi lidhje me Izraelin në përgjithësi. Ne jemi myslimanë, të krishterë, hebrenjë, të gjithë njësoj, ne nuk bëjmë ndarje. Jemi njerëz. Është grumbullim prej vitesh. Nëse flasim për vetë Gazën, në 70 vjet, më shumë se 6 herë, është bombarduar. Secilën herë, të nisur nga kush? Nga izraelitët. Negociata paqeje? E pranuam. Firmosëm marrëveshjen e OSLO-s në vitin 1993, që na dha kontrollin e plotë të gati 8% të tokës sonë. Çfarë ndodhi pas asaj marrëveshje? 8% I tokës sonë, që do duhej të ishin nën kontrollin tonë, që është Bregu Perëndimor, izraelitët kanë ngritur alarmin 200 herë edhe atje. Ndaj edhe marrëveshja e paqes, marrëveshja e Oslos, të cilët jot ë gjithë palestinezët e pranojnë por qeveria e zyrtarizoi, e firmosëm. E kanë shkelur atë marrëveshje në 98% të saj. Çfarë doni më shumë? Është një shembull I thjeshtë. Nëse unë jetoj në një shtëpi, kam djalin, vajzën, familjen. Shtëpinë ma rrethojnë, vajza ime ka tumor, më duhet ta kuroj. S’mund të dal jashtë. Çfarë të bëj si baba? Nëse kam një pirun në dorë, do dal jashtë dhe do mundohem të thyej barrierat. Me pirun. Me dorë. Këtë ka bërë Hamas. Njerëzit harrojnë. Nuk i kushtojnë rëndësi. Dy vitet e fundit, ka patur çdo të premte, demonstrata paqësore në kufirin  mes Gazës dhe Izraelit, paqësore. Njerëzit shkonin atje, me ngjyra e thirrje paqeje. Pas këtyre thirrjeve për paqe, u vranë 300 vetë. Me snajperë. Gjakderdhje kudo. 10 prej tyre, gazetarë.

Denisa Pasholli: Samir Zatari, më parë më përmende bashkëekzistencën mes palestinezëve dhe izraelitëve, por Netanyahu nuk do e pranojë kurrë.

Samir Zatari: Nuk e pranon, epo atëherë do duhet të përballet me rezistencën tonë. Ne jemi palestinezë, ne kurrë kurrë-kurrë, as brezi i dytë, tretë, katërt, i 100, nuk do dorëzohemi. Unë nuk kam lindur në Palestinë nuk kam pirë ujin e Palestinës, nuk kam ngrënë nga ushqimi i Palestinës, por nëna ime ka ngrënë. Palestina është dashuria e saj, e trashëgoi dashurinë te fëmijët e saj, dhe fëmijët e fëmijëve. Ne nuk do ta harrojmë kurrë. Rezistenca është e drejta jonë. Sipas ligjit ndërkombëtar, sipas çdo organizate të të drejtave të njeriut, dhe do e bëjmë këtë luftë ushtri me ushtri. Ne nuk e bëjmë ushtria përballë njerëzve.

Denisa Pasholli: Çfarë po bën, në mendimin tënd, komuniteti ndërkombëtar? Me Amerikën në krye?

Samir Zatari: Të jem i sinqertë, ka 2 aspekte, pozitive e negative. Ka një anë negative që pavarësisht gjithçkaje, ka mbështetje për Izraelin. Pjesa pozitive, ka një ndryshim. Si për shembull, sot dëgjon Irlandën që flet për të drejtën e palestinezëve, dëgjon ministrat në Spanjë që flasin në favor të palestinezëve. Gjatë 70 viteve të fundit, njerëzit kanë dëgjuar vetëm propagandën e Izraelit. Duke nisur nga eksperienca e keqe e vetë izraelitëve, që ishte Holokausti. Por s’mund ta kalosh Holokaustin, duke tortuar njerëz të tjerë. Ndaj, me propagandën e izraelitëve kundër palestinezëve, ka funksionuar gjithnjë. Dhe kjo është sot një fitore e vogël, që këtë herë edhe falë mediave sociale, njerëzit në të gjithë botën, mund të shohin kush është fytyra e vërtetë e izraelitëve dhe kush është fytyra e vërtetë e palestinezëve. Sepse ata gjithnjë i referohen Palestinës apo Hamasit si një lëvizje islamofobike, por nuk është. Është revolucion. Është revolucion. Është revolucion. Deri në fitore.

Denisa Pasholli: Samir Zatari, a të ka pyetur ndonjë prej miqve apo familjarëve të t’u për Shqipërinë gjatë këtyre muajve? A do t’i ndihmosh? Apo ata e kanë të pamundur të dalin?

Samir Zatari: E para, ata s’mund të dalin jashtë vendit. Edhe nëse vendosin të dalin, edhe nga kufiri me Egjiptin që është dalja e vetme, është i kontrolluar nga Egjipti vetë, që nuk ta lejon. Duhet të paguash 10 mijë euro që të të japin leje të largohesh. Por mbi të gjitha, tani po largohen 2-3% e banorëve të Gazas, kryesisht të plagosurit, për kurim në Egjipt dhe Turqi apo edhe Katar. Por shumica e palestinezëve të Gazës, nëse i pyet tani, le të themi 80% e tyre, thonë se do rrinë. Sepse thonë që do rrimë të vdesim në vendin tonë, më mirë sesa të ikim jashtë e të jemi refugjatë. Sepse e kanë parë jetën e refugjatëve. Unë jam një prej tyre. Është torturë. Ne kurrë nuk kemi një ekzistencë. Ne ende nuk e dimë çfarë jemi. Deri më sot, është e vetmja pasaportë në botë që nuk ka liri, pa regjim të vizës.

Denisa Pasholli: Cili mendoni se do jetë fati i popullit palestinez?

Samir Zatari: Ne besojmë se kohët e vështira do të pasohen me fitore. Prej kohësh e kemi besuar këtë.  Të gjithë palestinezët, padyshim, edhe pse kosto do jetë e madhe dhe ne jemi gati ta paguajmë, edhe pse lufta mund të jetë e gjatë, ne jemi gati ta vazhdojmë por ne do rezistojmë deri në fitore sepse e dimë që fundi I këtij revolucioni, është fitorja. Ky është ligji I ri I tokës. Ose më mirë të them, ligj i Zotit.  Nuk ka torturë të justifikueshme, dhe që ende vazhdon. Çdo gjë e arritur me pushtim, do rritet e do rritet por dikur, do thyhet. Dhe e kemi parë, 1948 me krijimin e Izraelit, u rritën, tani është koha të bien prapë. Gjithçka e kanë ndërtuar mbi jetët e njerëzve, karma funksionon. Çdo jetë e humbur që nga viti 1948, torturat ndaj palestinezëve, është koha të hakmerremi. Ne do rezistojmë, ne do qëndrojmë, ne e mbështesim njëri tjetrin, unë mbështes popullin tim palestinez, nëse do kem 10 lekë në xhep, do t’i mbaj e 5 do ja dërgoj atyre. Ne do vazhdojmë. Rreziku është i madh, por besimi është më i lartë.

Denisa Pasholli: Faleminderit për kohën dhe shpresoj që të kthehesh së shpejti, në Palestinën tënde.

Samir Zatari: Siç i kam thënë bashkëshortes sime, imagjinoj një jetë të bukur që mund të bëjmë. Kur flasim për jetën në të ardhmen, i them që imagjinoj të kem një shtëpi në Palestinë, në një fshat që quhet Alek, është në një zonë shumë të këndshme, do kemi shtëpinë tonë këtu, dhe do kemi një shtëpi në plazh në Shqipëri. Këtë do kemi. 6 muaj në Shqipëri, 6 muaj në Palestinë.

Denisa Pasholli: Shpresoj.

Samir Zatari: Shqipëria për mua është një shtëpi e dytë, më dha një grua, një familje të jashtëzakonshme. Kam marrëdhënie shumë të mirë me njerëzit, më pëlqen natyra.

Denisa Pasholli: Keni miq të tjerë nga Palestina në Shqipëri?

Samir Zatari: Shumë pak.

Denisa Pasholli: Faleminderit edhe një herë.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.