Rusët “fërkojnë duart”, tensionet mes Zelenskyt dhe komandantit të Forcave të Armatosura arrijnë kulmin

The Economist Përktheu Klodjana Agaj Tensionet në krye të qeverisë të Ukrainës kanë dalë në dritë dy ditët e fundit, pasi më 29

Janar 31, 2024 - 12:11
 0
Rusët “fërkojnë duart”, tensionet mes Zelenskyt dhe komandantit të Forcave të Armatosura arrijnë kulmin

The Economist

Përktheu Klodjana Agaj

Tensionet në krye të qeverisë të Ukrainës kanë dalë në dritë dy ditët e fundit, pasi më 29 janar në Kiev u përhapën fjalë se presidenti Volodymyr Zelensky, ishte gati të shkarkonte komandantin e tij të forcave të armatosura, gjeneralin Valery Zaluzhny.

Shkarkimi i një prej figurave më të njohura në Ukrainë do të sillte debate të mëdha dhe do të shënonte një moment kyç në konfliktin e Ukrainës me Rusinë. Deri më tani, Zelensky nuk ka njoftuar se gjenerali po zëvendësohet. Por kjo nuk do të thotë se puna e gjeneralit Zaluzhny është e sigurt. Thjesht mund të ndodhë që zëvendësuesi i tij ende nuk është gjetur.

Nuk ishte hera e parë që hidhej një plan për largimin e gjeneralit, por ishte ky i fundit më bindësi. Një ditë dramatike filloi me informacionet që dolën nga deputetët, të cilët ishin informuar, ndoshta strategjikisht, për një “grumbull dokumentesh” dërguar një komisioni sigurie për nënshkrim.

Më vonë, burime në shtabin e përgjithshëm dhe afër gjeneralit Zaluzhny konfirmuan se pozicioni i tij ishte i lëkundur.

The Economist ka qenë në gjendje të konfirmojë se u zhvillua një takim herët në mbrëmje, në të cilin presidenti informoi gjeneralin e tij se kishte vendosur ta shkarkonte atë. Zaluzhny iu ofrua një rol tjetër: sekretar i këshillit të sigurisë kombëtare, të cilin ai nuk e pranoi.

Lajmi i planit u zbulua shpejt në mediat lokale. Ministria e Mbrojtjes dhe pallati presidencial mohuan se gjenerali ishte shkarkuar, gjë që ishte teknikisht e vërtetë. Por problemet – marrëdhënia jofunksionale midis presidentit dhe gjeneralit të tij dhe dyshimet në zyrën e presidentit se gjenerali ka ambicie politike – nuk janë zhdukur. Të dy burrat duken të dëmtuar nga sherri, dhe mosmarrëveshjet midis udhëheqjes politike të Ukrainës dhe komandës së saj ushtarake po shqetësojnë aleatët kryesorë të Ukrainës.

Dy gjeneralë po përmenden si pretendentë për punën e Zaluzhny: Oleksandr Syrsky, 58 vjeç; dhe Kyrylo Budanov, 38 vjeç. Të dy konsiderohen të jenë të afërt me ekipin presidencial. Gjenerali Syrsky, një nga oficerët më me përvojë të ushtrisë, ishte truri operacional pas dy prej fitoreve më të jashtëzakonshme të Ukrainës kundër Rusisë në vitin 2022: rreth Kievit dhe në rajonin e Kharkiv. Por qasja e tij e ashpër ndaj luftimeve e ka bërë atë jopopullor në pjesë të ushtrisë. Vitin e kaluar ai sakrifikoi komandantë të lodhur nga beteja në mbrojtjen ndoshta të pakuptimtë të qytetit të vogël Bakhmut.

Gjenerali Budanov, kreu enigmatik dhe ambicioz i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, përqafon një qasje shumë më jokonvencionale dhe të paprovuar ndaj komandës. Ai nuk ka udhëhequr më parë forcat e armatosura konvencionale – ose një organizatë të ngjashme me madhësinë e ushtrisë ukrainase, e cila tani punëson afërsisht 1 milion njerëz. Disa kanë sugjeruar se ai e refuzoi punën në minutën e fundit. Një koleg i afërt këmbëngul se gjenerali Budanov nuk e përfilli pozicionin e gjeneralit Zaluzhny, por se ai gjithashtu nuk kishte të drejtë të refuzonte një pozicion ushtarak. “Nuk je ti që i merr këto vendime”, shton kolegu.

Thashethemet vijnë në një moment kritik. Kundërofensiva e verës e Ukrainës dështoi dhe ajo përballet me pasiguri mbi shkallën e mbështetjes së huaj që mund të presë. Beteja për të ardhmen e gjeneralit Zaluzhny nuk ka gjasa të bëjë më të mundshëm financimin e ri, pasi komandanti vlerësohet shumë në Perëndim. Trupat ukrainase në vijën e frontit po ankohen tashmë për mungesë municionesh. Njësitë ruse po qëllojnë të paktën pesë herë më shumë predha se armiku i tyre dhe po arrijnë fitore modeste territoriale në lindje të vendit.

Propagandistët rusë nga ana tjetër,  me gëzim kanë përbuzur Ukrainën. “Pavarësisht nëse Zaluzhny shkarkohet apo jo, nëse ai zëvendësohet nga Budanov apo Mudanov – kaosi në “shtëpinë” e tyre është i dobishëm. Dhe duket mirë”, shkroi Margarita Simonyan, shefja e Russia Today, një zëdhënëse e Kremlinit, në kanalin e saj Telegram.

Mbrojtja e Kievit dhe Ukrainës verilindore në fillim të luftës e bëri gjeneralin Zaluzhny një figurë kulti. Sondazhet e treguan vazhdimisht atë më popullor se presidenti i tij; Kjo krijoi tension mes dy burrave, marrëdhëniet e të cilëve fillimisht ishin të mira. Në veçanti, miratimi i gjeneralit për një fondacion bamirësie të krijuar në emër të tij në prill 2022 u pa nga disa si shumë politik. Gjenerali Zaluzhny pretendoi se nuk kishte ambicie politike, por u nda me disa këshilltarë pas skandalit.

Zelensky nuk është i vetmi person që ka vënë në dukje popullaritetin e gjeneralit të tij. Figurat e shquara të opozitës, të anashkaluara deri më tani nga nevoja për bashkim kombëtar, kanë filluar të rreshtohen me gjeneralin Zaluzhny. Ky proces u përshpejtua javët e fundit ndërsa thashethemet për largimin e gjeneralit u intensifikuan. Presidenti i mëparshëm, Petro Poroshenko, i cili ushqen pak dashuri për pasardhësin e tij, shpejtoi të përfitonte nga rrëmuja.

Shkarkimi i Zaluzhny, nëse është i vërtetë, do të godiste në zemër të unitetit kombëtar”, shkroi ai.

Një burim në inteligjencën ukrainase parashikon se përpjekjet për të përdorur gjeneralin Zaluzhny do të vazhdojnë për sa kohë që Ukraina të mbetet një demokraci.

“Ne zgjohemi në mëngjes dhe duam të hamë. Njerëz të tjerë zgjohen në mëngjes dhe mund të mendojnë vetëm për të qenë president”, tha ai.

Nuk është e pazakontë që udhëheqësit civilë të ndryshojnë komandantët, madje edhe ata të lartë, në luftë. Ndonjëherë kjo ndodh për shkak të mosbindjes, si me vendimin e Harry Truman për të liruar Douglas MacArthur nga komanda gjatë luftës koreane, pasi gjenerali minoi publikisht politikën amerikane dhe kundërshtoi urdhrat e presidentit. Në vitin 2010, Barack Obama shkarkoi Stanley Mçhrystal, komandantin e tij të lartë në Afganistan, pasi ai dhe stafi i tij bënë komente përçmuese për presidentin në një profil të Rolling Stone.

Në raste të tjera gjeneralët shkarkohen për performancë të dobët. Abraham Lincoln shkarkoi George Mçlellan gjatë luftës civile amerikane për gjykime të gabuara ushtarake. Sir John French u pushua nga puna si kreu i Forcës Britanike të Ekspeditës në 1915 pasi nuk arriti të përshtatej me luftën mbizotëruese të llogoreve. Obama shkarkoi gjeneralin David McKiernan nga puna në Afganistan pas vetëm 11 muajsh, mbi bazën se atij i mungonin instinktet e guximshme që kërkoheshin për të kthyer luftën e lëkundur.

Historia ushtarake është gjithashtu e mbushur me raste kur komandantët lirohen për arsye më pak fisnike. Gjeneralët janë shpesh figura heroike dhe të mprehta, duke eklipsuar zotërinjtë e tyre politikë ose përmes suksesit në fushën e betejës ose vetë-publicitetit – ose të dyja, si në rastin e Ariel Sharon, një oficer i ri izraelit dhe kryeministër i ardhshëm që dha intervista për shtypin e huaj pas shfrytëzimeve të guximshme në luftën e Yom Kipurit.

Kjo ngjall zili dhe pakënaqësi. Gjenerali MacArthur u konsiderua si një kandidat i besueshëm për nominimin presidencial republikan në vitet 1940. David Petraeus, zëvendësuesi i gjeneralit Mçhrystal dhe më vonë drejtori i CIA-s, tërhoqi zëra të vazhdueshëm për ambicie politike, duke nxitur ndihmësit e Obamës të kërkonin garanci se gjenerali nuk do të kandidonte kundër presidentit në 2012.

Një dinamikë e ngjashme duket se ka ndikuar në vendimin e Zelensky për të hequr dorë nga gjenerali Zaluzhny. Vërtetë, ka pasur dallime mendimesh për çështjet ushtarake. Gjenerali i ka bërë presion publikisht Zelenskyt për të nisur një mobilizim në shkallë të gjerë të burrave; presidenti e ka refuzuar këtë, duke e ditur se do të ishte jopopullore. Pati gjithashtu debate të ashpra midis pallatit presidencial dhe shtabit të përgjithshëm mbi strategjinë ushtarake, duke përfshirë argumentin mbi Bakhmutin. Por në fund të ditës, ishte ndoshta profili politik në rritje i vazhdueshme i gjeneralit Zaluzhny ai që e mërziti Zelenskyn dhe ata përreth tij.

Një president ka të drejtë të ndryshojë një komandant në të cilin nuk ka më besim: nënshtrimi i udhëheqjes ushtarake ndaj civilëve është një gur themeli i demokracisë. Dhe nëse emërohet, zëvendësuesi i gjeneralit Zaluzhny pa dyshim do të shërbejë në mënyrë efektive. Por largimi i një njeriu aq popullor me ushtarët e tij dhe publikun sa gjenerali mbart rreziqe politike dhe ushtarake.

Nuk është e qartë se si do të përfundojë kjo histori. Por nëse Zelensky e mban komandantin e tij të lartë, ai do të duket i dobët. Nëse ai e shkarkon atë, mënyra e ngathët është trajtuar vetëm do të dëmtojë besimin te lidershipi. Si shpesh në këtë konflikt, nuk ka fitore të lehta. /vizionplus.tv

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.