Rusia intensifikon operacionet e spiunazhit në Europë, analistët: Janë më të fuqishëm se kurrë
Rusia ka rifilluar operacionet e saj të spiunazhit kundër Perëndimit që kur filloi agresionin kundër Ukrainës në vitin 2022. Piloti rus i helikopterëve Maxim Kuzminov dezertoi në Ukrainë në gusht 2023. Ai shkoi në Spanjë dhe filloi një jetë të re nën një identitet të rremë. Muajin e kaluar, trupi i tij i shpuar nga […]
Rusia ka rifilluar operacionet e saj të spiunazhit kundër Perëndimit që kur filloi agresionin kundër Ukrainës në vitin 2022.
Piloti rus i helikopterëve Maxim Kuzminov dezertoi në Ukrainë në gusht 2023. Ai shkoi në Spanjë dhe filloi një jetë të re nën një identitet të rremë.
Muajin e kaluar, trupi i tij i shpuar nga plumbat u gjet në një parkim në Spanjën jugore. Rusia nuk ka pranuar se ishte pas vrasjes së tij. Por drejtori i zbulimit të jashtëm të Moskës e cilësoi Kuzminovin si një “kufomë morale” për shkak të dezertimit nga ana e tij.
Analistët thonë se vrasja e tij është një nga dëshmitë e rigjallërimit të operacioneve të zbulimit rus që kur Evropa dëboi qindra të dyshuar si spiunë të Kremlinit, pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në vitin 2022.
“Mes evropianëve ishte krijuar një ndjenjë sigurie se nuk kishte më spiunë rusë, se aftësitë e tyre ishin kufizuar ndjeshëm. Por kjo nuk është e vërtetë. Ata janë më të fuqishëm se kurrë”, thotë për Zërin e Amerikës Marina Miron, eksperte në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Kings në Londër.
Media shtetërore ruse publikoi muajin e kaluar një telefonatë të përgjuar mes oficerëve të lartë të Forcave Ajrore Gjermane, që diskutonin për mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi “Taurus”. Kievi ka paralajmëruar se në Gjermani po vepron një rrjet i tërë spiunësh rusë.
Shërbimet franceze të zbulimit po hetojnë përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet evropiane të qershorit. Franca paralajmëroi muajin e kaluar se Evropa është nën “sulm informativ” nga Rusia.
“Ata vazhdojnë të investojnë miliarda në operacionet e zbulimit në Evropë, duke zhvilluar aftësi për të kryer ndërhyrje në zgjedhje; për të radikalizuar grupe të ndryshme sociale, etnike, fetare përfshirë pakicat; ata po investojnë miliarda për të mbështetur kandidatë të caktuar, të cilët ka gjasa edhe të vijnë në pushtet”, thotë Oleksandr Danylyuk, bashkëpunëtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
Analistët thonë se Moska është gjithnjë e më aktive nga distanca, duke përdorur persona jo-rusë për të kryer operacionet e saj, përfshirë elementë të krimit të organizuar dhe shtetas të huaj nga qarqet politike dhe të biznesit.
Në Britani, Gjermani, Norvegji, Poloni dhe vende të tjera po mbahen gjyqe për persona që dyshohet se spiunojnë për llogari të Rusisë.
“Nuk është më një luftë ideologjike. Nuk bëhet më fjalë për komunizmin kundër kapitalizmit, siç do të thoshin sovjetikët. Është një përpjekje e vendeve autoritare që përpiqen të përmbysin Perëndimin si garantues të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Dhe kjo për ta, është një luftë ekzistenciale.”
Ndërkohë, drejtori i CIA-s, William Burns, shkruante kohët e fundit se pakënaqësia për luftën në Ukrainë paraqet një mundësi të rrallë për agjencitë e zbulimit perëndimor, që të rekrutojnë spiunë rusë./VOA
What's Your Reaction?