Schmitt: Me osmanizëm e islamizëm kundër identitetit kombëtar shqiptar

1912-a është viti vendimtar sa i përket identitetit kombëtar shqiptar në Ballkan. Me kufij që i ndanë në disa hapësira të reja shtetërore folësit e së njëjtës gjuhë dhe kulturë, identiteti kombëtar u përvijua ndryshe-ndryshe. Ndër “shqiptarët perëndimorë”, sistemi arsimor dhe ai administrativ ia doli të krijonte një identitet kombëtar përtej regjionalizmave. Kurse, për “shqiptarët […]

Gusht 19, 2023 - 16:37
 0
Schmitt: Me osmanizëm e islamizëm kundër identitetit kombëtar shqiptar

1912-a është viti vendimtar sa i përket identitetit kombëtar shqiptar në Ballkan. Me kufij që i ndanë në disa hapësira të reja shtetërore folësit e së njëjtës gjuhë dhe kulturë, identiteti kombëtar u përvijua ndryshe-ndryshe. Ndër “shqiptarët perëndimorë”, sistemi arsimor dhe ai administrativ ia doli të krijonte një identitet kombëtar përtej regjionalizmave. Kurse, për “shqiptarët lindorë”, ata që mbetën nën pushtimin serb, identiteti u krijua si opozicion ndaj pushtetit dhe shtetit. Në këto vija është shpalosur ligjërata e akademikut dhe profesorit nga Vjena, Oliver Jens Schmitt me titull “Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të historisë shqiptare 1912-2023” paraditen e së premtes në kuadër të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Derisa shteti shqiptar ia doli të etablonte projektin e një nacionalizmi sekular, Jugosllavia, nën kontrollin serb, promovoi islamizmin dhe strukturat osmane. “Kjo bëhej me qëllim të parandalimit të lindjes së nacionalizmit sekular siç po ndodhte ndër shqiptarët perëndimorë”, ka thënë Schmitt në ligjëratën që është ndjekur me një numër të madh të interesuarish

Dy shtete kombëtare shqiptare në Ballkan është epilogu i një historie 111-vjeçare. Ajo që shkëndijoi si ide gjatë kryengritjeve të mëdha antiosmane në Kosovë e Maqedoni – krijimi i një shteti shqiptar në Ballkanin qendror – u pasua me shpalljen e mëvetësisë në Vlorë. Janë këto vetëm disa nga dikotomitë e një historie që është e njëjtë dhe e ndryshme në të njëjtën kohë. Me kufijtë e ravijëzuar përgjatë Drinit që më 1913, janë të përligjur së paku teknikisht termat “shqiptarë perëndimorë” dhe “shqiptarë lindorë”. Megjithëse prej 24 vjetësh, kufiri më tepër afron e bashkon sesa ndan, kjo përvojë e re solli edhe nevojën për ta rimenduar të kaluarën dhe gurët miliarë që shenjëzuan momentet kryesore të veçantive identitare.

Me pretendime të tilla ishte ligjërata e akademikut dhe profesorit nga Austria, Oliver Jens Schmitt e mbajtur paraditen e së premtes në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Në të katërtën ditë me radhë të edicionit të 41-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, interesimi i shtuar i publikut është dëshmuar me sallën e tejmbushur me seminaristë pjesëmarrës, profesorë e studiues.

“Schmit: Kosova u ka bërë shërbim të gjithë shqiptarëve”

Pas fjalës hapëse nga drejtuesja e sesionit të paradites Blertë Ismajli, akademiku nga Vjena të pranishmëve u është drejtuar në gjuhën shqipe me një fjalë rasti duke përnjohur meritat e Seminarit me një traditë mbi 40 vjeçare. Sipas albanologut Schmitt, kjo ngjarje e rëndësishme albanologjike u ka shërbyer për vite me radhë edhe studentëve nga Vjena për t’u familjarizuar më shumë me gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare.

“Ky seminar luan rol të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë kuptim, Kosova i ka bërë një shërbim të veçantë të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Schmitt duke përkujtuar se një ngjarje e tillë albanologjike mungon në Shqipëri.

Duke qenë se Seminari Albanologjik është më i vjetër madje sesa edhe vetë shtetësia kosovare, sipas profesorit universitar nga Vjena, ai duhet të vlerësohet nga të gjithë ata që kanë përgjegjësi politike në vend.

“Ky seminar ishte një lloj dritare për botën, sepse të gjithë ata që kanë jetuar në vitet ‘70 e ‘80 e dinë sesa e panjohur ka qenë asokohe Kosova”, ka thënë Schmitt.

“Kosova de facto shteti i dytë kombëtar shqiptar”

Në hyrje të ligjëratës së tij, të cilën e ka mbajtur në anglisht, Schmitt ka vlerësuar se sot ekzistojnë dy shtete shqiptare në Ballkan. Megjithëse zyrtarisht Republika e Shqipërisë e sheh veten si shtet kombëtar të shqiptarëve, po njësoj mund të këtillohet edhe vetë Kosova.

“E krijuar më 2008 dhe e detyruar që ta deklaronte veten si shtet shumetnik, Kosova është homogjene etnikisht, e banuar me shumicë shqiptare, dhe si e tillë mund të konsiderohet de facto shteti i dytë shqiptar në Ballkan”, ka thënë Schmitt në ligjëratën e tij “Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të historisë shqiptare 1912-2023”.

Këto realitete të reja, veçan në mesin e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, kanë përftuar zëra për krijimin e një shteti të përbashkët shqiptar, e që vazhdojnë të kenë ende jehonë në Serbi, Rusi si dhe te një pjesë e mediave perëndimore. Në anën tjetër, pavarësia e Kosovës ka shërbyer edhe si vëng për një debat shumëvjeçar brendashqiptar mbi përmasat e vërteta të përbashkësisë kombëtare. Sipas Schmittit, këto debate “zhvillohen emocionalisht” meqë ato strumbullohen mbi çështje qendrore të identitetit dhe sovranitetit shtetëror.

“1912 – viti vendimtar”

Por, anëtari i Akademisë së Shkencave në Vjenë ka thënë se ligjërata e tij është konceptuar përtej këtyre përplasjeve, duke e shpalosur synimin e tij për t’i ravijëzuar momentet ndarëse të shqiptarëve që nga koha kur ata nuk kanë jetuar më në të njëjtën hapësirë. Sipas tij, përvoja e të jetuarit në hapësira të ndryshme shtetërore, ekonomike e kulturore nuk është ekskluzivisht shqiptare. E tillë është edhe përvoja gjermane dhe ajo koreane.

Duke e tëholluar shpjegimin e tij, Schmitt ka veçuar një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetën si “vit vendimtar i ndarjes”.

“Në këtë vit grumbullohen tri zhvillime të ndryshme. Së pari, përpjekja e dështuar për krijimin e një shteti shqiptar brenda Perandorisë Osmane. Së dyti, sulmi i shteteve kombëtare ortodokse mbi Perandorinë Osmane, që ishte njëherazi edhe reagim ndaj mundësisë së një shtetformimi shqiptar në Ballkanin Qendror. Dhe së treti, shpallja e shtetit shqiptar në skajin jugor të hapësirës shqiptare, në Vlorë, e cila ishte larg nga qendrat, si Shkupi e Prizreni, ku gati sa nuk u krijua shteti shqiptar”, ka theksuar historiani nga Vjena.

Ai ka vlerësuar se shteti riosh shqiptar mbijetoi falë ngulmimit të Austrisë dhe Hungarisë, se përndryshe do të ishte copëtuar midis Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Kësisoj, kufijtë e rinj, ka vijuar ai, nuk i shëmbëllenin realitetet etnike, por balancat e fuqisë mes dy aleancave të mëdha evropiane dhe shteteve të tyre kliente.

“Hapësirat sociale e ekonomike u ndanë sipas kufijve të ri”, ka shtuar Schmitt duke evokuar shembujt e Prizrenit, Gjakovës dhe Dibrës të cilave iu shkëput prapatoka e tyre.

Për periudhën e dhënë historike, sipas tij, është e vështirë të vlerësohet se cila ishte ndjesia e përbashkësisë për njerëz që jetonin në Labëri e për të tjerë që jetonin në skajet verilindore të Gegnisë, si fjala vjen, ata në Podujevë.

“Kishte regjionalizëm të fortë”, ka shtuar Schmitt, teksa ka pranuar se megjithatë ka pasur vetëdije mbi përbashkësinë gjuhësore.

“Shqiptarë perëndimorë” dhe “shqiptarë lindorë”

Kufiri i vendosur më 1913 vazhdon edhe sot e kësaj dite, megjithëse më nuk përfaqëson një vijë ndarëse. Për historianin nga Vjena, ai duhet marrë vetëm si shkas për sajimin e fjalëresë “shqiptarë perëndimorë” dhe “shqiptarë lindorë”.

“Sot kufiri bashkon më shumë sesa ndan, por megjithatë janë evidente edhe disa ndryshime si pasojë e zhvillimeve të ndryshme që kanë për bazë këtë vijë demarkacioni”, ka theksuar ai.
Sipas Schmittit, realitetet e reja ndër shqiptarët perëndimorë, domethënë ata që u ra hisja të jetonin në shtetin shqiptar, përftuan rrethanën që t’i nënshtroheshin një sistemi arsimor e administrativ që synonte krijimin e identitetit kombëtar që i tejkalon besnikëritë krahinore.

“Kjo nuk do të thotë se përkatësia për një bashkësi kulturore e gjuhësore nuk ekzistonte para 1912-s. Përmes institucioneve u krijua një identitet kombëtar nga identiteti parashtetëror që ekzistonte deri asokohe”.

Paralelisht, në anën tjetër të kufirit, ndër shqiptarët lindorë që mbetën nën Serbinë identiteti kombëtar nuk u zhvillua nga pushteti, por si kundërshtim ndaj pushtetit. Sipas Schmittit, “ky është dallimi fundamental sa i përket marrëdhënies mes shtetit dhe kombit”.

“Islamizmi kundër nacionalizmit sekular shqiptar”

Kështu, momentet vendimtare të identitetit kombëtar shqiptar kanë si gurë miliarë periudhën midis dy luftërave botërore, periudhën komuniste si dhe atë të tranzicionit.

“Me gjithë institucionet e brishta, shteti shqiptar krijoi një ndjesi të re të identitetit kombëtar që ishte aq heterogjen në aspektin kulturor e fetar”, ka vijuar më tej Schmitt. Më së shumti, sipas tij, ky identitet përbashkësie u përthith nga shtresat e reja urbane në Shqipëri.

“Krejt ndryshe, Jugosllavia e mbizotëruar nga serbët u përpoq ta mbante arsimin në një nivel sa më të ulët, duke promovuar kultet fetare islamike me qëllim të parandalimit të lindjes së nacionalizmit sekular siç po ndodhte ndër shqiptarët perëndimorë”, ka vlerësuar Schmitt.

“Jugosllavia në mënyrë konsistente i trajtonte shqiptarët lindorë si myslimanë me qëllim që t’i dëbonte në Turqi”.

Përballë një sfondi ku Kosova e Maqedonia trajtoheshin si koloni të brendshme, kurse shqiptarët si popullatë e padëshiruar brenda shtetit, në Shqipëri po përvijoheshin të tjera realitete. Sado që pati rezistencë të herëpashershme ndaj shtetit, siç ishin kryengritjet në Mirditë, atje iu hap dera zhvillimeve të rëndësishme në aspektin fetar e kulturor.

“Shteti e mori kontrollin e bashkësive fetare dhe e promovoi për shumicën e popullsisë formimin e institucioneve fetare nën kontrollin e shtetit dhe modernizimin e Islamit nëpërmjet veprimeve si ndalimi i ferexhesë. Jugosllavia, në anën tjetër, e bëri të kundërtën duke promovuar të gjitha strukturat osmane dhe islamin më konservativ”, ka shtuar Schmitt.

I lindur më 1973 në Bazel të Zvicrës, Oliver Jens Schmiit, është profesor i historisë së Evropës juglindore në Universitetin e Vjenës. Në qendra të njohura të botës gjermanishtfolëse si Bazeli, Vjena, Berlini e Mynihu, ai ka studiuar për Bizantin, për filologjinë greke, greqishten moderne si dhe historinë e Evropës Lindore. Ka ligjëruar në universitetet e Mynihut dhe Bernit, kurse për një kohë ka qenë edhe profesor në Collège de France. Që prej 2017-s, ai është kryesues i Departamentit për Humanitete dhe Shkenca Shoqërore pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë, teksa në të njëjtën kohë kryeson edhe departamentin kërkimor për studimet ballkanike në Institutin për Histori Moderne dhe Bashkëkohore të autoritetit më të lartë shkencor në Austri. Interesimet e tij mbi historinë janë tejet të gjera, me fokus sidomos vitet e mesjetës dhe trevën adriatike të Ballkanit si dhe Rumaninë. Kontributet e Schmittit tangentojnë edhe botën mesjetare shqiptare, me tituj si monografitë “Das venezianische Albanie” (2001), “Kosovo: kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft” (2008), “Skanderbeg – der neue Alexander auf dem Balkan” (2009), “A Concise History of Albania” (2022), etj. Nga viti 2015, Schmitt është edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës./Koha.net

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.