SHBA 135 milionë dollarë ndihma për Moldavinë
Gjatë një vizite në Moldavi të mërkurën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi një ndihmë shtesë prej 135 milionë dollarësh për vendin e
Gjatë një vizite në Moldavi të mërkurën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi një ndihmë shtesë prej 135 milionë dollarësh për vendin e Evropës Lindore në luftën kundër dezinformimit rus dhe forcimin e kapaciteteve energjetike. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, që nga shkurti i vitit 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Moldavisë 774 milionë dollarë për të forcuar institucionet dhe për të zmbrapsur përpjekjet ruse për të minuar demokracinë në atë vend.
Ndërsa agresioni rus ndaj Ukrainës ka krijuar sfida serioze për kontinentin evropian, Moldavia me ndihmën e Shteteve të Bashkuara po vazhdon të qëndrojë e fortë, tha presidentja Maia Sandu, gjatë një konference shtypi të mërkurën me kryediplomatin amerikan, Antony Blinken.
“Këtu në Republikën e Moldavisë ja dolëm që të ruanim paqen dhe stabilitetin, pavarësisht nga përpjekjet e shumta për destabilizim”, tha Presidentja Sandu.
Sekretari Blinken vuri në dukje se që nga shkurti i vitit 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Moldavisë 774 milionë dollarë për të forcuar institucionet dhe për të zmbrapsur përpjekjet ruse për të minuar angazhimin e Moldavisë drejt demokracisë. Rreth 300 milionë dollarë janë caktuan për sigurinë energjetike.
“Sot po njoftoj se do të punojmë me Kongresin amerikan për të siguruar një shtesë prej 50 milionë dollarësh për të çuar më tej këto përpjekje, nga reformimi i sektorëve të energjisë dhe bujqësisë deri tek lufta e mëtejshme kundër dezinformimit”, tha kryediplomati amerikan.
Përpjekjet e Moldavisë për t’u shkëputur nga vartësia energjetike ruse, do të mbështeten financiarisht, shtoi zoti Blinken.
“85 milionë dollarë, pjesë e paketës së USAID-it prej 300 milionë dollarësh, do të përdoren për të mbështetur infrastrukturën energjetike. Për të përmirësuar gjëra të tilla si bateritë për ruajtjen e energjisë dhe linjat e transmetimit të tensionit të lartë, për të cilat tashmë kemi caktuar disa fonde”.
Ndërsa Ukraina vazhdon betejën kundër forcave pushtuese ruse në Kharkiv dhe rajone të tjera, Sekretari Blinken dhe Presidentja Sandu përsëritën mbështetjen e vendeve të tyre për Kievin dhe angazhimin e tyre që agresioni rus të mos vazhdojë pa u ndëshkuar.
What's Your Reaction?