SHBA dhe Kosova me marrëveshje për mbrojtjen e informatave të klasifikuara
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan të enjten marrëveshjen për mbrojtjen e informatave të klasifikuara, duke e cilësuar atë një të arritur të
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan të enjten marrëveshjen për mbrojtjen e informatave të klasifikuara, duke e cilësuar atë një të arritur të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha se me të, të dy shtetet marrin përsipër detyrime “për mbrojtën e informatave të klasifikuara të njëra tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informatave”.
Ambasadori Vovenier tha se në botën e lidhur të këtij shekulli aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejt dhe pa pengesa është jetike për vendimmarrjen, posaçërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Përmbyllja e kësaj marrëveshjeje nuk është e rëndësishme vetëm sepse shënon kulmin e më shumë se dy viteve të bashkërendimit dhe negociatave, por përfaqëson edhe zotimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se “marrëveshja çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj përmes shkëmbimit të informatave me Shtetet e Bashkuara”.
Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkushtimin ndaj sovranitetit të Kosovës, ndërsa shtoi se marrëveshja avancon synimin për zhvillim të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synimin për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat e sigurisë euroatlantike.
“Kjo marrëveshje është posaçërisht e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale pushtuese të (Vladimir) Putinit kundër Ukrainës”, tha ambasadori amerikan./VOA/
What's Your Reaction?