Shkup, opozita fiton zgjedhjet, VMRO merr 58 mandate, dërrmohet LSDM, koalicioni shqiptar “Fronti Evropian”, forcë e dytë
VMRO-DPMNE ka triumfuar në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut. Partia opozitare shënoi fitore të thellë me mbi 43 për qind të votave,
VMRO-DPMNE ka triumfuar në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut.
Partia opozitare shënoi fitore të thellë me mbi 43 për qind të votave, të cilat përkthehen në 58 mandate, nga 120 që ka në total parlamenti i shtetit fqinj.
Në daljen e parë pas publikimit të rezultateve, kryetari i kësaj partie Hristjan Mickoski falënderoi votuesit, ndërsa tha se nuk do të ketë vonesë me formimin e qeverisë së re.
“Në këto zgjedhje ka fituar Maqedonia, e cila u përket maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve, popullit krenar që tregoi vendosmëri dhe qetësi. Ka ardhur koha që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli i dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë së deritashme dhe shpëtoi vendin e tij”, tha Hristijan Mickoski
Kryetar i VMRO-DPMNE.
Forcë e dytë, për herë të parë në historinë e vendit, ka dalë koalicioni i shqiptarëve Fronti Evropian i kryesuar Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili mundi të fitojë 19 mandate.
Humbësja më e madhe në këto zgjedhje konsiderohet Lidhja Social Demokrate, e cila siguroi vetëm 18 deputetë apo 144 mijë vota. Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë.
“LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi”, tha Dimitar Kovaçevski.
Koalicioni opozitar shqiptar Vlen, i cili u rendit në vendin e katërt, nuk vonoi të deklarohej për një qeverisje me VMRO-DPNE.
“Besojmë se, duke i pasur parasysh numrat, do të kemi një shumicë të sigurt, andaj jemi të bindur se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt”, u shpreh Bilall Kasami, përfaqësues i VLEN.
Sidoqoftë, fitorja e VMRO-së është e thellë dhe nuk pritet që ajo t’i ofrojë partisë shqiptare një numër të përafërt të ministrive siç kishte BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.
Pas formimit të qeverisë së re, integrimi europian, marrëveshja me Bullgarinë dhe ndryshimet kushtetuese pritet të jenë sfidat më të mëdha të saj./Vizionplus.tv/
What's Your Reaction?