Shqipëria e pavarur, mes Vlorës dhe Shkupit

Atje ku detyra është e qartë, ngurrimi është disfatë V.Hygo Nga Bajram Peçi E mbartur në krye të këtij shkrimi, kjo thënje e mënçur e Viktor Hygoit, synon të sjellë në kujtesën e shqiptarve, se sa i vërtetë ka qenë ky përcaktim për historinë e kombit tonë. Kuvendi Kombëtar u mbajt më 28 nëntor në […]

Nëntor 28, 2023 - 18:21
 0
Shqipëria e pavarur, mes Vlorës dhe Shkupit

Atje ku detyra është e qartë, ngurrimi është disfatë
V.Hygo

Nga Bajram Peçi

E mbartur në krye të këtij shkrimi, kjo thënje e mënçur e Viktor Hygoit, synon të sjellë në kujtesën e shqiptarve, se sa i vërtetë ka qenë ky përcaktim për historinë e kombit tonë. Kuvendi Kombëtar u mbajt më 28 nëntor në Vlorë, por a mund të ishte mbajtur në Shkup në fund gushtin ose fillim shtatorin e 1912-ës? Ndërsa diplomatët dhe kancelaritë europiane që ndiqnin me interes Kryengritjen e Përgjithëshme të shqiptarve, prisnin që në gusht të 1912-tës, ata të shpallnin Pavarësinë, befas panë se si shqiptarët e shndërruan fitoren në fushën e luftës në dështim.
Në tekstet mësimore të historisë shqiptare, si në Republikën e Shqipërisë ashtu dhe në Republikën e Kosovës, ngjarja rrethohet nga një aureole e ndritshme, por arritjes fundore të saj kryesisht i largohen, pa nxjerrë gjithnjë të vërtetën, disfatën e saj. Ishte ngurrimi ai që fitoren e shndërroi në disfatë. Por shtjellimi i të vërtetës nuk ka qenë i lehtë. Për të vënë këtë cilësim, duhen të rivlerësohen veprime e figura historike, tashmë të mitizuara. Për këtë zhvillim befasues në rrjedhën e ngjarjeve, si pasojë e sjelljes të krerëve të kryengritjes, në shumë artikuj është shkruar e janë përgojuar pangurrim, pothuajse tërë emrat më të shquar të historisë së Shqipërisë. Së pari, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, e më tej Isa Boletini e Bajram Curri, e të tjerë nga paria e Shqipërisë së Jugut. Është e nevojshme që të sillen në vëmendje të lexuesit rrethanat e kohës të zhvillimit të ngjarjeve.

Fillimi i Kryengritjes

Ka marrë emrin “Komploti i Taksimit”. Kështu e ka quajtur Hasan Prishtina në Kujtimet e tij. Taksim quhet një shesh shumë i njohur në zemër të Stambollit. Këtu, më 12 janar 1912, deputetët shqiptarë të Parlamentit të Turqve të Rinj, mbajtën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes. Pikërisht këtu zë fill Kryengritja e Përgjithëshme kundër sundimit osman, që në historinë e Shqipërisë përbën një nga ngjarjet më kulmore e përbën një faqe të ndritshme të saj.
Kryengritjet Shqiptare kundër Turqisë nuk kishin rreshtur që nga shek. XV, dhe deri në janarin e vitit 1912, kur deputetët që përfaqësonin katër vilajetet Shqiptare, në një banesë të sheshit Taksim, morën përsiper fillimin e kryengritjes. Pas shpërndarjes të Parlamentit më 18 janar 1912, të ndodhur nën trysninë e kërkesave shqiptare, Turqit e Rinj vendosën diktaturën. Kjo është koha, kur deputetët pjesëmarrës në takimin e fshehtë, u shpërndarë në tërë trojet Shqiptare për organizimin e Kryengritjes së Përgjithëshme.
Hasan Prishtina, bashkë me Isa Boletinin dhe Bajram Currin, kishte marrë përsipër organizimin e kryengritjes në krahinën e Kosovës, ndërsa Ismail Qemali, Myfit Libohova, Azis Vrioni dhe Syrja bej Vlora, do organizonin kryengritjen në Shqipërinë e Jugut. Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare, që pasonte nga përmasat atë të vitit 1911, përbën ngjarjen vendimtare që përcaktoi të ardhmen e lëvizjes e të veprimeve. Fatet e saj ajo i vendosi me luftën e armatosur në Kosovë. Historianët e Kosovës, në kushtet e shtypjes serbe, përpos dëshirës e përpjekjeve, nuk besoj se mundën të shpjegonin në tërësinë e përmasave, madhështinë që pati kjo kryengritje dhe therorit që u bënë, ndërsa historianët e Shqipërisë, veçse e kanë gërvishtur paksa përmasën e kësaj kryengritjeje me ndikim të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Shqipërisë dhe ende vazhdojnë të lëkunden në vlerësimin e ngjarjeve, paqartësinë e paqëndrueshmërinë ndaj krerve e figurave.

Hasan Prishtina, udhëheqësi i Kryengritjes së Përgjithëshme

Një personalitetet i kohës dhe figurë nga më të shquarat e Lëvizjes sonë Kombëtare. Siç dihet, ndonëse ndihmesës së jashtëzakonshme në Pavarsinë e Shqipërisë, nuk u ndodh i pranishëm në aktin solemn, më 28 nëntor 1912. Nga data 4 nëntor 1912, ka qenë i burgosur nga serbët. U arrestua në Shkup, me një grup të madh udhëheqësish shqiptarë të kryengritjes dhe u çua në burgun Kalemegdan në Beograd, në të cilin e kanë mbajtur deri më 1 prill 1913 dhe e kanë liruar falë presionit ndërkombëtar. Ky ideolog i shquar, pas “Komplotit të Taksimit”, në periudhën nga muaji maj e deri në gusht të vitit 1912, udhëhiqte Kryengritjen e Përgjithëshme në tokat Shqiptare të Vilajetit të Kosovës e Manastirit, duke përgatitur ngritjen e Flamurit, shpalljen e lirisë dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij u përqëndrua në organizimin e luftës së armatosur.

Luftëtarët Shqiptarë në front

Dokumentet e kohës flasin fillimisht për mbi 25 mijë kryengritës, të cilët çliruan Pejën, Gjakovën, Prishtinën, Ferizajn, me veprime ushtarake të drejtuara nga Hasan Prishtina. Formacionet e çetave shqiptare në Kosovë kaluan numrin 60 mijë. Ata i thyen turqit në gjithë shtrirjen e frontit. Porta, e frikësuar pas përparimit të trupave kryengritse drejt Shkupit, detyroi dorëheqjen e Said Pashës, kryeministër i kabinetit xhonturk. Kabinetet e tjera të krijuara pas kësaj dorëheqje, u treguan edhe më armiqësore. Kabineti, me Qemal Pashën kryetar të Këshillit të Ministrave, dërgoi një komision të udhëhequr nga Ibrahim Pasha. Komisioni qeveritar, më 1 korrik filloi bisedimet në Prishtinë me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Hasan Prishtina, i cili si fitimtar në fushë të betejës, parashtroi kërkesat, të formuluara me përmbajtje në përputhje me tërësinë e interesave kombëtare, por brenda Autonomisë. Ato u bënë të njohura si Kërkesat Shqiptare, mes të cilave, spikasin: Të njihen zyrtarisht kufijtë e Shqipnisë; Autoritetet civile dhe ushtarake të kenë komsin Shqyptare; Ushtrija shqiptare të shërbej në Shqypni e të jetë komanda prej oficerve shqyptarë; Veprimet zyrtare në Shqipni të bëhen në gjuhë shqipe.
Bisedimet që priteshin me ankth e shpresë në Shqipërinë e Jugut e të Veriut, nuk rezultuan të sukseshme. Reaksioni turk, ashtu si më 1878-ën, edhe këtë radhë ishte kundërshtar i autonomisë Shqiptare. Është ky qëndrim armiqësor i anadollakëve, që ndonëse duke dhënë shpirt, vazhdonte të ushqente shpresën se do t’i mbante shqiptarët nën robëri. Guvernatori dhe komandanti turk i Janinës, kur prijësit Shqiptarë të Çamërisë i parashtruan në këto ditë të fillim korrikut, kërkesat e Shqiptarve për autonomi, u shpreh, “…kërkesat e Shqiptarve nuk mund të plotësohen. Para se të bëhet kjo, nuk do mbetet gur mbi gur”.

Ndonëse Kryengritja e Përgjithëshme, e drejtuar dhe e organizuar nën një udhëheqje të vetme, me përfaqësues personalitetet më të shquara të të gjitha trojeve, në Veri, Jug, Lindjen shqiptare, ajo, sipas historianëve tanë, nuk diti të vjelë frytet e fitores, për shkak të mungesës së bashkërendimit të qëndrimeve të tyre. Në këto rrethana, në vazhdimin e bisedimeve, nga 2 deri 18 gusht 1912, pasi në Ferizaj mbërriti autorizimi i parisë e krerve të Shqipërisë së Jugut, me të cilin bënin Hasan Prishtinën përfaqësues në marrjen e vendimeve, gjatë bisedimeve me qeverinë Turke ishin vetëm krerët kosovarë, nën drejtimin e Hasan Prishtinës.
Më 9 gusht, Hasan Prishtina përsëriti kërkesat, të cilat ndonëse të reduktuara ndjeshëm, u refuzuan. Forcat Kryengritëse, më 12 gusht 1912, sulmuan Shkupin dhe e pushtuan atë. Me marrjen e Shkupit e pas ngritjes së flamurit Shqiptar, zëra të diplomatëve të huaj thanë e shkruan se shqiptarët mund të shpallnin mëvetësinë e tyre në Shkup. Më 19 gusht, qeveria Turke kapitulloi dhe pranoi kërkesat. Ky është momenti që Hasan Prishtina telegrafon në gjithë qytetet e Shqipërisë, “… të ndërpriten veprimet luftarake kundër Turqisë”. Kryengritësit u shpërndanë, pa shpallur Pavarësinë e tërësisë së tokave shqiptare. Ky ishte dhe misioni, kjo duhej të ishte edhe detyra!
Çfarë ndodhi? Ngurrimi në Shkup i çoi shqiptarët në Shqipërinë e Vlorës, në Shqipërinë e vogël që kemi sot. Shqipërinë etnike, paskësaj, s’qemë më të zotët ta bëjmë.

Pse nuk u shpall Pavarësia në Shkup?

Shkupi i 1912-ës është qyteti më i madh Shqiptar i kohës. Mes 50 mijë banorëve që e popullonin, mëse 40 mijë ishin shqiptarë, 4 mijë bullgarë e mbetja, kombësi të tjera. Si qendër e madhe qytetëse, në të ishin vendosur një mori konsullatash dhe dilnin gazeta e qarkullonte shtyp periodik shqiptar. Shkupi i kish tërë cilësitë e vlerat për t’u bërë kryqendra shqiptare për shpalljen e Pavarësisë. Mid’hat Frashëri, në kujtimet e tij të udhëtimit, e përshkruan Shkupin e 1912-ës, “…një vend thjesht Shqipëri, ku njerëzia është, jo vetëm në shumicë shqipëtare, por kjo racë formon tërësinë…”
Po, pse nuk u shpall pavarësia në Shkup?
Historiografia jonë ka qëmtuar mbi ngjarjet, mbi kujtimet e shkruara e mbi shtypin e kohës. Kritikat e para nuk vonuan të vijnë, pa kaluar ende dy javë nga shuarja e kryengritjes, dhe vjen nëpërmjet pendës së Fan Nolit, i cili, më 6 të vjeshtës I, 1912, në gazetën “Dielli”, vë nën akuzë Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën, për të cilin shkruan se, “…kur Riza Beu dhe shokët e tij kërkojin autonomi, ky (H. Prishtina) kërkonte reforma për mbretërinë Othomane. Isa Boletini me Riza benë të gënjyer me një paturpsi dhe dinakëri aqë të poshtër, u shtrënguan të kthehen në malet e tyre dhe ta lenë Hasanin të mbledhë pemët e mundimeve të tyre…Serbët dhe Turqit duhet ta ngrehin Hasanin në qiell që ndaloj njohjen e një Shqipërie autonome me katër vilajetet, prej guvernës turke”. Gjykimi në frymë pesimiste që jep Noli, mbase nuk është i drejtë, për shkak se është tepër larg ngjarjeve, për më tepër se është po ai, që tek “Dielli” që më 1909, shkruan thirrjen se, “…detyra e shqiptarëve është të jenë besnikë te Turqia, se ndryshe do bien në thonjtë e atyreve të cilëve u tregohen si mbrojtës tani”. Largimi në kohë nuk e zbuti qëndrimin e Nolit. Në “federation Balkanoque”, Vienë, në numrin e 1 dhjetorit 1928, shkruan se “…sikur të mos ishin tradhëtuar prej krerëve, Shqiptarët (në Shkup) do ta kishin proklamuar që athere independencen e tyre”.

Po kush ishin tradhëtarët?
Vetëm pas 9 vjetësh, kur nga Shtypshkronja françeskane u botuan në vitin 1921, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912”, shkruar nga Hasan Prishtina, akuzave të Nolit dhe një varg akuzash të tjera, iu dha një gjegje, me përshkrimin e të vërtetës. I trembur në ato ditë nga mundësia e një lufte civile mes çetave shqiptare, ja si i shpjegon arsyet Hasan Prishtina, udhëheqësi i kryengritjes:
-“Koha e shenueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit qi ta kryente detyrën. M’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata…me apathinë qi diftoi Ismail Qemal begu në të kryemit e detyrës së vet, na pat krijue nji gjendje gati të dishprueshme”.
-Që në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se “ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve. …kryengritja u sabotua sepse Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini dhe shumë fanatikë fetarë hallin e kishin me mësye e me e lirue Sulltan Hamidin prej burgimit në Selanik”.
-“Në Shkup mbrritëm me 20 përqind të fuqisë që kishim në Prishtinë. Rizai e Isa mendojshin me pështu Sulltan Hamitin, qi ishte i burgosur në Selanik… Jo që nuk mund t’u flitet me ta për punë t’Independencës, por nuk mund t’u përmendje gja as për autonomi, pse këto ishin fjalë mkati për Riza begun e Isa Boletinin…Ibrahim pasha e dinte që Hasan Prishtina ishte prishur keqas (me disa krerë). Ishte nevoja me e shpërnda nji orë e më parë fuqinë që kishim.
-“Përfaqesues të ardhun të Shqipnisë së mesme, Abdi Toptani, Mustafa Kruja dhe Marka Gjoni, kur panë shkallën e fanatizmit të Riza begut e Isa Boletinit, u dëshpëruen. U bindën se nuk mund ta shpallnim Indipendencën”
Më 7 Shtator 1912, Luigj Gurakuqi, i shkruante parisë së Elbasanit, mes të tjerash, “…faji është i të gjithë neve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës, që deshën të tregohen më turq se turqit”.
Në shtypin e Kosovës ndesh jo rrallë edhe në qëndrime, ku thuhet se Kryengritja e Përgjithëshme u tradhëtua nga krerët e Shqipërisë së Jugut. Për hir të së vërtetës, duhet pohuar se kur, më 12 Gusht kryengritsit shqiptarë hynin në Shkup, çetat e kryengritësve të Shqipërise së Jugut, çlironin qytetin e Konicës, Përmetit, Ersekës, Leskovikut, Fierit dhe mbërrinin në Peshkopinë e lirë. Në 12 gusht, në Prevezë e Gjirokastër dhe më 13 Gusht, në Filat, mbaheshin mitingje mbarëpopullore. Qëndrime të tilla janë shprehi, e orvajtjeve në vazhdimësi, për të bërë histori të krahinave shqiptare e jo histori të kombit.
Shqipëria, edhe pse tani subjektit fetar nuk i kushtohet më vëmendje në tekstet e historisë, krahas atdhetarve të paepur, gëlonte nga elementë turkomanë. Pashallarë, bejlerë e agallarë, zotërues të çifligjeve, ndonëse Shqiptarë në kombësi, por që sundimin feudal të Turqisë e kishin në zemër, shihnin më me interes atë, se sa një Shqipëri të pavarur. Ata, krerët fantikë myslymanë, i sollën dëm të madh lëvizjes për Pavarësi.

Lufta e Parë Ballkanike, nisi për të mos lejuar Pavarësinë e Shqipërisë
Historiani Amerikan i Universitetit të Çikagos, Ferdinand Schevill, në veprën, “Ballkani-Historia dhe Qytetërimi”, prag-luftën e përshkruan: “Pra ishte çasti për të sulmuar, pasi shteti osman ishte i dobët dhe Shqipëria e katër vilajeteve ende nuk dukej në hartë”
Ngjarjet u rrokullisën shpejt. Të alarmuar nga mundësia e fitores shqiptare, e cila po shkonte drejt autonomisë së katër vilajeteve, të Shkodrës, Janinës, Manastirit e Kosovës, monarkitë ballkanike filluan të organizoheshin. Rusia në këto rrethana, i nxiti shtetet sllave në Ballkan të bashkoheshin kundër Perandorisë Otomane. Traktatit të Marsit të vitit 1912 mes Bullgarisë dhe Serbisë ju bashkangjitën në Shtator Mali i Zi dhe Greqia. Në 8 Tetor Lufta Ballkanike, me synim coptimin e tokave shqiptare, filloi. Turqia u thye dhe në fillim të nëntorit u dorzua në mënyrë të turpshme, duke lënë pas jehonën e tmerreve të luftës që kish ngërthyer pjesën më të madhe të territoreve shqiptare, të pushtuara e të shkatërruara nga serbët, malazezët e grekët. Kjo ishte gjendja e rëndë, kur shqiptarët, pasi dështuan në Shkup, bënë së fundi hapin e guximshëm në Vlorë, për të mos lejuar ndarjen e tokave të tyre si plaçkë lufte, qëllime që ishin shfaqur sheshazi nga mbretëritë e Ballkanit. Autonomia që na e dha Turqia në 19 Gusht 1912, nuk e pa kush, as u prek dhe askush nuk pati më kohë të kërkonte zbatimin e “14 pikave”!

Lufta për të fituar lirinë vazhdon
Para 100 vjetësh, konsulli i Austro-Hungarisë në Shkup, thoshte se “…ka shqiptarë si në kohën e Skënderbeut, por nuk ka Skënderbej që t’i prij e t’i udhëheq”. Ndonëse kemi patur mbi 100 vjet kohë për t’i shoshitur gjërat, ende, me vorbullat që sjell herë pas here koha, me kujtimet kontradiktore për ngjarjet e vitit 1912, të sjella nga Sejfi Vllamasi, Dervish Hima, Eqerem Bej Vlora, Selenica, Noli e Gurakuqi, etj., paqartësitë vazhdojnë. Dy gjëra dihen mirë: së pari, nuk ishte vetëm fshatari i Sharrës, Haxhi Qamili, që kërkonte “Babën”, por dhe një pjesë e parisë së kohës, deri ditën e Pavarësisë, madje edhe më pas, e shikonin Shqipërinë nën suzerenitetin e Sulltanit. Së dyti, mungesa e mirëkuptimit, mos kordinimi i veprimeve dhe shfaqja e ambicjeve klanore, elementë që nuk lejuan shpalljen e Pavarësisë Shqiptare në Shkup, vazhdojnë të jenë ende tipare bashkëudhëtuese të kombit, si në Veri, ashtu dhe në Lindje e në Jug.
Atje ku detyra është e qartë, ngurrimi vazhdon të shfaqet si disfatë edhe tani. Partitë shqiptare në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë nuk kanë platforma të përbashkëta kombëtare, për situatat që kalon kombi. Gjithësesi, ata që morën pjesë në Kryengritjen e Përgjithëshme të 1912-tës, janë të gjithë heronj të këtij populli, me tërsinë e tyre, të mirat e mangësitë që shfaqën në rrethanat e kohës. Ata na kanë mbetur në kujtesë sepse populli i ka dashur dhe ka respekuar veprën e kujtimin e tyre.

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.