Si po glorifikohen vrasësit e Afrim Bunjakut nga regjimi i Vuçiçit

Në sytë e shqiptarëve të Kosovës mes të cilëve jetojnë ende të gjalla kujtimet e luftës, komandot serbë të maskuar, veshur me uniformat kamuflazh që u panë në manastirin e Banjskës janë simbol i barbarisë gjakatare të çetnikëve, të gatshëm për masakra mes civilëve dhe që nuk ndalen para të moshuarve, grave e fëmijëve. Ndaj […]

Shtator 26, 2023 - 21:05
 0
Si po glorifikohen vrasësit e Afrim Bunjakut nga regjimi i Vuçiçit

Në sytë e shqiptarëve të Kosovës mes të cilëve jetojnë ende të gjalla kujtimet e luftës, komandot serbë të maskuar, veshur me uniformat kamuflazh që u panë në manastirin e Banjskës janë simbol i barbarisë gjakatare të çetnikëve, të gatshëm për masakra mes civilëve dhe që nuk ndalen para të moshuarve, grave e fëmijëve. Ndaj ekzekutimi i 4 prej tyre nga policia e Kosovës u prit si ndëshkim i merituar për vrasjen në detyrë të policit Afrim Bunjaku.

Por më tej kufirit, për serbët, fabula është krejt tjetër. Që nga dita e parë, e deri më sot, Beogradi ka thurur një narrativë tjetër, nga e cila duket se një qytetar i Serbisë vështirë se mund të shpëtojë.

Ata që shqiptarët i shohin me urrejtje si vrasës të pamëshirshëm, regjimi i Beogradit po ia servir popullit serb si martirë.

Sigurisht që në majë të kësaj fabrike manipulimi qëndron presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç, dikur ministër i propagandës. Që në ditën e parë të ngjarjes kur doli në një konferencë, ai i krahasoi të vrarët serbë në Zveçan me heroin e shqiptarëve, Adem Jasharin.

“Kur Serbia shkoi në Drenicë, që të konfrontohej me ata që donin të shkëputeshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata thanë se ishin luftëtarë për liri me në krye Adem Jasharin dhe jo terroristë. Vetëm Serbia si duket qenka terroriste!” tha Vuçiç duke paralajmëruar glorifikimin e viktimave në Zveçan.

Propaganda e Vuçiçit, që ka punuar prej së dielës për të veshur me kostumin e martirëve të rënët në Zveçan ka në themel të saj idenë se serbët në veri të Kosovës jetojnë në kushte presioni dhe terrori nga qeveria e Albin Kurtit. Meqenëse ata nuk e duronin dot më shtypjen e shqiptarëve, pretendon regjimi i Vuçiçit, atëherë serbët lokalë ngritën krye me armë në duar.

Pikërisht në bazë të të kësaj logjike, shteti serb po i trajton me nderimet e rastit të vrarët në Kosovë.

Qeveria e Serbisë shpalli të mërkurën e 27 Shtatorit ditë zie. Flamujt serbë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysëmshtizë. Serbët e veriut të përfaqësuar nga Lista Serbe vendosën të shpallin ditë zie datat 26, 27 dhe 28 Shtator. Vendimi është një tjetër akt, që provon se sulmi u organizua në Beograd.

Por mesazhet e Vuçiçit nuk janë të izoluara. Titujt e mediave serbe janë në sintoni me mesazhet e shtetit. Propaganda mediatike i jep të njëjtën formë raportimeve mbi “terrorin” e Albin Kurtit, shkeljen e të drejtave të serbëve, kryengritjen për liri në Zveçan, etj.

“Heronjtë u vranë! Kurti është një monstër!” është titulli i një shkrimi në Kurir online, që sjell bisedën me një analist serb në studion e mëngjesit. Dejan Miletiç flet për sakrficat e heronjve të vrarë në Zveçan, pa llogaritur se ishin ata që qëlluan të parët ndaj një polici në detyrë.

“Sakrificat e heronjve tanë janë shumë të mëdha, thotë ai. Për mua ata janë heronjtë tanë dhe janë të gatshëm të japin jetët e tyre për lirinë e popullit tonë, bashkë me familjet dhe fëmijët e tyre. Kjo është shumë. Asgjë nuk do të jetë njësoj” thotë analisti, ndërsa në fund të bisedës zëri i dridhet nga ngashërimat.

Kuptohet se mes angazhimit për të bombarduar mendjet e njerëzve me një propagande të tillë është e pamundur të gjesh diku portretin e policit të vrarë shqiptar Afrim Bunjaku apo dhimbjen e familjarëve të tij. Nuk ka asgjë në mediat serbe nga deklaratat e qeverisë së Kosovës, provat se sulmi ishte i organizuar nga shteti serb apo asnjë detaj apo raportim që bie ndesh me glorifikimin e “heronjve” që u vranë në Zveçan.

Në të gjitha mediat serbe është shpërndarë një mesazh i të vesë së Stefan Nedeljkoviç. Gruaja që ka humbur burrin shkruan: “Unë ende po pres që dikush të më zgjojë nga ky makth… Do të të pres deri në mëngjes. Nuk do bëhem patetike, e di se nuk të pëlqen. Prita deri në momentin e fundit që do të dilje nga ai pyll si fitimtar, sepse ti je superheroi ynë përgjithmonë…”

Mesazhi vazhdon me Stefan Nedeljkoviçin që ishte “babai më të mirë në botë” që do të shohë nga lart tre vajzat që ka lënë pas. Mediat serbe po ashtu kanë shpërndarë disa foto të familjes që jeton në Zveçan dhe e shoqëron me komentin se ata thjesht dëshironin të jetonin në liri.

Stefan Nedeljoviç nuk ishte i vetmi që humbi jetën në sulmin e armatosur në veri të Kosovës. Bashkë me të u vra edhe Igor Milenkoviç, 50 vjeç, babai i dy fëmijëve që punonte si shofer i ambulancës në spitalin e Mitrovicës.

Bojan Mijaloviç, i treti që u vra të dielën sapo ishte bërë baba disa muaj më parë shkruajnë mediat serbe.

I katërti, trupi i të cilit u zbulua në pyll, nuk është identifikuar ende.

Disa nga serbët e arrestuar u paraqitën në gjykatën e Prishtinës. Fotot e tyre që shfaqen të shoqëruar nga policia pasqyrohen po ashtu me titujt për terrorin e regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve të Kosovës.

I vetmi zë ndryshe duket të jetë një deputet i opozitës serbe, Miroslav Aleksiç që ka thënë se të vrarët janë përgjegjësi e regjimit të Vuçiçit dhe se deputetët e Listës Serbe e kanë shfrytëzuar situatën në veri të Kosovës për t’u pasuruar.

Por mesazhi i deputetit të opozitës pasqyrohei i cunguar, sa për të raportuar përgjigjen e Drejtorit për Zyrën e Kosovës, Petar Petkoviç. Flakë për flakë përfaqësuesi i qeverisë i ia mbyll gojën duke i thënë “kush e do Serbinë, mban zi për viktimat e terrorit të Kurtit” dhe se me qëndrimin e tij, opozitari Aleksiç po “amniston kriminelët dhe ekstremistët e Prishtinës”.

Petkoviç vazhdon duke e intimiduar deputetin e opozitës Miroslav Aleksiç me pyetjen “Kush të ka paguar?”, që në këto raste i jep fund debatit.

Propaganda që serviret nga mediat e Beogradit është ajo e një nacionalizmi të sëmurë, por ky nuk do të ishte e plotë pa një skenografi nga tifozët e ekipit të Yllit të Kuq. (Cervena zvezda). Pjesë e tyre ka qenë edhe Stefan Nedejlkoviç, që nuk jeton më.

Të famshëm tashmë për mesazhet shoviniste, tifozët i kanë dedikuar një mesazh në rrjetet sociale ku paralajmërojnë të mblidhen për ta kujtuar në një kishë: “Në kohën kur do luhej derbi me Partizanin, nesër (e mërkurë) në orën 19:00 në kishën e Shën Savës në Vraçar do të mbahet përkujtimore për prehjen e shpirtit të Stefanit dhe heronjve të tjerë të rënë në Kosovë për lirinë e popullit dhe të vendit tonë! Për t’u treguar mirënjohje atyre që vdiqën për të gjithë ne!”

Po të shohësh sasinë e madhe të armatimit që u gjet në Zveçan nuk është çudi që serbët vërtet kishin menduar se në veri të Kosovës po dërgonin heronj. Rrealiteti tregoi se ata nuk shkuan përtej vrasjes në pabesi të policit Afrim Bunjaku, gjë që e paguan me jetën e tyre.

Megjithatë në raste të tilla, edhe të vdekurit bëjnë punë. Me anë të propagandës, pushteti i Vuçiçit synon ta mbledhë popullin serb rreth vetes dhe të shmangë çdo opozitë apo mendim ndryshe që vë në pikëpyetje vetë regjimin./Lapsi.al

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.