Sikur të mos firmosej Rambujeja

Nga Preç Zogaj  Rambujeja, qyteti i vogël në jugperëndim të Parisit është vendi që i ka dhënë emrin Konferencës së famshme të organizuar nga NATO në shkurt të vitit 1999 për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës me Serbinë përmes një marrëveshjeje të pranuar nga të dyja palët. Dihet se në epilogun e saj Konferenca […]

Tetor 21, 2023 - 22:40
 0
Sikur të mos firmosej Rambujeja

Nga Preç Zogaj 

Rambujeja, qyteti i vogël në jugperëndim të Parisit është vendi që i ka dhënë emrin Konferencës së famshme të organizuar nga NATO në shkurt të vitit 1999 për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës me Serbinë përmes një marrëveshjeje të pranuar nga të dyja palët.

Dihet se në epilogun e saj Konferenca e Rambujesë u mblodh në pikën drithëruese “të firmosesh a të mos firmosësh”. Serbët kishin shkuar në konferencë duke llogaritur dështimin e saj. Ata kishin qenë dhe ishin të vendosur të mos firmosnin vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Që do të shënonte humbjen de fakto të kontrollit të saj prej tyre. Pasuar kjo klauzolë me garancitë e një referendumi për statusin e Kosovës pas tre vjetësh, Presidentit serb të asaj kohe, Sllobodan Milosheviçit, po i kërkohej në fakt të dorëzonte Kosovën me dorën e tij.

Në dritën e ngjarjeve të njohura që prodhoi refuzimi serb, sekush mund të thotë sot se po të kishte firmosur, Millosheviçi do t’i kishte kursyer Kosovës bilancin e mizorive barbare dhe vetës së tij fatin që pati në burgun e Hagës. Por ngjarjet nuk shtien fall. Në fund të herës gjithkush korr çfarë ka mbjellë dhe merr atë që meriton.

Ndërsa dihej kush ishte Millosheviçi dhe nuk priteshin surpriza pozitive prej tij, e papritura e Konferencës së Rambujesë në epilogun  e saj u bënë mëdyshjet dhe ngurrimi për të firmosur i asaj pjesë te delegacionit shqiptar që përfaqësonte UÇK-në.

Kjo histori është treguar me detaje nga protagonistë të Konferencës, nga gazetarë dhe vëzhgues shqiptarë e të huaj që kanë ndjekur nga afër punimet e saj.

Ajo çfarë vlen të risillet në vëmendje sot nga ajo ngjarje e madhe, ndërkohë që SHBA dhe BE po investohen për një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë si dy shtete sovrane, është se refuzimi i firmosjes së projektit nga delegacioni i shqiptar në Rambuje do t’i kishte bërë shqiptarët bashkautorë me palën serbe në dështimin e Konferencës. Çfarë do kishte qenë një arritje e madhe për Serbinë dhe djegie e një shansi historik që nuk vjen shpesh për Kosovën.

Më shumë se kaq, dashje pa dashje, duke mos firmosur, delegacioni i palës shqiptare do t’i kishte bërë shërbimin më të madh Serbisë dhe Millosheviçit në kushtet kur SHBA e kishin çaktivizuar refuzimin e njëanshëm serb si një minë që mund të hidhte në erë konferencën. Mosfirmosja nga Beogradi nuk do ta pengonte SHBA dhe NATO-s të vijonin me planin e tyre për të ndaluar masakrat serbe në Kosovë, pastrimin etnik të saj e me radhë. Refuzimi i Serbisë do të pasohej as me shumë e as me pak me bombardimin e saj nga NATO, me shporrjen e njësive ushtarake, policore dhe paramilitare serbe nga toka e Kosovës, me çlirimin e Kosovës. Ashtu siç ndodhi realisht në vijim.

Në murin e përlindjes së Kosovës së Lirë mund të shohim të gdhendura sot e kësaj dite me sytë e kujtesës fjalët e sekretares së Shtetit amerikan, zonjës Madalene Ollbrajt, për mediat ndërkombëtare në Rambuje: Nëse serbët abstenojnë, NATO do të sulmojë. Nëse pala shqiptare refuzon të nënshkruajë, kurse ajo serbe nënshkruan, atëherë Perëndimi, përfshirë edhe Washingtonin do t’i “braktisë” shqiptarët.

Në kushtet kur serbet kishin deklaruar tashmë refuzimin e tyre të prerë, ndërhyrja e NATO-s do të mund të pengohej vetëm nëse nuk do të firmoste pala shqiptare dhe konferenca të mbyllej pa rezultat. Kjo ishte e vetmja rrugë shpëtimi për Millosheviçin në kafazin ku e kishin venë zhvillimet në Rambuje. Një rrugë shpëtimi, që e angazhonte Beogradin në nxitjen me lloj-lloj metodash e mjetesh të kundërshtimit të marrëveshjes se Rambujesë nga vetë shqiptarët, duke e atakuar atë si tradhti ndaj Kosovës, si thikë pas shpine ndaj saj, si shkelje e vuajtjeve, varreve, gjakut të derdhur e lloj-lloj pretendimesh të tjera që retorika nacionaliste i gjen me lehtësi në realitetin e okupimit  dhe në inventarin e krimeve të fuqisë okupatore. Në të vërtetë, sa herë i është dashur të shmangë zhvillime që avancojnë zgjidhje pozitive për Kosovën apo të provokojë destabilizim në Shqipëri, Beogradi është mbështetur fort në ekstremizmin kinse nacionalist dhe antiserb shqiptar.

Në një rrethim kasandrash lloj-lloj, ku kishte amatorë, arrivistë, ditëshkurtër, xhelozë, egocentristë , patriotë arkaikë, trushplarë, dinakë, misionarë e të shitur, delegacioni i shqiptarëve të Kosovës në Rambuje, i ndihmuar me durim nga diplomatët supervizorë amerikanë, kompletoi më në fund firmosjen e marrëveshjes. Pak javë më vonë, avionet e NATO-s nisen fushatën e bombardimit të Serbisë.

Pyetja çfarë do të kishte ndodhur nëse delegacioni shqiptar nuk do të kishte firmosur ka shumë përgjigje. E para fare: nuk do të kishte patur intervenim nga NATO. Si mund të sulmonte NATO kur asnjëra palë nuk ishte dakord me marrëveshjen? Përgjigjet e tjera janë të gjitha të këqija në raport me atë çfarë prodhoi firmosja. Këtë kanë patur kohë ta vërejnë dhe kuptojnë të gjithë ata politikanë shqiptarë që u investuan kundër saj. Sidomos ata që janë aktivë në politikë, ku shquhen Albin Kurti, një politikan i ri atëkohë, sot, kryeministër i Kosovës dhe Sali Berisha, kreu i PD-së së Rithemeluar.

Rambujeja e vitit 1999, kur Kosova ishte e pushtuar dhe krimet serbe ishin të përditshme, ia vlen të evokohet e konsultohet si një histori suksesi nga “Rambujeja” pa Rambuje e dialogut Kosovë-Serbi që po ndërmjetësojnë prej kohësh SHBA dhe BE.

Sërish kanë tingëllim aktual fjalët e zonjës Ollbrajt për pasojat që do të kishte bishtnimi me lloj-lloj artificash nga Serbia- natyrisht, në kushtet e reja nuk bëhet fjalë për bombardime- dhe po ashtu bishtnimi nga Kosova. Sërish Kosova duhet të jetë proaktive dhe bashkëpunuese me aleatët e saj perëndimorë, të cilëve u detyron lirinë dhe pavarësinë, për të mos u braktisur prej tyre.

Ashtu si në vitin 1999 pretendimet maksimaliste dhe retorika e “jo”-së nuk kanë kufi dhe vetëm i vënë në vështirësi miqtë, avokatët e Kosovës, ndërmjetësuesit perëndimorë. Ashtu si dje, përfaqësuesit politikë në dialog nuk janë për të bërë retorikë, por për të bërë politikë. Politika konsideron se palët që ulen në tryezën e dialogut synojnë objektiva të arsyeshëm e të arritshëm në momentin e dhënë. Por duhet të mbajmë parasysh se strategjikisht, Serbia nuk është e interesuar për një marrëveshje të paqes me Kosovën. Ajo i shfrytëzon në maksimum “topat” që i hedh pala kosovare apo konjuktura ndërkombëtare për të larguar presionin perëndimor nga vetja dhe kryesorja, për ta shtyrë pa fund dhe në dështim finalizimin e dialogut. Një “top” i tillë është përshembull ajo që po artikulohet rëndom kohët e fundit nga përfaqësues të politikës zyrtare të Prishtinës sipas të cilëve Serbia duhet të njohë Kosovën, pa Kosova të rikthehet në dialog. Pra qëllimin e dialogut e trajtojnë si kusht për ta bërë! Kjo është t’i lësh me gojë hapur partnerët. Në këtë rast, Serbia vetëm fërkon duart.

Strategjikisht, ndryshe nga Serbia, Kosova e ka të domosdoshme për sot dhe për brezat arritjen e marrëveshjes së paqes dhe njohjes së ndërsjellë me Serbinë. Prej këtu buron e duhet të burojë gjithë qasja e saj e matur dhe e mençur për dialogun në sintoni me SHBA dhe BE. Duke i hequr çdo alibi Serbisë. Duke e lënë zbuluar lojën e saj. Projekti franko-gjerman, me saktësimet dhe argjinimet amerikane për çështjen e asosacionit të komunave serbe, pret Kosovën.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.